MENU
klinika

Nga Mero Baze

Kutia e “Pandorës” dhe përfolja e qëllimshme e Fatos Nanos

05.10.2021 - 20:37

Nëse doni të ilustroni një histori të korrupsionit politik në Shqipëri, tenderi i linjës së interkonjeksionit Shqipëri- Kosovë, i nisur qysh në vitin 2011, është një model i përkryer, që mund të jepet leksion në shkolla. Ai i ka të gjithë elementët brenda, babëzinë për të fituar para, injorimin e rëndësisë kombëtare para rëndësisë së sekserëve që të sigurojnë pjesën, pastaj hipokrizinë patriotike duke e përuruar në shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, dhe në fund pas një dekade verifikimin e akuzave.

Historia e asaj kontrate është shembulli se si politika gjunjëzohet nga sekserët, se si shumicat politike janë në dorë të “Pakicave të Arta”, dhe se si patriotizmi është një mburojë për horrat në politikë.

Historia e tenderit

Tenderi i linjës së interkonjeksionit Shqipëri- Kosovë nisi në vitin 2012, pasi banka gjermane KFW kishte garantuar mbulimin e financimit. Në garë mbeten dy kompani rajonale , “Energoinvest” i Bosnjë Hercegovinës, pas së cilës qëndron Damir Fazlliç dhe një nga partnerët e tij të Rudnapit, që ndërkohë ishin bërë zot të tregut energjitik në Shqipëri përmes Berishës, si dhe kompania kroate “Dalekovod”.

Tenderi për linjën u zhvillua në mars të vitit 2011, ku fituese rezultoi kompania kroate ‘Dalekovod’. Por Qeveria shqiptare e bllokoi fillimin e punimeve, duke u shprehur se çmimi i ofruar ishte rreth 8 milionë euro më i lartë se oferta e dytë.

Qeveria tentoi të zëvendësonte fituesin për ta lidhur kontratën me kompaninë boshnjake “Energoinvest”, që hasi bllokadën e KFW-së. Banka gjermane i kërkoi drejtorit të OST-së, Arben Ibro dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, të marrin një vendim përfundimtar nëse do ta pranojnë fituesin e tenderit, ose duhet ta ritenderojë atë.

“Në këtë kontekst do të donim të nënvizonim faktin se nëse Qeveria shqiptare do të vendosë ritenderimin e linjës, kostot e saj do të jenë edhe më të mëdha nga tenderi i parë,” thuhet në letrën e fundit që dy drejtues të lartë të bankës gjermane i dërgojnë ministrit të Financave Bode dhe drejtorit të OST.

Qeveria e Sali Berishës këmbënguli që fitues duhet të ishte kompania boshnjake “Energoinvest”, për shkak të interesave që familja Berisha kishte me ndërmjetësit e kësaj kontrate.

Gazeta Zëri në Kosovë shpërtheu skandalin duke botuar foto të Damir Fazllicit dhe bosit të Rudnapit në Vjenë dhe duke përshkruar kontaktet e tyre me Shkëlzen Berishën, djalin e kryeministrit shqiptar. Ky i fundit i paditi ata për shpifje, por gjykata e Kosovës i dha të drejtë gazetës “Zëri”.

Vendosmëria e Berishës për të mbrojtur klientin e tij boshnjak vazhdoi përmes drejtorit të OST, i cili më parë kishte qenë badigard i Berishës.

Kjo e nervozoi dukshëm palën gjermane, e cila përveç letrave rutinë drejtuar OST, i ka çuar dhe një notë zyrtare Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, ku u tha se përfshihej dhe djali i Berishës.

Kryeministri Berisha, i cili u vu në dijeni për letrën ndërkohë që po nisej për në Bukuresht, bëri ç’është e mundur të prodhojë një lajm fals për gjoja takim me kancelaren Merkel dhe ftesën për të vizituar Shqipërinë, për të fshehur krizën reale që ka ndodhur mes Qeverisë së tij dhe shtetit gjerman.

Në qershor të 2012, banka i bëri të ditur Qeverisë se do të pranonte anulimin e tenderit vetëm nëse plotësoheshin disa kushte, të cilat Qeveria ka dështuar t’i përmbushë.

“Duke shqyrtuar kërkesën tuaj për anulimin e tenderit në lotin 1, ne na vjen keq që na duhet të kundërshtojmë anulimin e tij. Kjo për shkak se agjencitë zbatuese kanë dështuar të japin arsyet e vlefshme për këtë anulim,” thuhet në letrën zyrtare të KFW.

