MENU
klinika

Në prag zgjedhjesh parlamentare

Kush është i pari që bie në “rrjetën” e “Pandora Papers”

07.10.2021 - 17:23

Kryeministri çek Andrej Babis shkon në zgjedhjet parlamentare këtë javë i përfshirë nga një tjetër skandal që e lidh me parajsat fiskale jashtë vendit.

Gjetjet e Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Hulumtues të quajtur “Pandora Papers” treguan sesi elita dhe persona të korruptuar në botë përdorën llogari bankare jashtë vendeve të tyre për të mbrojtur pasuritë nga taksat ose për të fshehur fitimet nga veprime të parregullta.

Duke u kthyer tek Babis, një miliarder populist në vitin 2009 vendosi 22 milionë dollarë në kompani të regjistruar në parajsa fiskale për të blerë 16 prona në jug të Francës, përfshirë një kështjellë, zbuloi hetimi.

Sipas dokumenteve të siguruara nga partneri çek i grupit të gazetarëve investigativ, Investigace.cz., ato nuk figuronin në deklaratat e detyrueshme të pasurisë të paraqitura nga zoti Babis. Babis ka mohuar të ketë bërë ndonjë shkelje dhe pretendon se publikimi i fundit kishte për qëllim ta dëmtonte atë në zgjedhje.

“Unë nuk kam asnjë llogari në parajsat fiskale. Nuk kam asnjë pronë në Francë”, tha ai. “Janë akuza të rënda, të rreme që kanë për qëllim të ndikojnë në zgjedhje. Kjo është e gjitha.”

Njësia policore e krimit të organizuar në Republikën Çeke tha se do të hetonte situatën. Opozita po kërkon që Babis të ofrojë dëshmi se veprimet e tij ishin në përputhje me ligjin. 67-vjeçari ka pasur një mandat të shoqëruar me skandale të shumta, por të gjitha sondazhet publike tregojnë se lëviza e tij e qendrës “ANO” (PO) pritet të fitojë zgjedhjet me rreth 25% të votave.