MENU
klinika

Dorëheqja e Ardi Veliut

Kush janë dy kandidatët e mundshëm për Drejtor të Përgjithshëm në Policinë e Shtetit

06.10.2021 - 09:13

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka dhënë dorëheqjen përmes një letre drejtuar Kryeministrit Rama. 

Si në shumë dorëheqjet e kohëve të fundit, edhe kësaj radhe shkak kanë qenë arsyet familjare dhe dëshira për të qëndruar pranë familjes edhe pse për Policinë e Shtetit Kryeministri Rama që në fund të muajit gusht kishte kërkuar një ritëm tjetër më të lartë në punën e saj.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar letrën e dorëheqjes, teksa ka dhe një falënderim për të. Rama shpreh bindjen se ai ka akoma shumë për t’i dhënë shtetit në detyra të tjera.

“Me konsideratën më të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e posaçëm të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe me bindjen se ai ka akoma shumë për t’i dhënë shtetit në detyra të tjera, e falënderoj nga zemra për kontributin e vyer”, shkruan Rama.

LETRA E ARDI VELIUT

“I nderuar zoti Kryeministër, Për mua ka qenë një nder dhe privilegj t’i shërbej vendit si drejtues i Policisë së Shtetit për katër vitet e fundit në një punë sfiduese e impenjative të përditshme, shpesh larg familjes e fëmijëve që kanë sakrifikuar bashkë me mua. Jam përpjekur të jap më të mirën time dhe të forcave tona policore duke menaxhuar situata komplekse nga lufta kundër trafiqeve e drogës, krimit të organizuar e atij të rrugës, flukset e emigrantëve apo edhe tubimet shpeshherë të dhunshme.

Por në këtë moment, kam vendosur të mos kërkoj një mandat tjetër dhe t’ju ofroj dorëheqjen time për t’u përkushtuar më shumë familjes dhe fëmijëve që tani janë në një moshë delikate e të cilëve u kam munguar pafund këto katër vite. Kjo ka qenë padyshim përvoja më e vyer e jetës sime dhe ju falënderoj për besimin, mbështetjen dhe kurajën e vazhdueshme pa të cilat nuk do kishim arritur të menaxhonim me sukses kaq shumë sfida. Mezi pres të punojmë sërish së bashku në të ardhmen në shërbim të vendit tonë e njerëzve tanë. Me mirënjohjen më të thellë e konsideratat më të larta, Ardi Veliu”

ZËVENDËSUESIT

Gledis Nano, drejtori aktual i Antiterrorit është kandidati më potencial për të zëvendësuar Ardi Veliun në krye të Policisë së Shtetit. Nano është bërë i njohur për publikun gjatë operacioneve për riatdhesimin e shqiptarëve nga kampi AlHol, ndërsa gjatë muajve të verës, ambasadorja amerikane në Tiranë i dhuroi certifikatë vlerësimi në luftën ndaj terrorizmit. Ai gjithashtu ka qenë në krye të disa operacioneve me rëndësi si dëbimi i diplomatëve iranianë nga Shqipëria dhe dosja e “Imamëve”.

Gledis Nano aktualisht ka drejtuar që prej 17 shkurtit të vitit 2016, Drejtorinë e Antiterrorit, pas 17 viteve eksperiencë në Policinë e Shtetit. Por, një tjetër emër kandidat për të marrë drejtimin e Policisë së Shtetit është edhe Albert Dervishaj, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë, me një karrierë të gjatë në drejtimin e uniformave blu.