Përveç aktivitetit të tij jo shumë të qartë si jurist i UNMIK-ut në Kosovë, Lulzim Basha, si jurist, gjatë aktivitetit të tij politik në Shqipëri nuk ka firmosur ndonjë reformë apo hartuar ndonjë ligj. Të paktën deri tani, edhe pse ka një diplomë të një universiteti prestigjoz në xhep për ligj, si ai i Utrechtit.
Megjithatë, dje shpalli se PD do të dërgojë në Parlament dy nisma të mëdha, siç është ajo për “vettingun e politikës dhe atë të reformës territoriale”.
Dy tema të rëndësishme, të forta dhe që në publik japin atë boom-in se kushedi çfarë janë, por që nuk ka asnjë indicie apo një vizatim në vija të trasha se çfarë përfaqësojnë këto reforma “të mëdha”.
Ndaj në këtë rast që një vëzhguesi i bie që të vendosë në punë imagjinatën e të gjejë pika takimi e modele, në të shkuarën e të sotmen e modeleve që vetë Dr.Basha ju propozoi shqiptarëve.
“Vettingu i politikës”! Fjalë e madhe dhe realisht me një fuqi që ka consensus të gjerë në publik, pasi merr shkas nga vetting në drejtësi (të cilin PD në fillim e kundërshtoi po nejse iku vate ajo punë).
Vettingu i gjyqtarëve e prokurorëve, nuk se erdhi nga shkretëtira, edhe pse shumë “doktorë e profesorë” thonë se Shqipëria ishte e para që e praktikoi. Është mo ta mo, modeli i rekrutimit të zyrtarëve të FBI, të cilëve u kontrollohet pasuria dhe sjellja e tyre në publik.
Plus kësaj, për ta konkretizuar vettingun, në rastin e drejtësisë u atashua një grup ekspertësh të nivelit të lartë, madje shumë të lartë nga SHBA e vendet e BE-së, të cilët kanë vigjëluar e inspektuar pasuritë e hapura e të fshehura të gjyqtarëve e prokurorëve.
E si rezultat kemi parë që kanë kaluar në vrimën e gjilpërës pasuri të tundshme e të patundshme, të deklaruar e padeklaruar, me një process shumë të bujshëm. Që ka dhënë rezultat të fortë.
Po cili është modeli i vettingut në politikë? Ne sot kemi një strukturë si ILDKPKI ku vetëdeklarohen pasuritë e politikanëve, e si rregull ky institucion duhet t’i vërtetojë. Që nëse gjen probleme duhet t’i çojë në SPAK.
Po për politikanët si do të veprohet? Do të ngrihet një OMN që të vendosë në filtër të gjithë krerët e politikës shqiptare, sin ë pasuri, ashtu edhe në lidhjet që ata kanë me qarqe të krimit, duke marrë raportet e DSIK siç veprohet me gjyqtarët?
Do të bëhet për politikanët që janë në Parlament apo institucione, apo për ata që do të zgjidhen? Do të vendoset moratorium si me gjyqtarët e prokurorët që kush nuk i plotëson kriteret të dorëhiqen. Se ka ca politikanë që jetojnë në apartamente të shtrenjta, vila të shtrenjta në Tiranë, bregdet numër 1, bregdet numër 2, malore, por që kanë edhe apartamente që i japin me qira. Disa kanë edhe biznese.
Madje thuhet se ka shumë që kanë apartamente që i japin në qira, po i kanë në emra të ndryshëm. Si do të jetë ky vetting? Pasi njerëzit presin që këtë punë ta bëjë BKH e SPAK, pasi politikanët duhet të hetohen nga prokurorët që janë zgjedhur pas kalimit të vettingut.
E kjo klauzolë është në fakt vettingu real i politikanëve. Sepse nëse prokurori e gjyqtari i pakompromentuar kalon vettingun, aim und të hetojë zyrtarin që ka abuzuar me pushtetin. Për këtë lindi edhe reforma në drejtësi edhe vettingu.
