MENU
klinika

"Shtëpijakëzim i tyre"

Lubonja: Strategjia e Ramës është eliminimi i opozitës!

14.10.2021 - 22:59

Analisti, Fatos Lubonja në emisionin “Real Story” u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha është problem i kryeministrit Edi Rama dhe jo një problem i amerikanëve.

Gjatë bisedës në studio, Lubonja theksoi se Rama ka ndjekur strategjinë e dobësimit të opozitës, duke shtuar se i intereson një opozitë fasadë dhe e dobësuar për të qëndruar në pushtet.

“Unë gjykoj që problemin me Sali Berishën dhe me Lulzim Bashën ka Edi Rama sepse në strategjinë e tij prej kohësh ai punon për eliminimin e opozitës, ose për atë që quhet ndryshe shtëpijakëzim i opozitës “kthim në kafshë shtëpiake”, pra “i zbutur”.

Rama e ka thënë vazhdimisht bashkëpuno, sillu mirë që të bashkëqeverisim, mos u bëj si Saliu. Çfarë do të thotë mos u bëj si Saliu? Pra i duhet një opozitë fasadë, sa më e dobët dhe për këtë strategjia ka qenë e vjetër, hiq Ilir Metën, hiq Sali Berishën dhe mbaruan të dyja. Kjo është e gjithë logjika. A është pas Edi Rama apo jo? Po, sigurisht që është sepse ai shitet si njeriu i mirë që ka gjetur dy të vjetër, të korruptuar dhe Rama këtë pozicion ka mbajtur me ndërkombëtarët”, tha Lubonja.

Ndërsa, drejtori i ‘News24’ Robert Rakipllari deklaroi se sot ish-kryeministrin Sali Berisha, nuk e bën më të fortë opozitën.

Rakipllari tha se Berisha është një alibi që kryeministri Edi Rama të qëndrojë në pushtet.

“Qenia e Sali Berishës në opozitë nuk e bën opozitën më të fortë, por më të dobët. S’ka kuptim më që Berisha të jetë më në opozitë. Ai sot  është alibi  që Rama të qëndrojë akoma më shumë në pushtet. Berisha është problem amerikan sepse më parë kishin vetëm një alternativë në Shqipëri. Kishin vetëm Ramën, ndërsa tani kanë edhe Bashën. Unë besoj që interesat e amerikanëve përputhen me interesat e shqiptarëve, pra sa më shumë të ndërhyjnë amerikanët këtu aq më mirë është, tha më tej Rakipllari.