Çmimi Nobel në ekonomi për vitin 2021 ju akordua tre ekonomistëve të shquar, përfaqësues të ekonomisë eksperimentale: David Card, Joshua Angrist dhe Guido Imbens. Treshja e laureuar “ka sjellë ide të reja mbi tregun e punës dhe ka treguar se cilat janë konkluzionet që mund të nxirren nga eksperiencat natyrore” nënvizonte juria e Çmimit Nobel në vendimin e saj.
Që prej vitit 1969, Akademia mbretërore e shkencave e Suedisë, e cila akordon cdo vit edhe Çmimin Nobel në ekonomi “Çmimi i Bankës së Suedisë në shkencat ekonomike në nderim të Alfred Nobel” ka laureuar mjaft ekonomistë të shquar të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e pasurimin e shkencave ekonomike, që kanë avancuar më tej shkencat ekonomike nëpërmjet zhvillimit të koncepteve të reja, metodave inovative dhe strukturuese.
Eksperiencat natyrore, të cilësuara shpesh dhe si eksperienca të pavullnetshme, janë studime që bazohen duke u nisur nga situata reale, jo laboratorike, në mjedise të kontrolluara. Ato përqëndrohen në evenimente politike apo ekonomike që prekin pjesë të caktuara të popullsisë.
Fuqizimi i ekonomisë eksperimentale dhe kurorëzimi i saj me Çmimin Nobel përbën një revolucion në shkencat ekonomike “duke lënë mbrapa modelet teorike klasike mbi të cilat është formuar vetë shkenca ekonomike.
Sharan Burroë, në emër të jurisë së Çmimit Nobel në ekonomi deklaroi se “ tre laureatët e Çmimit Nobel kanë nxjerrë një teori të paprovuar, por megjithatë shumë influencuese, e cila pohon se garancia e pagës minimale për punonjësit nuk ndikon në humbjen e vendeve të punës … personat që përhapin prej shumë dekadash këtë teori vrasëse, si dhe qeveritë e institucionet që e imponojnë atë pa asnjë provë bindëse, ose edhe me prova të kundërta, janë përgjegjës për situatën e miliona njerëzve që jetojnë në varfëri … ky cmim Nobel përbën një arritje të madhe kundrejt shumë ekonomistëve, në sensin që duheshin 30 vite që fakte të reja të fitonin më në fund ndaj ideve të paragjykuara dhe pa baza. Në një moment kur bota ka nevojë për kërkime shkencore të mbështetura në të dhëna të provuara e vendimtare për të luftuar kundër pandemisë globale, aq më shumë ekonomia, ka nevojë të mbështetet në një analizë faktoriale më shumë se sa të mbështetet në supozime ideologjike të keq formuara nën aparencën e këshillave politike legjitime … Është e domosdoshme të garantohen pagat e minimumit jetik, nëpërmjet rregullimeve ligjore apo negociatave kolektive, për ti dhënë fund varfërisë, për ta përmbysur tendencën e pjesës së të ardhurave gjithnjë në ulje, për të rritur kërkesën dhe forcuar bazë e një rritje ekonomike që mbështetet mbi punësimin, punën e ndershme, në një botë gjithnjë e më të barabartë…”.
Tre fituesit e Çmimit Nobel në ekonomi për vitin 2021 kanë disa pika të përbashkëta : së pari, janë të angazhuar dhe punojnë në universitete amerikane nga më prestigjozet, Massachusetts Institute of Technology, për Joshua Angrist, universiteti Berkeley për David Card dhe universiteti Stanford për Guido Imbens; së dyti, të tre nobelistët kanë punuar me profesorin e shquar Alan Krueger të universitetit të Princeton, ekonomisti më i cituar në botë në fushën e ekonomisë së punës (mbi 130 000 citime sipas Google Scholar), ish shefi i këshilltarëve ekonomikë të Presidentit Obama në Shtëpinë e Bardhë; së treti, kanë punuar vazhdimisht të fokusuar në sferën e ekonomisë eksperimentale duke e evidentuar atë si një fushë kërkimi e të ardhmes “në kurriz” të teorive klasike që kanë mbi dy shekuj që janë në zemër të analizave dhe recetave ekonomike e financiare.