Aa nëse Zoti Basha flet për lidhjet e politikanëve me krimin, duhet të kujtojë se ai në vitin 2015 ka arritur të miratojë ligjin e dekriminalizimit. Një ligj që është sitë e hollë e lidhjeve të një zyrtari apo politikani të rëndësishëm. Nejse këto janë teza, pasi juristi Basha nuk ka dhënë ende ekstraktin e vettingut të tij në politikë.
Por pjesa tjetër është reforma territoriale. Ndarja aktuale administrative është kundërshtuar nga PD, pasi konsiderohet si ndarje që favorizon PS. Shqipëria është ndarë në 61 bashki, që nga reforma e vitit 2014.
Përpara kësaj ndarjeje, Shqipëria kishte 12 qarqe, të ndarë në 65 bashki dhe 309 komuna.Të cilat u vendosën në vitin 2000. Deri në 1991 Shqipëria kishte 250 zona zgjedhore që ishin në fakt edhe zona administrative në qytete e fshatra.
Por ndarja u bë sipas një logjike krejt të palogjikshme që ngriti natyrisht edhe një klasë të re “feudale”. Kjo ndarje administrative nuk përputhej me ndarjen tradicionale të vendit si historike, si gjeografike, por edhe të zonave të vjetra ekonomike e territoriale.
Logjika e 250 zonave në komunizëm i përgjigjej këshillave të bashkuar, që ishin organe jo përhershme, pasi vendi ndahej në rrethe e në rajone. Para komunizmit, njësitë territorial ishin më të vogla, e në kohët e mëparshme edhe më pak. Po cili është vizioni i PD-së, që kundështron ndarjen e 61 bashkive gjeografike, ku një pjesë natyrisht janë artifice si për shembull ato të zonave të minoritetit.
Ta nisim nga lart. Shkodra sot është një Bashki, Malësia e Madhe një bashki,, Puka e Fusharrësi një. Nëse do të kishte një ndarje normale është që Puka e Fusharrësi të bëhen një që të fuqizohen si njësi ekonomike. Por që të prodhosh ndarje të tjera të- ish komunave s’ja vlen.
Madje nëse duhet një reform, është edhe që Vau i Dejës që ka në gjirin e tij Bushatin e Barbullushin, pra Nënshkodrën, të jenë pjesë e Shkodrës siç kanë qenë brez pas brezi. Kukësi: si qark ka Kukësin e Tropojën si Bashki.
Të bëhet edhe Hasi? OK po më i fortë është me Kukësin, apo të bashkohet me Tropojën që ka më afërsi, por jo të krijohen entitete. Dibra? Dibër, Bulqizë, Mat mjaftojnë. Madje mund të bëhen edhe dy Dibër edhe Mat.
Kurbini? Laç, Milot, Mamurras? Normale. Lezha në vete e Rrëshëni me Rubikun e Kurbneshin në vete. Ç’do njësi e re vetëm e bën më të dobët çdo njësi.
Kështu mund të vijohet me Durrësin, Tiranën, Elbasanin etj.
Lulzim Basha deri tani ka vetëm pakënaqësi por jo ide, të paktën nuk e ka sjellë në public si e do ndarjen. Do të heqë qarqet? Shumë mirë? Po të paktën ta dimë.
Sepse sot ne po bëjmë një variacon mbi temën. Se ka mjaft në PD që thonë që Pogradeci s’duhet të ketë një bashki e Kolonja të ketë dy së bashku me Leskovikun. Por këto thjesht do të kenë një rrogë më shumë për administratën por jo njësi eficente.
Një farë perandorie Shqipërinë e ndau në 5 vilajete, që u kthyen në fuqi ekonomike. Që në fakt ishin rajonet e Romës dhe Bizantit të Lashtë e jo shpikje e saj…