Opozita e Edi Ramës u përfshi në debat dhe Edi Rama e quajti dështimin e tenderit një akt antikombëtar. “Duke parë nga afër të gjithë dokumentacionin, të shpon hundën era e keqe e historisë, ndërsa flamuri kombëtar po ulet në gjysëmshtizë dhe po ngrihet flamuri i korrupsionit“, tha Rama, duke akuzuar Sali Berishën se ka vendosur në krye të OST një badigard të tij.

Historia vazhdoi të zvarritej deri në prag të zgjedhjeve të vitit 2013, kur tenderi u rihap po nga qeveria “Berisha”, pasi u amendua kontrata e konsuelncës për procedurën e ritenderimit më 4 shkurt 2013.

Njoftimi për procedurën e re të tenderimit për këtë projekt u krye më 20 mars të vitit 2013.

Më 11 qershor 2013 është kryer hapja e procedurës së tenderimit, marrja e ofertave dhe hapja e zarfit të postkualifikimit.

Më 9 gusht 2013, pra në kohën kur Berisha kishte humbur pushtetin, por firmoste tendera, është bërë hapja e ofertës teknike, ku është kryer edhe skualifikimi i disa ofertave, duke lënë në lojë kompania Energoinvest.

Kur socialistët erdhën në pushtet së bahsku me LSI, OST ishte në duart e LSI, dhe më 1 nëntor 2013 (kur u hap oferta financiare) u pa se kishte mbetur vetëm kompania Energoinvest.

Më 12 dhjetor 2013 është kryer firmosja e kontratës për Lot 1 me Energoinvest.

Kompania kroate “Dalekovod” do të ndërtonte linjën në pjesën e Kosovës, ndërsa kompania nga Bosnje Hercegovina “Energoinvest” (me pjesën kryesore të kapitalit shtetëror), pas së cilës qëndronte Fazlliç dhe i biri i Berishës, do të ndërtonin pjesën e Shqipërisë.

Ironike ishte se ceremonia e nënshkrimit të kontratave u bë në shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit dhe fytyra pa emocione e Gjiknurit në ceremoni e shpjegon prezencën e tij aty si figurinë.

Kutia e “Pandorës” dhe spekullimi me Fatos Nanon

Sapo në shtypin ndërkombëtar u shfaq emri i kompanisë së konsulencës së këtij tenderi, e cila kishte marrë rreth 4 milionë euro si shpërblim dhe i kishte transferuar në offshore, komentet e para në shtypin shqiptar e lidhën emrin e personit ku ishin transferuar lekët me Fatos Nanon.

Vasil Kallupi është një biznesmen shqiptar, më shumë në fushën e ndërmjetësimit, që i njeh gjithë politikanët shqiptar. Ai jeton në Vjenë dhe zakonisht shfaqet në zyra ministrash për halle të tilla. Është e vërtetë po ashtu që ai e njeh dhe Fatos Nanon, pasi dhe ai banon në Vjenë herë pas here, njësoj si Rahman Selmanllarin.

Por Fatos Nano nuk ka asnjë lidhje me këtë histori. Në vitin 2012- 2013 kur është bërë kjo betejë, Fatos Nano ka qenë njeriu më i parëndësishëm i politikës shqiptare. Siç shikohet qartë nga historia e tenderit, beteja ishte mes Damir Fazlliçit dhe djalit të Berishës nga një anë dhe këmbënguljes gjermane për të mos e fituar ata tenderin.

Duke u tërheq nga financimi i pjesës shqiptare, KFW financoi lotin e Kosovës dhe asistencën teknike ndërsa Berisha futi lekët e buxhetit të shtetit shqiptar për të treguar vendosmërinë për të vjedhur deri në fund.

Ai arriti ta firmosë tenderin para se të dilte nga zyra, dhe i la pjesën e ofertës teknike OST, drejtuar nga Ilir Meta në dy muajt e parë të pushtetit të Edi Ramës, i cili po ashtu e kishte harruar “uljen e flamurit kombëtar” nga ky pazar dhe ia kishte besuar OST-në si plaçkë lufte Ilir Metës, për aleancën e 1 prillit.

Gjithçka në këtë histori është një histori që vërtitet mes Sali Berishës dhe Ilir Metës. Nuk di nëse e kanë ndarë në rregull pjesën e konsulencës apo nëse ndërmjetësi është treguar i drejtë me ta, por Fatos Nano nuk ka lidhje në atë histori.

I vetmi që i ka soditur nga larg është Edi Rama, i cili në fakt ka pas pak shanse të ndalte Metën të vazhdonte veprën e nisur bashkë me Berishën, por dhe shumë ka pasur dëshirë ta shikonte të kënaqur ato kohë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Deklarata e ish-komandantit të lartë të NATO-s

“Administrata Biden do t’i kushtojë vëmendje Ballkanit”