Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për shkatërrimin e opozitës, të kësaj opozite e cila është katandisur si një ushtri e shpartalluar pas beteje. Në fakt ikja e Berishës, duket se po vulos edhe ikjen në heshtje të Lulzimit, i cili për ti rritur sado pak kredencialet vehtes, po sillet në Parlament si dikur “babai i tij politik”. Fjalori i padenjë ndaj kundërshtarit politik, mllefet dhe xhestikulacionet e shtira, nuk e konfirmojnë Lulin kurrë “lider opozite”. Ato thjesht shpejtojnë largimin e tij. Duke i konceptuar si “aksione opozitare”, etiketimet ndaj ndonjë ministri, deputeti apo dhe kryeministrit, Lulzimi duket sikur rreket të shpëtojë vehten nga akuzat e “foltores”. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për degradimin politik dhe moral të kësaj opozite.
Dikush duhet të drejtojë gishtin nga ai, apo ata, që luajtën bixhoz dhe vazhdojnë të mbajnë peng Partinë Demokratike, në emër të “lirisë dhe demokracisë”. Shqiptarët po shohin me sy, dhe dëgjojnë me veshë, se si çakenjtë e Saliut dhe anemikët e Lulzimit, po shqyejnë atë parti, po deformojnë vullnetin e bazës së asaj partie, dhe luajnë poker me fatet e saj, për të përmbushur dëshirat dhe synimet e tyre pasurore. Partia Demokratike, ka pasuruar jo pak, por një ushtri të madhe të korruptuarish, që deri dje, i rrinin Lulit në zyrë, dhe që sot i janë bashkuar “foltores” së Saliut. Duke u ndalur paksa te kriza energjitike që po u troket në derë shqiptarëve, vërejmë se Lulzim Basha po bëhet qesharak tek deklaron se “kriza buron nga fakti se Rama është i korruptuar dhe se zgjidhja është ardhja në pushtet e Partisë Demokratike”. Kjo është komike, aq sa edhe e turpshme, sepse kur Sali Berisha dhe Lulzim Basha, ishin në pushtet, nga ARMO deri tek ÇEZ-i, etj, dihet se si u shkoi fati i tyre pas pazareve korruptive. Apo deklarata tjetër qesharake, se “kriza e naftës dhe benzinës dhe çmimi i tyre i lartë, burojnë nga korrupsioni i Ramës dhe oligarkëve”, është sa e pabesueshme aq edhe e turpshme. Dihet se “oligarkët e karburanteve” u fuqizuan qysh nga koha kur në pushtet ishte PD. Ndaj dhe opozita e Lulit ashtu dhe “foltorja” e Saliut janë të pabesueshme.
Opozita e sotme,duhet të japë propozime konkrete për luftën ndaj “oligarkisë dhe monopoleve”, dhe jo të merret me lojëra fjalësh. Shqiptarët nuk besojnë më tek Berisha-Basha, pasi bekimin ja kanë dhënë Edi Ramës, njeriut që bën propozime dhe politika konkrete që zgjidhin hallet e tyre. Kjo opozitë e Bashës, nuk ka alternativë, nuk ofron asgjë ndryshe nga ç’ka ofruar dikur Berisha, veç denoncimeve dhe protestave të dhunshme. Lulzim Basha, nuk ka në plan të distancohet nga Berisha, dhe kjo duket nga mënyra se si menaxhon PD-në. Ai nuk ka mundur dhe nuk mundet të ndërtojë i vetëm, një opozitë të besueshme, frymëzuese, dhe mbi të gjitha “jo-berishiste”, duke mos qenë njeriu i duhur që ka kredibilitetin e duhur për të ringritur Partinë Demokratike. Por që të realizohet kjo, dikush duhet të mbajë përgjegjësi morale dhe politike për shkatërrimin e opozitës, veçanarisht të Partisë Demokratike.
Berisha nga “foltorja”, dhe Basha nga SHQUP-i,pikërisht këtë po mundohen të shmangin, të fshehin, dhe të manipulojnë deri në ushtarin e fundit që do të mbetet pas hijes së tyre.