Gjykata e Fierit po punon me numër të përgjysmuar gjyqtarësh duke shkaktuar zvarritje të proceseve gjyqësore. Disa gjyqtarë janë shkarkuar nga vettingu ndërsa të tjerë kanë dhënë dorëheqjen. Për këtë arsye avokatët kërkojnë plotësimin e vendeve vakante sa më shpejt pasi kjo situatë ka sjellë probleme për klientët e tyre.
“Struktura e Gjykatës së Fierit ka pasur 16 gjyqtarë, sot aktualisht janë 7. Dihet që pjesa tjetër janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen.” thotë avokati Ervis Goxhaj.
Zvarritjet kanë prekur proceset civile pasi ndryshe nga ato penale për këto gjyqe nuk ka afate të përcaktuara. Goxhaj thotë se një seancë civile po zhvillohet një herë në 3 muaj nga njëherë në 2 javë që zhvillohej më parë.
“Ka problematika sepse një gjyq civil normalisht zhvillohet njëherë në dy javë, tani po bëhet njëherë në tre muaj. Kjo vjen për shkak të ngarkesës që kanë gjyqtarët. Ka zvarritje, shtrirje në kohë,” shton Goxhaj.
Por megjithëse për çështjet civile nuk parashikohen afate, ka disa lloj gjyqesh të cilat duhet të përfundojnë brenda një kohe të arsyeshme siç janë zgjidhjet e martesave dhe caktimi i pensioneve ushqimore për fëmijët e çifteve që ndahen. Me numrin gjithnjë në rritje të divorceve dhe me 9 gjyqtarë më pak, në gjykatën e Fierit, është krijuar kaos
Avokatët ndërkohë flasin edhe për ndarjen e re territoriale të gjykatave që sipas tyre nuk do t’i japë fund sorrollatjeve të qytetarëve por do të krijojë më tepër probleme. /abcnews.al