Përfshirja e eksperiencave konkrete që krijojnë mundësi direkte për kuptimin, studimin dhe analizën e fenomeneve në sferën e studimeve ekonomike u cfaq në vitet 1990 në kuadrin e njohjes së ndikimit të emocioneve dhe psikologjisë në zgjedhjet dhe sjelljet ekonomike të individëve dhe organizatave. Që në vitin 2002, Daniel Kahneman dhe Vernon Smith, u nderuan me Çmimin Nobel në ekonomi si dy nga përfaqësuesit më të shquar të këtij këndvështrimi metodologjik specifik për shkencat ekonomike.
Konkretisht, ekonomia eksperimentale synon prodhimin e të dhënave empirike specifike
Duke u nisur nga eksperiencat e sjelljes individuale dhe kolektive. Në vazhdim, këto të dhëna analizohen nëpërmjet metodave e instrumenteve ekonometrike e statistikore, gjë që të krijon mundësinë të kuptosh, dhe mbi të gjitha të evidentosh metodologjikisht lidhjet shkak-pasojë ndërmjet një faktori të caktuar dhe një dimensioni ekonomik.
Ekzistojnë tre forma kryesore “eksperience” në gjirin e ekonomisë eksperimentale: eksperiencat e realizuara në laborator në kuptimin e gjerë të fjalës, të cilat konsistojnë në pjesëmarrjen e vullnetarëve të caktuar në situata dhëna; eksperiencat e ndërrmara direkt në terren në kushte reale në gjirin e një grupi të caktuar social apo komuniteti; dhe së fundi, “eksperiencat natyrore”, që konsistojnë në observimin e fenomeneve reale në kohë reale dhe jo të krijuara në mënyrë artificiale.
Në cdo rast, këto forma synojnë të kuptojnë më mirë mekanizmat psikologjikë që “orientojnë apo shtyjnë” individët gjatë procesit të marrjes së vendimeve, mekanizmat psikologjikë që i shtyjnë individët të bashkëpunojnë ose jo me të tjerët, por gjithashtu, shërbejnë edhe për të analizuar impaktin e një politike ose një ndryshimi në mjedisin dhe parametrat ekonomikë.
Nobelisti David Card, p.sh., ndërrmori dhe studioi shumë eksperienca natyrore gjatë kërkimeve të tij për të nxjerrë në evidencë lidhjet shkakësore fondamentale ndërmjet dy fenomeneve. Ai analizoi ardhjen masive të emigrantëve kubanë në tregun e punës në Florida, specifikisht në Miami, gjatë viteve 1990.
Duke krahasuar zhvillimet në tregun e punës në Miami në raport me disa qytete të tjera në Florida, David Card tregoi se ardhja masive e emigrantëve të cilët e shtuan me 7% fuqinë punëtore në qytet, nuk ndikoi negativisht në nivelin e pagave dhe përqindjen e papunësisë. Përkundrazi, ardhja e tyre rezultoi një shtim i konsumatorëve që krijuan nevoja të reja për mallra e shërbime në qytet, krijoi rritje të kërkesës dhe shtim të vendeve të reja të punës dhe punësimit.
Që në vitin 1993, David Card u interesua në vazhdimësi edhe për impaktin e pagës minimale mbi nivelin e punësimit. Duke krahasuar rritjen e pagës minimale të vendosur nga New Jersey nga 4.25 në 5$ në orë, me Pensilvaninë fqinje në të cilën paga minimale mbeti e pa ndryshuar, Card arriti në konkluzionin se “nuk egziston asnjë efekt negativ në nivelin e punësimit si efekt i rritjes së pagës minimale”.
Nga këndvështrimi i këtyre dy studimeve, ekonomia e sjelljes u cfaq si një revolucion në kuadrin e literaturës dhe teorisë ekonomike main streeam të dominuar nga ekonomia neoklasike. Ndërkohë që ekonomia neoklasike dhe metodologjia e saj për një kohë të gjatë ishte vlerësuar si themeli i modeleve teorike, kjo metodologji e re u ndërtua në sens krej të kundërt, duke u bazuar në eksperienca konkrete, në vështrime konkrete të fenomeneve dhe evolucionit real mbi të cilat ndërtohej baza e kërkimit në ekonomi.
