MENU
klinika

"Ne do të luftojmë kundër saj me çdo çmim"

Kurti flet për aksionin kundër kontrabandës në veri

14.10.2021 - 13:22

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për aksionin e 13 tetorit të Policisë dhe Doganës së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave, duke thënë se për stabilitetin e institucioneve dhe sundimit të ligjit “nuk mund të ketë stabilitet të krimit”.

“Ne luftojmë me grupet kriminale që janë multietnike, siç janë edhe shqiptarët, boshnjakët dhe serbët. Ne do të luftojmë kundër saj me çdo çmim. Për shembull, dje në mëngjes kishte një aksion në katër komuna të ndryshme në Kosovë: Pejë, Prishtinë, Mitrovicën e Veriut dhe atë të Jugut ku kriminelë të ndryshëm shqiptarë dhe serbë kanë bashkëpunuar”, tha Kurti në Shkup, ku po merr pjesë në samitin e organizuar nga The Economist.

Më 13 tetor, autoritetet kryen një operacion kundër kontrabandës së mallrave. Ky operacion u prit me protesta dhe bllokada në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, me ç’rast u lënduan dhjetë policë si dhe dhjetë qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore.

Autoritetet e rendit po ashtu njoftuan se kanë arrestuar tetë persona të dyshuar se janë të përfshirë në kontrabandë, ndërkaq kanë shpallur në kërkim edhe dhjetë persona të tjerë. Si në mesin e të arrestuarve, ashtu edhe të atyre që po kërkohen, shumica janë shqiptarë të Kosovës.

Kryeministri Kurti po ashtu tha se ky aksion nuk duhet të politizohet, pasi sipas tij, edhe për zbatimin e të njëjtit ishin të përfshirë prokurorë serbë, por edhe policë të përkatësisë serbe.

“Mendoj se është shumë keq të politizohet lufta jonë kundër krimit. Duhet të bashkëpunojmë me të gjithë në Ballkanin Perëndimor kundër krimit të organizuar, i cili është shumë më i integruar sesa që jemi ne”, deklaroi Kurti.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga produktet ushqimore tek pijet dhe duhani

Çfarë kontrabandohet më shumë nga Serbia?