MENU
klinika

Problematikat

Mungon transporti për nxënësit, Ministrja Kushi mbledh kryetarët e bashkive

25.10.2021 - 22:13

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka njoftuar sot se do të zhvillojë një takim me të gjithë kryebashkiakët, për problematikat që lidhen me arsimimin në zonat që ata drejtojnë. Një ndër to ka të bëjë me ndjekjen e shkollës nga nxënësit që jetojnë në zonat e thella rurale.

Këto problematika janë ngritur sot në Kuvend dhe nga deputetët e opozitës, të cilët kanë thënë se në zonat e tyre fëmijët nuk shkojnë dot në shkollë sepse mungojnë mjetet e transportit.

“Doja t’i falënderoj deputetët që ngrenë shqetësimin e transportit dhe të pamundësisë që kanë për fat të keq disa nxënës në zona të ndryshme të Shqipërisë, sidomos zona periferike, për të shkuar në shkollë.

Edhe për ne është një shqetësim shumë i madh dhe iu siguroj që ne e kemi ndjeshmërinë maksimale dhe po merremi me këtë çështje. Madje nesër në orën 11 ne kemi organizuar një takim me të gjithë kryebashkiakët këtu në Tiranë, ku një ndër pikat që do të trajtojmë është pikërisht transporti i nxënësve”, është shprehur ministrja Kushi.