Në këtë mënyrë, u bë e mundur përdorimi i eksperiencës për të ndërtuar teori të reja ekonomike dhe jo për ta përdorur eksperiencën si konfirmim të modeleve të paracaktuara. Një revolucion dhe përmbysje e vërtetë. Megjithatë, ekonomia e sjelljes mbetet kritike për disa elementë të metodologjisë dhe nxjerrjes së konkluzioneve nga ana e saj.
Edhe pse lidhjet shkakësore janë primare, arsyet fondamentale që kushtëzojnë evolucionin apo pasojat e një fenomeni shpesh neglizhohen. Kjo metodologji e re, mjaft inovative dhe premtuese, ngjall akoma kundërshti dhe kritika akademike.
Çmimi Nobel në ekonomi – sozia e Nobelit të vërtetë
Që në krijimin e tij në vitin 1969, ndryshe nga sa duket në publik, në fakt, asnjë ekonomist nuk ka marrë ndonjëherë “Çmimin Nobel” të vërtetë, atë që jepet cdo muaj dhjetor nga Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë, por ka marrë një shumë parash të derdhura nga Banka Qëndrore e Suedisë dhe “Çmimin e Bankës Qëndrore të Suedisë në shkencat ekonomike në kujtim të Alfred Nobel”.
Ideja e parë për të patur një « çmim Nobel » në ekonomi vjen nga P.Asbrink, guvernator i Bankës suedeze që është Banka Qendrore më e vjetër e botës. Në kuadrin e 300 vjetorit të bankës, Asbrink krijoi një fondacion kërkimor të quajtur « Fondacioni i jubileut të Bankës së Suedisë » dhe i propozoi këshilltarit të tij ekonomik A.Lindbeck si dhe ekonomistëve të shquar E.Lundberg dhe G.Myrdal që të reflektonin për mundesinë e krijimit të një titulli të veçantë të « çmimit Nobel » në ekonomi. Institucionalisht, ideja u shtrua për diskutim në një takim të përbashkët të Bankës së Suedisë, Fondacionit Nobel dhe Akademisë Mbretërore të Shkencave të Suedisë. Shumë anëtarë të Akademisë Mbretërore, duke patur parasysh procedurat dhe përmbajtjen e dhënies së këtij çmimi në shkencat ekzakte, shfaqën rezerva për aspektin rigoroz shkencor të shkencës së ekonomisë.
Por Lundberg dhe Myrdal arritën të jepnin argumentet e nevojshme përballë skepticizmit të Akademise Mbretërore duke bërë që votimi në favor të akordimit të këtij titulli të bëhej në unanimitet.
Në maj të 1968, Banka e Suedisë, Fondacioni Nobel dhe Akademia Mbretërore ranë zyrtarisht dakort për rregullat dhe kriteret e atribuimit të « çmimit Nobel » në ekonomi të cilat u kodifikuan nga Qeveria suedeze në janar 1969. Komiteti i parë i vlerësimit të kandidaturave përbëhej nga : B.Ohlin (President i komitetit, Shkolla Ekonomike e Stokholmit); E.Lundberg (Shkolla Ekonomike e Stokholmit); I.Svennilson (Universiteti i Stokholmit); H.Ëold (Universiteti i Upsalas, Universiteti i Goteborgut) ; A.Lindbeck (Universiteti i Stokholmit).
Çmimi Nobel » në ekonomi është i vetmi çmim që jepet nga Fondacioni Nobel pa qenë pjesë e specifikuar e testamentit të Alfred Nobel por ai i nënshtrohet te gjitha rregullave të çmimeve të tjera Nobel. Ashtu si për çmimet në fushën e fizikës, kimisë, mjekësisë, etj., ai jepet në datën 10 dhjetor të çdo viti nga mbreti i Suedisë në përgjigje të zgjedhjes së bërë nga Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë. Duke filluar nga viti 2006, pjesa monetare e këtij çmimi është 10 milion korona suedeze ose afërsisht 1 milion euro.
