MENU
klinika

Çfarë është Squid Game?

Loja e rrezikshme tërheq personat e zhytur në borxhe

03.10.2021 - 22:07

Squid Game, seriali më i famshëm i momentit nga Netflix, pritet të kalojë shumë shpejt edhe popullaritetin e Bridegerton. Dramë, horror dhe thriller i dhunshëm mbijetese.. në parqe lojrash për fëmijë.

Seriali hapet me përshkrimin e një loje fëmijësh tepër të përhapur në Kore dhe vijon me pasqyrimin e jetesës së veshtirë financiare të disa individëve, të cilëve u ofrohet nga një i panjohur pjesëmarrja në një lojë ku mund të fitojnë një shumë marramendëse parash. Loja misterioze tërheq 456 persona, të cilët kanë një të përbashkët: borxhe dhe vështirësi ekonomike. Ata rrezikojnë jetët e tyre për të fituar çimin prej 38.7 milion dollarësh.

Por, çfarë e bën tërheqëse Squid Game?
456 lojtarët, dërgohen në mënyrë të pavetëdijshme në një ishull të shkretë dhe sendet personale u merren të gjitha. Ata zgjohen për ta parë veten në një sallë të madhe me shtretër, të veshur të gjithë në një uniformë, duke mbajtur secili një numër përkatës. Një grup njerëzish të maskuar nga koka tek këmbët, hyjnë në sallë për t’i njohur me rregullat e lojës, ku edhe u tregojnë se dinë çdo gjë për secilin prej tyre. Ata pranojnë të nisin fazën e parë të lojës, por pa ditur se do të luajnë lojëra të thjeshta fëmijësh në të cilat, gabimi më i vogel dhe eleminimi nënkuptojnë vdekje të menjëhershme. Ndërthurja e lojrave të pafajshme fëminore me dhunën dhe vrasjen e pamëshirshme, ka rrëmbyer vëmendjen e shikuesve dhe tërë rrjeteve sociale.

“Njërëzit tërhiqen nga ironia se të rriturit e pashpresë mund të rrezikojnë jetën e tyre për të fituar lojra fëmijësh”, tha një një intervistë krijuesi i serialit, Hwang Dong-hyuk.

Squid Game është krahasuar me filmin po Korean fitues të çmimit Oscar 2019, Parasite. Tematika e të dy veprave janë varfëria dhe pasuria esktreme e shtresave shoqërore dhe ndikimi i këtyre dy fenomeneve në jetën e tyre të përditshme. Pamundësia e përmbushjes së nevojave minimale të jetesës, i bën të varfërit lodra argëtimi të jetës së merzitshme të të pasurve. Seriali vë në pah se si paraja mund të blejë lehtësisht logjikën, dinjitetin, moralin dhe ndërgjegjen e njerëzve të dëshpëruar e në nevojë dhe në mënyrë brutale tregon se si mund të konsumojë të pushtetshmit deri në atë pikë sa asgjë nuk i argëton më, duke kërkuar kështu emocionet në vënien e basteve mbi jetën e njerëzve.