MENU
klinika

Viti 1961: tensioni Tiranë-Moskë

”…Librin e marksizmit, t’ia mësojë Enver Hoxhës”

11.10.2021 - 11:47

          Pjesa e trembëdhjetë

Publikohen disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret”, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) të cilat i përkasin vitit 1961 dhe janë pjesë e një dosje voluminoze me letra, raporte, informacione, relacione, udhëzime, peticione, etj., ku bëhet fjalë për fillimin e kontradiktave dhe prishjen e marrëdhënieve të Tiranës zyrtare me Bashkimin Sovjetik, çfarë u ndie shumë te studentët shqiptarë që asokohe ndodheshin me studime në shkollat dhe universitetet e Bashkimin Sovjetik, të cilët, sipas urdhrit të marrë nga Tirana, i ndërprenë studimet dhe prisnin udhëzimet për t’u kthyer në Shqipëri. Dosja e plotë e studentëve shqiptarë në ish-Bashkimin Sovjetik, ku pjesa më e madhe e tyre, kryesisht ata që vazhdonin Akademitë Ushtarake, Shkollën e Lartë të Sigurimit të Shtetit, Policisë, Kufirit, Drejtësisë, etj., patën probleme të mëdha dhe u ndeshën me peripeci të shumta me autoritetet zyrtare ruse, duke u vënë deri në masën e arrestit si dhe ndërhyrja e atasheut ushtarak shqiptar në Moskë, gjeneral-major Halim Ramohito, për zhbllokimin e situatës dhe kthimin e studentëve ushtarakë shqiptarë në atdhe.

Nga: Dashnor Kaloçi

Vijon nga numri i kaluar

R e l a c i o n

Mbi bisedat e zhvilluara nga grupi i oficerëve të Sigurimit të Shtetit që studiojnë në Leningrad.

Në nëntor të vitit 1960, Sekretari i Komsomolit të Shkollës i quajtur Cut, duke parë Kapiten Binak Pacin që po studionte librin e marksizmit, i thotë që ta studiojë mirë marksizmin, që kur ky të shkojë në Tiranë, t’ia mësojë këtë lëndë Enver Hoxhës, i cili nuk merr vesh fare nga kjo punë.

Binaku, i përgjigjet duke i thënë se: Enver Hoxha ka tre universitete, ai është themeluesi dhe udhëheqësi i shquar i PPSH-së, ndërsa ju keni Hrushovin, që ka mbaruar dy shkolla teknike dhe merr vesh vetëm nga misri.

Lidhur me këtë çështje, Sekretari i Organizatës Bazë dhe Përgjegjësi i Grupit, protestuan pranë Sekretarit të Komitetit të shkollës, Major Krasheninkov dhe kërkuan që karshi tij të merren masa. Majori, premtoi që do ta shikonte këtë çështje dhe se ndaj tij do të merreshin masa, por nuk e zuri më me gojë këtë punë.

Shpesh herë janë bërë biseda me profesoreshën e marksizmit, Maria Sidorovën. Këto biseda kryesisht kanë lindur nëpër seminare dhe me kërkesën e saj jashtë seminareve. Kështu p.sh., në muajin mars kur Thimio Laçi ka shkuar në kabinetin e saj për konsultim, ajo e drejtoi bisedën mbi kontradiktat dhe marrëdhëniet midis partive tona.

Në përgjigje të pyetje të Thimios, mbi çështjen e kredive dhe bukës, si dhe mbi luftën kundër revizionizmit, ajo është përgjigjur se: Në pikën e parë, është e pabesueshme, ndërsa për pikën e dytë, partia jonë nuk e ka aq problem siç e ka partia juaj. Se gjoja partia jonë, në luftën kundër revizionizmit jugosllav, niset nga pozita nacionaliste, sidomos për çështjen e Kosovës.

Thimio, i shpjegoi se: partia jonë në luftën kundër revizionistëve nuk niset nga pozitat nacionaliste, por nga ‘Deklarata e Moskës’, të cilat i ka zbatuar dhe po i zbaton me vendosmëri.

Një diskutim i ashpër ka ndodhur në seminar, ku po trajtohej tema mbi “tiparet e shteteve dhe format e organizimit të tyre”. Në diskutimin që bëri Andrea Ligori, përmendi se në botën e sotme, ekzistojnë shtete që nga forma janë republika, por nga forma e drejtimin, përdorin metoda fashiste siç është për shembull Republika e Bashkuar Arabe e Egjiptit, dhe Jugosllavia, në të cilat nuk ekziston liria dhe demokracia.

Në përgjigje, Maria Sidorova i hedh poshtë këto fjalë, duke i konsideruar gabim politik, pasi në Jugosllavi, tani për tani po punohet për ndërtimin e socializmit, paçka se në këtë vend ka shumë gabime.