Çmimi Nobel në ekonomi është bërë shpesh objekt debatesh e diskutimesh të shumta, pjesa dërrmuese të cilave konvergojnë në mendimin dhe pretendimin se Alfred Nobel nuk kishte menduar kurrë të jepte një çmim për këtë disiplinë si dhe në pretendimet se ekonomia nuk mund të cilësohet dhe vlerësohet si nje disiplinë shkencore e mirëfilltë.
Frederich Hayek, përfaqësues i shkollës liberale austriake të ekonomisë dhe laureat i çmimit nobel në ekonomi në 1974, shprehej se “po të kishin kërkuar mendimin e tij mbi këtë çmim, ai nuk do ta kishte inkurajuar këtë iniciativë”.
Ndërkohë, Gunnar Myrdal, gjithashtu laurat i këtij çmimi ka deklaruar se “arsyeja pse ky çmim nuk duhet të jepet është pikërisht fakti se ai ju akordua një konservatori si Hayek-u”. Zgjedhja e laureateve kritikohet dhe për faktin se ajo favorizon shpesh ekonomistët e cilësuar si “ortodokse” që pothuajse të gjithë i përkasin “Shkollës së Çikagos” dhe janë amerikanë.
Ky lloj qëndrimi konstatohet vetëm në rastin e çmimit në ekonomi, sepse ne rastet e fushave të tjera nuk konstatohet një ndjeshmëri e tillë.
Një tjetër qëndrim kritik është dhe dyshimi se a ka më të vërtetë çdo vit ekonomistë aq të shquar që mund të meritojnë çmimin Nobel, apo thjesht për hir të çmimit duhet gjetur pa tjetër një ekonomist i shquar.
Në përgjigje të këtij shqetësimi, duke filluar nga viti 1995, Akademia Mbretërore e Suedisë e zgjeroi spektrin e dhënies se këtij çmimi, në radhë të parë duke modifikuar strukturën e komitetit vlerësues (futjen e dy jo ekonomisteve në jurinë prej 5 deri 8 anëtarësh) dhe së dyti, duke pranuar kandidatura të shkencave politike, psikologjike e sociologjike të cilat gjykohen se kanë një impakt të dukshëm mbi ekonominë. Kështu, në listën e të laureuarve të viteve të fundit janë dhe figura të shquara si Daniel Kahneman, Robert J. Aumann dhe Thomas C. Scelling të cilët nuk janë ekonomistë.
Shkolla e Ekonomisë eksperimentale
Ideja dhe praktika “eksperimentale” për të studiuar apo kuptuar një dukuri të caktuar është konsideruar vazhdimisht si një mundësi e shkencave apo disiplinave të tilla si kimia, biologjia, fizika, botanika, mekanika, agronomia, mjekësia,etj.
Ndërsa ekonomia dhe përgjithësisht shkencat ekonomike, kur është fjala për të zbuluar dhe fiksuar “parimet fondamentale të tyre” janë konsideruar vazhdimisht jashtë mundësisë për të përdorur eksperimentin si instrument hulumtimi e zbulimi.
“Loja dhe kombinimi” i faktorëve dhe elementëve të ndryshëm ekonomikë në funksion të gjetjes së “teoremave dhe ligjeve themelore” të kësaj shkence është konsideruar për një kohë të gjatë si e pamundur duke e cilësuar ekonominë si një shkencë “jo-eksperimentale” e cila mbështetet esencialisht në observimin e “ekonomisë reale” dhe jo në të dhënat e mbledhura në laborator.
Pjesa dërmuese e punimeve empirike të ekonomistëve realizohen vetëm duke u mbështetur mbi të dhëna statistikore që përshkruajnë apo “fotografojnë” botën reale, statistika që në shumicën e rasteve janë absolutisht të pakontrollueshme ex-ante nga ekonomistët, dhe që për më tepër, kërkojnë punë shumë të kualifikuar dhe pse jo të lodhshme e të sofistikuar për të arritur deri në “izolimin” e efekteve që dëshiron të studiojë ekonomisti.
