Në shoqërinë shqiptare paramoderne, miku nderohej si njeri me status të veçantë, gati të mbinatyrhme. Por, miku e humbiste këtë status mjaft të privilegjuar nëse nuk sillej me korrektësi në shtëpinë e mikpritësit.
Paragrafi 1785 ti Kanunit të Dibrës, përcakton qartë statusin e dyzuar të mikut: “Miku asht knaqsi e madhe, po ene barrë e randë”. Në popull thuhet: “Sa ke mikun në shtëpi, ke malin mbi shinë”.
Miku e humbiste statusin gati-gati hyjnor dhe shndërrohej në njeri të padëshirueshëm për familjen, fisin, fshatin e krahinën e mikpritësit, nëse nuk zbatonte me korrektësi tërësinë e normave kulturore, që rregullonin veprimet e sjelljet e tij në raportet me familjarët e mikpritësit, me anëtarët e fisit, me miqtë dhe me të njohurit e tij.
Çdo veprim i gabuar i mikut përkeqësonte shumë në sytë e opinionit të bashkësive vetëqeverisëse të shoqërisë tradicionale shqiptare, jo vetëm statusin e prestigjin e mikut, por edhe ato të mikpritësit.
Miku nuk kishte të drejtë të prekte asgjë pranë vatrës, sidomos enët e vëna në zjarr për të zier ushqime. Neni 136 i Kanunit të Lekë Dukagjinit në variantin e Mirditës, ndër të tjera thekson: “Miku nuk ka tagër me prek gja bri votrës ose oxhakut ku rri, veç në ja lypt i zoti i shpisë”.
Pse mikut i ndalohej në mënyrë kategorike, të hiqte kapakun e gjellës që po ziente në zjarr?
Thelbin e përgjigjes së kësaj pyetje e gjejmë te neni i referuar për këtë çështje te Kanuni i Lekë Dukagjinit, varianti i Pukës: “E di rrasa ça ka vegshi”.
Kjo do të thotë se kapaku i shporetit duhet të ruajë si sekret shumë të rëndësishëm të familjes atë çfarë zihet poshtë tij. Ndodhte jo rrallë që familja mikpritëse të ishte aq e varfër, saqë vorba në vatër ziente vetëm ujë. Kapaku e mbulonte këtë varfëri të skajshme, e cila nuk i duhej ekspozuar mikut dhe opinionit shoqëror.
Këto reagime të shqiptarëve i ka vënë re edhe albanologu i shquar Franc Nopça në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit të XX: “Është një çnderim për të zotin e shtëpisë, kur një i huaj ngre kapakun e tenxheres në vatër pranë zjarrit. Dënimi është 500 grosh, sepse mundet që tenxherja të mos ketë mish dhe ky bëhet shkak që del në shesh vobektësia e zotit të shtëpisë”.
Shkëputur nga: “Lente të ndërveprimit simbolik”, Z. Dervishi