MENU
klinika

Mjekët ligjorë shuajnë dyshimet

Çfarë konstatuan ekspertët në trupin e Aldi Ramës?

07.10.2021 - 12:56

Ekspertiza mjekoligjore u ka dhënë fund spekulimeve nëse 21-vjeçari Aldi Rama, djaloshi që vrau oficerin e krimeve në Policinë e Lezhës Saimir Hoxha, është vetëvrarë apo vrarë nga forcat RENEA.

Mjekët në Tiranë kanë kryer autopsinë e të riut 21-vjeçar, raport i cili është përcjellë në Prokurorinë e Lezhës, nga ku rezultoi se vdekja e Ramës ka ardhur si pasojë e një plage të shkaktuar me armë zjarri, duke i sjellë shembjen e trurit dhe përhapjen e hemorragjisë. Ekspertët thonë se në kokën e viktimës janë konstatuar dy plagë, njëra hyrëse dhe tjetra dalëse, duke krijuar një formë tubi në kafkën e 21- vjeçarit.

Më tej mjekët pasqyrojnë se në pjesën hyrëse të plumbit vërehet një plagë e gjerë e shoqëruar me djegien e lëkurës. Rreth e qark plagës janë konstatuar prani e faktorëve plotësues të qitjes, siç janë grimcat e barutit. Goditja është kryer me puthitje në pjesën e tëmthit të kokës, nga e djathta në të majtë, duke i shkaktuar vdekjen.

Me këtë raport vlerësimi të ekspertizës së autopsisë dhe me gjetjen e armës së zjarrit pranë trupit të Aldi Ramës, gëzhojës dhe një aparati telefonik, grupi i hetimit ka krijuar bindjen e fortë se 21-vjeçari Aldi Rama nuk është qëlluar nga forcat RENEA që i ishin vënë në ndjekje, por ka vrarë veten.

EKSPERTIZAT E TJERA

Tashmë Prokuroria e Lezhës është në pritje të dy ekspertizave të tjera, si ajo e balistikës së armës tip “TT” që mbahej nga autori i vrasjes së policit dhe ekspertizës së gjurmëve të gishtave që janë konstatuar në pistoletë. Me vdekjen e Aldi Ramës sigurisht që në ditët në vijim Prokuroria e Lezhës pritet të marrë vendimin e pushimit të kësaj çështjeje. Gjithashtu me vdekjen e 21-vjeçarit pushohet edhe çështja tjetër penale e tij, ajo e “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, ku Rama ishte arrestuar në tetor 2020 dhe liruar në “Arrest shtëpie” në 6 maj 2021 për 30 doza me lëndë kanabis sativa. Aldi Rama ndodhej në masën e “Arrestit në shtëpi”, por kjo gjë nuk e pengoi atë të lëvizte lirshëm në rrugët e qytetit të Lezhës dhe zonës së Shëngjinit, deri sa në paraditen e datës 28 shtator 2021 ekzekutoi me dy plumba punonjësin e Policisë Saimir Hoxha.

NGJARJA

Efektivi i Policisë, Saimir Hoxha, mbeti i vrarë paraditen e 29 shtatorit në Ishull Lezhë, pasi u qëllua me dy plumba në kraharor nga 21- vjeçari Aldi Rama. Ngjarja ndodhi kur grupi i efektivëve ishte kthyer nga asgjësimi i një parcele me kanabis në këtë zonë, dhe pasi kanë pikasur një automjet të dyshimtë ku ndodheshin tre të rinj, u kanë bërë thirrje që të dorëzohen. Ndërsa dy të tjerët janë dorëzuar, 21-vjeçari u ka deklaruar oficerëve se nuk ishte për t’u kontrolluar. Më pas ai ka nxjerrë armën e zjarrit pistoletë tip “TT” dhe ka qëlluar me dy plumba oficerin e Policisë Saimir Hoxha, i cili ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital.

Pas krimit të rëndë, 21- vjeçari ka marrë drejtimin e automjetit dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. “Pas disa orësh ndjekje të autorit, duke përdorur dronë, qentë e kërkimit, si dhe helikopterin, është bërë i mundur lokalizmi i vendit ku fshihej autori i dyshuar i ngjarjes dhe konkretisht në afërsi të argjinaturës në Lagunën e Vainit”, sqaroi Policia. Referuar dosjes hetimore thuhet se Armando Marku dhe Kristjan Sherri ditën e ngjarjes kanë qenë duke pirë kafe në Lezhë dhe me Aldi Ramëm kishin shkuar për të konsumuar lëndë narkotike në zonën e Vainit.

Menjëherë pas ngjarjes Kristjan Sherri, ka njoftuar nënën e tij, duke deklaruar se po i vrisnin, referuar të shtënave nga dy efektivet e tjerë të policisë. Ka qenë nëna e të riut e cila ka njoftuar sallën operative të policisë të Lezhës, duke vënë në lëvizje këta të fundit.