Por, në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të, një koncept i tillë përjashtues për ekonominë filloi të ndryshojë, duke u bërë shkak që të fillonte dhe ndryshimi i njërës nga paradigmat më të mëdha të vetë qëllimeve dhe mundësive të shkencave ekonomike:lindi ekonomia eksperimentale.
Rezultatet dhe efektet e menjëhershme të përdorimit të kësaj metode u evidentuan menjëherë si një instrument i fuqishëm për të “verifikuar” modelet teorike të zhvilluara nga ekonomistët e të gjitha shkollave apo tendencave, duke vënë më qartë në dukje jo vetëm saktësinë dhe vërtetësinë, por edhe dobësitë dhe subjektivitetin e tyre.
Aktualisht, janë të shumta punimet dhe kërkimet shkencore që tentojnë të eksperimentojnë “në kushte laboratorike” sjelljet e konsumatorëve dhe prodhuesve apo mënyrën e marrjes së vendimeve, duke u përpjekur të “modelojnë” sjelljet dhe veprimet e tyre .
Le të marrim një shembull që i referohet konkluzionit teorik dhe hipotetik të ekonomistëve se “nqs qeveria fikson një pagë minimale të lartë dhe e ngre atë vazhdimisht, atëherë kërkesa e bizneseve për punonjës do të zvogëlohet, duke ndikuar kështu në rritjen e papunësisë dhe shtimin e shpenzimeve publike për ndihmën dhe kompensimet sociale”? Po në këtë kuadër, mund ti referohemi dhe konkluzionit tjetër empirik të shkencës ekonomike se “ulja e taksave zvogëlon informalitetin dhe nxit zhvillimin e biznesit dhe punësimin”.
Shumë ekonomistë ëndërrojnë që këto konkluzione, që atyre ju duken më se evidente të mund të bëhet objekt i një eksperimenti bindës. Sa e mundur është një gjë e tillë? Përgjigjia pozitive vjen nga një manual për ekonominë me autorë Th.Bergstrom dhe J.Miller të universitetit të Michigan-it i cili dëshmon se këto lloj eksperimentimesh janë plotësisht të mundura duke dhënë dhe “recetat” përkatëse për realizimin real të tyre . Ata rekomandojnë përdorimin e studentëve për realizimin e “eksperimenteve” të tilla .
Termi apo veprimet në kuadrin e të ashtuquajturës “inxhinieri ekonomike” apo “sjellja financiare”, duket se po përfitojnë maksimalisht nga mundësitë që krijon ekonomia eksperimentale. Parë në mënyrë të përgjithshme, ekonomia eksperimentale vlerësohet si një fushë e shkencave ekonomike që studion sjelljen e njerëzve në situata të ndryshme ekonomike, duke synuar në mënyrë të veçantë të shpjegojë: “përse në disa situata, njerëzit adoptojnë një sjellje në dukje paradoksale apo joracionale, pra krejt të kundërt me mënyrën e sjelljes që shpjegon e mbron teoria e homos economicus”?
Megjithëse në jetën reale të subjekteve ekonomike është e vështirë të ndash qartë rrethanat në të cilat merret një vendim apo bëhet një zgjedhje (shkalla e informimit të personit, elementët psikologjikë frenues apo stimulues në raport me pasojat e pritshme të vendimit të tij, etj.), “ekonomia eksperimentale” të krijon komoditetin e një kontrolli pothuajse “perfekt” të të gjithë parametrave të marrë në konsideratë.
Në mënyrë të veçantë, vlerësohen të ashtuquajturat “nxitje monetare speciale”, të cilat të krijojnë mundësi për eksperimentime në shkallë të gjerë me subjekte sa më përfaqësuese të dukurisë që tentohet të studiohet.
Ndonëse ka shumë fusha të ekonomisë ku tentohet të eksperimentohet,“ekonomia eksperimentale” po përvijon si objekt bazë të saj “testimin e postulateve tradicionale në mikro ekonomi” të tilla si ai që i paraqet individët si “qenie të pastra egoiste” apo të procesit “të marrjes së vendimeve në një mjedis interaktiv strategjik”, vërtetësinë e konkluzioneve në kuadrin e aplikimit të “teorisë së lojës”, etj.