Në përgjigje të kësaj, Andrea dhe shokët e tjerë, i thanë se shpjegimi juaj nuk është mbi baza marksiste, nuk i përgjigjet ‘Deklaratës së Moskës’, dhe se në shumë raste politika e Kremlinit zyrtar shkon drejt së djathtës oportuniste. Në këtë kohë, ajo më përgjigjet me nerva, se ju nuk keni të drejtë të kritikoni Bashkimin Sovjetik, se ju ndodheni në territorin e këtij shteti, dhe se duhet të kemi respekt për këtë, se ju nuk e zotëroni marksizmin, se shumë prej jush këtu i morën mësimet e para, se partinë tuaj e kritikon shtypi i vendeve të tjera socialiste, etj.

Njëkohësisht, ajo bëri vërejtjen që nëpër seminare tu përmbahemi temave dhe mbas seminarit, ajo përhapi në të gjithë shkollën se shqiptarët e konsiderojnë Jugosllavinë dhe Egjiptin, si shtete fashiste, duke shtrembëruar realitetin. Të nesërmen, kur neve kishim seminar, ajo i tha Andreas, që të përgatitej që të fliste ato që kishim folur një ditë më parë.

Kur ai përsëriti të njëjtat gjëra, profesoresha i tha se: jam dakord me ty, që në disa shtete ka forma fashiste, si p.sh. Egjipti, por Jugosllavinë nuk e zuri me gojë.

Një ditë, Përgjegjësi i Grupit dhe Sekretari i Organizatës Bazë, në një takim që pati me Komandantin e Shkollës, ku midis të tjerash filloi bisedën rreth çështjeve politike. Ai, na këshilloi, që neve jemi komunistë të thjeshtë dhe se nuk duhet të merremi me çështje politike, dhe se nuk ishin pozitive bisedat për këto gjëra nëpër seminare.

Atëherë Andrea dhe Thimio, i kanë thënë se komunistët nuk duhet të qëndrojnë indiferentë dhe se ata duhet të dinë gjithçka dhe të gjykojnë se kush ka të drejtë e kush jo. Ata, vazhduan t’i shpjegojnë rrugën oportuniste të qeverisë së tyre, e cila është në kundërshtim me ‘Deklaratën e Moskës’.

Pastaj, i morën të gjitha presionet politike dhe ekonomike të përdorura nga Hrushovi karshi partisë dhe vendit tonë. Sidomos, kur u përmend çështja e bukës dhe biseda e Hrushovit me Venizellosin. Ai, ngriti supet në shenjë habie dhe tha që: “dreqi e merr vesh këtë punë”.

Vlen për t’u përmendur, se i gjithë kuadri me përgjegjësi i shkollës, në bisedat me ne kanë deklaruar se: ne jemi komunistë të thjeshtë dhe se nuk duhet të merremi me biseda të karakterit politik. Ata, kërkonim të dinin se nga ishim kaq të informuar neve për këto gjëra dhe se atyre nuk i thuheshin këto informacione.

Përgjigja jonë në të gjitha rastet, ka qenë kjo: se partia jonë na informon gjithmonë për të drejtën dhe nuk na fsheh asgjë. Kurse udhëheqja juaj duket se ka frikë nga e vërteta dhe nuk ju thotë juve asgjë mbi këto çështje. Nga fillimi i marsit në shkollë u organizua një konferencë teorike mbi ‘Deklaratën e Moskës’. Për këtë disa ditë më parë, u ngarkuan disa oficerë që të përgatiteshin për çështje të veçanta të deklaratës.

Grupin tonë e ngarkuan, që të përgatitej mbi luftën që partia jonë po bën kundër revizionizmit. Një ditë më parë profesoresha e marksizmit kërkoi të dëgjonte referatin tonë, dhe pasi e studioj atë me vëmendje, bëri disa vërejtje për ta ndryshuar atë në disa pika.

Lidhur me revizionizmin, të flitet në përgjithësi dhe jo kundër atij jugosllav në veçanti. Të hiqej shprehja ku citohej se: partia jonë pranon ndershmërisht kritikat që i bëjnë partitë e tjera dhe njëkohësisht ajo i kritikon ato mbi baza marksiste, pavarësisht divergjencave që ekzistojnë.

Ne, nuk pranuam që t’i heqim këto gjëra, duke i shpjeguar se: partia jonë, lufton kundër revizionizmit në përgjithësi dhe kundër atij jugosllav në veçanti, se kështu na mëson ‘Deklarata e Moskës’.

Për sa i përket çështjes së dytë, i thamë se: ju na ngarkuat që të përgatitemi për revizionizmin dhe jo për dogmatizmin. Për çështjen e tretë, ju thamë se: koha do ta tregojë që sulmet tuaja karshi nesh janë të gabuara dhe se ato do të dështojnë.

Profesoresha u alarmua për këto gjëra dhe na tha që në asnjë mënyrë nuk do t’ju lejojmë që të shfrytëzoni podiumin e konferencës, për qëllimet tuaja. Por më vonë, ndryshoi qëndrim dhe na lejuan. Në fund referati jonë, u duartrokit gjatë nga të pranishmit të cilët na uruan përzemërsisht për këtë përgatitje.

