Është njëra mes 40 kishave më të vjetra në botë./Konica.al
Me një histori thuajse 15 shekullore, kisha bizantine e Shën Marisë në Labovë të Kryqit u ndërtua në vitin 554, nga perandori bizantin, Justiniani i Madh, vetëm pak vjet pas ndërtimit të katedrales së Shën Sofisë në Konstandinopojë (Stamboll).
Kisha ka afreske dhe ikonostase të vyera. Vetë figura e Justinianit është e gdhendur në një prej kolonave qëndrore të kishës, si dhe gjendet gjithashtu e pikturuar në afresket e saj.
Kjo kishë është një prej monumenteve historike, fetare dhe kulturore më të vyera të Shqipërisë.
Ajo ndodhet në fshatin Labovë e Kryqit dhe ngrihet shpatit verior të malit Bureto, vetëm pak kilometra nga qyteti i Libohovës dhe ai i Gjirokastrës.
Por, çfarë e bën këtë shtëpi të Zotit edhe një thesar trashëgimie kulturore, është edhe një fakt sa i pabesueshëm, kaq edhe emocionues.
Kisha ruan për shekuj e mijëvjeçarë, një pjesë prej 152 gramë nga druri ku u kryqëzua Krishti.
Kjo copëz e paçmueshme nga kryqi i Krishtit, iu dhurua kishës nga vetë perandori Justinian teksa ndërtohej ende. Në fakt, ndërtimi i kishës dhe copëza e drurit nga kryqi i Krishtit, ishin dhuratë e perandorit Justinian për një prej gjeneralëve të tij më të besuar, Kostandin Shpatarit, i cili e kishte kërkuar këtë dhuratë të vyer, për vendin e tij të lindjes.
Copëza e drurit dhe kryqi i artë brenda së cilës ajo ruhej, mbaheshin me fanatizëm nga shërbyesit e kishës dhe banorët e zonës. Sipas gojëdhënave, dhjetëra kalorës të armatosur ishin gardianë të tij.
“Kryqi i shenjtë” ishte gjithashtu objekt pelegrinazhi.
Pelegrinë të shumtë shkonin në Labovë të Kryqit, për të kryer ritet fetare në kishën e Shën Marisë. Vetë fshati ka marrë emrin ”Labovë e Kryqit”, për shkak të “Kryqit të shenjtë”.
Ky kryq, mund të krahasohet për vlerën dhe rëndësinë e tij, vetëm me Kodikët e Beratit.
Kryqi dhe copëza e drurit brenda, që kishin mundur të ruheshin përgjatë luftrave dhe pushtuesve të ndryshëm ndër shekuj, u zhdukën në mënyrë të mistershme në vitin 1987, në ditët e fundit të diktaturës komuniste në Shqipëri dhe shtetit ateist të kohës.
Disa vetë u arrestuan dhe u dënuan si vjedhës të këtij objekti, por kryqi nuk u gjet më kurrë.
Sipas versionit zyrtar, ata e kishin vjedhur kryqin dhe më pas e kishin hedhur sepse u ishte dukur pa vlerë. Por banorët e Labovës, nuk e besojnë këtë version dhe bëjnë fajtor regjimin e kohës, për zhdukjen e këtij thesari të paçmuar.