Ndërkohë, megjithëse në mënyrë më rastësore dhe jo shumë të përhapur, edhe makroekonomia duket se po fillon të kërkojë “ndihmë” tek instrumentet dhe praktikat e ekonomisë eksperimentale.
Nga pikëpamja historike, shfaqja e ekonomisë eksperimentale vlerësohet se është shfaqur në vitin 1931 në kuadrin e eksperimentit të Thurstone për të ndërtuar një kurbë indiference me anën e të dhënave të përfituara nga eksperienca të kontrolluara e verifikuara paraprakisht, për të vazhduar në vitin 1948 me publikimin e artikullit të ekonomistit amerikan E.H.Chamberlin “An Experimental Imperfect Market” .
Por shumë autorë që kanë studiuar historinë e kësaj shkolle mendojnë se origjina e saj është shumë më e hershme duke u kthyer mbrapsh në eksperiencën e D.Bernoulli dhe të famshmin “paradoks të Shën Petersburgut” të vitit 1738. Megjithatë, si etapë decizive për ndërtimin e “ekonomisë eksperimentale” si teori dhe praktikë e shkencave ekonomike konsiderohet viti 1962, vit në të cilin, një nga studentët që merrte pjesë në eksperimentet e Chamberlin-it, V.Smith propozoi “Protokollin eksperimental” duke e imponuar kështu ekonominë eksperimentale si instrument të rëndësishëm të analizës ekonomike.
Përfaqësuesit më të shquar të « ekonomisë eksperimentale » konsiderohen ekonomistët Vernon Smithdhe Daniel Kahneman, laureatë të çmimit Nobel në vitin 2002, të cilësuar si pionierët e aplikimit në shkencat ekonomike të metodave eksperimentale të përdorura në psikologji. Në këtë fokus, u profilizua qartë se objekti i kësaj disipline është “testimi i hipotezave të sjelljes sipas modeleve ekonomike” .
Studimi në laborator krijon mundësitë e nevojshme për të arritur që të izolohen elementët thelbësorë të vendimeve individuale. Përsëritja e vazhdueshme e “eksperimenteve laboratorike” krijon mundësi reale që të nxirren konkluzione të qëndrueshme të cilat mund të aplikohen në mënyrë të besueshme e bindëse në realitetin e gjerë .
Në rastet kur eksperimentet provojnë të kundërtën e asaj që përcakton teoria ekonomike, sipas mbështetësve të kësaj shkolle, shpjegimet që mund të jepen ndahen në dy tipe.
Së pari, sepse individët e ndryshëm e realizojnë sjelljen e tyre në kushtet e një “racionaliteti të kufizuar” ose edhe “irracionaliteti”,ndërkohë që teoria ekonomike standarte supozon “nacionalitetin e aktorëve ekonomikë;së dyti, në sjelljen e tyre, individët integrojnë edhe mjaft elementë vendim-marrës që nuk janë marrë në konsideratë nga teoria ekonomike të tillë si mëshira, dhimshuria, ndikimi fetar e kulturor tradicional, etj.
Gjatë viteve të fundit, fusha e veprimit të ekonomisë eksperimentale është zgjeruar e intensifikuar dukshëm duke zënë një vend gjithnjë e më të dukshëm në gjirin e shkencave ekonomike. Metodat dhe instrumentet e saj po aplikohen në mënyrë më frekuente për fenomene nga më të ndryshmet që lidhen direkt apo indirekt me teoritë ekonomike, ndërkohë që shumë revista akademike, institute kërkimore, katedra universitare apo rrjete kërkuesish në sferën ekonomike po identifikohen gjithnjë e më tepër si të atashuar me shkollën e ekonomisë eksperimentale.
Çështjet që lidhen ngushtë me hartimin dhe zbatimin e politikave publike të tilla si efektet e shkollimit, ndikimi i shëndetit publik në zhvillimin ekonomik, roli i mikrokredisë, etj., po shihen gjithnjë e më shumë si objekte studimi nga ana e ekonomisë eksperimentale.
Për ekonomistin Rubinstein, “suksesi i ekonomisë eksperimentale është i padiskutueshëm pasi ajo ka hyrë tashmë në zemrën e teorive dhe praktikave ekonomike”.