Në muajin shkurt të këtij viti, në Organizatën e Partisë në Shkollë, u punua një letër e mbyllur. Një oficer gjeorgjian i cili gjithmonë ka qenë pro nesh, i tha Koço Bitrit, se në këtë mbledhje u tha se: Partia e Punës së Shqipërisë dhe Partia Komuniste e Kinës, janë dogmatike.

Atëherë Koçoja, në prezencën e disa oficerëve të tjerë, u shpjegon atyre kronologjinë e mosmarrëveshjeve që nga Mbledhja e Bukureshtit, e deri në ditët e sotme. Ata, u habitën dhe i deklaruan se partia e tyre, nuk i informon për këto gjëra dhe filluan të shanin Hrushovin.

Veçanërisht gjatë periudhës së fundit, biseda të kësaj natyre ishin më të shpeshta. Neve, duke e ditur se ata ishin të dezinformuar, i kemi sqaruar për këto çështje. Nga këto biseda doli qartë se një pjesë e oficerëve dhe kursantëve, druheshin për t’i shfaqur hapur mendimet e tyre. Ndërsa pjesa tjetër, shprehej pro nesh.

Përjashtimi i Andrea Ligorit nga shkolla, bëri përshtypje të madhe, sepse ai ishte një nga studentët më të mirë dhe më të dalluar të shkollës, pasi ishte dhe në tabelën e nderit. Përjashtimin e tij, e cilësuan si të padrejtë dhe shumë prej tyre u bindën për argumentet tona.

Mbas përjashtimit të Andreas nga shkolla Organizata Bazë, protestoi tek Komandanti i Shkollës duke i thënë se kjo ishte një cënim i rëndë i marrëdhënieve midis vendeve socialiste. Sekretari i Komitetit të Partisë në shkollë, na u përgjigj se nuk dinte asgjë rreth kësaj çështjeje.

Në lidhje me këtë, u tha se dhe telegrami i formuluar nga Komandanti i Shkollës, Kolonel Tavstuha, dërguar nga Moska, mund të jetë i gabuar. Shtojmë se në momentin kur përcillnim Andrean për në stacionin e trenit, ai na shtoi, se: mua si komunist dhe si njeri, nuk më ka mbetur gjë tjetër, veçse të mbyll gojën.

Mbas ndërprerjes së mësimit dhe mbas urdhrit të ambasadës, kërkuam që sipas rregullave, sa më shpejt të bënim shkëputjen nga këtu dhe të niseshim për në Moskë. Por nga ana e komandës së shkollës, na u përgjigjën që: përderisa nuk kemi një urdhër të tillë për ju, nuk mund të veprojmë në këtë mënyrë.

Pas dy ditë pritjesh, në 12.6.1961, Koço Bitri u paraqit tek Komandanti i Shkollës, të cilit i kërkon likuidimin e llogarisë dhe biletat e udhëtimit. Ai, i përgjigjet se masa e qeverisë suaj për largimin tuaj është i padrejtë dhe ju mund të vazhdoni rregullisht mësimet.

Ndërsa Koço, i thotë që: e padrejtë është vendimi i qeverisë suaj për të përjashtuar nga Shkollat e Sigurimit të Shtetit 5 shokët tanë.

Komandanti, sheh i habitur dhe i thotë Koços se: nga e more vesh ti, që përveç Andreas, ishin përjashtuar dhe 4 shokë shqiptarë të tjerë?! Më në fund ai, u shpreh se: përjashtimi i Andreas nuk ishte urdhër i tij, por urdhër nga lart.

Ndërsa për likuidimin e llogarisë dhe prerjen e biletave, ai tha që: unë nuk mund të bëj asgjë, pasi nuk kam urdhër për këtë punë. Por meqë është vendimi i qeverisë suaj, ju mund të largoheni vetë kur të doni. Dhe kështu nga ana e shkollës nuk u tregua asnjë interesim për largimin tonë.

Vlen të theksohet qëndrimi dhe kujdesi i madh i profesoreshës së gjuhës ruse, Vera Petrovës, e cila gjatë gjithë kohës ka qenë shumë e sjellshme me ne dhe ka bërë të gjitha përpjekjet që të përfitonim sa më shumë dije. Kur ajo, mori vesh për largimin tone, është indinjuar pa masë dhe e quajti të padrejtë largimin e Andreas, dhe qëndrimin e Komandës së Shkollës karshi nesh.

Ditën e nisjes sonë, duke e ditur se neve na mungonin paratë për të prerë biletat e trenit, ajo merr të holla borxh dhe na i jep neve. Por ne me mirësjellje nuk i pranuam. Gjatë gjithë kohës ajo ka qenë me ne, dhe në momentin e ndarjes ka qarë si fëmijë, duke na u lutur t’i dërgonim telegram për mbërritjen tonë./Memorie.al

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!

Flet “ikona” e lajmeve në RTSH

Si u pushtua televizioni pas vrasjes së Azemit!