MENU
klinika

Grabitja në vilën e biznesmenit në Fushë-Krujë

Nazmi Çangu: U zgjova me kallashnikovin tek koka!

25.10.2021 - 14:12

Me fraktura të shumta në fytyrë dhe trup, biznesmeni Nazmi Çangu ka rrëfyer nga spitali dhunën që është ushtruar ndaj tij.

Ai pretendon se në grabitjen e pazakontë të familjes kanë qenë të paktën 10 persona të maskuar dhe disa prej tyre kanë qenë të armatosur me kallashnikovë.

Babai i katër fëmijëve shprehet se ishte duke fjetur së bashku me familjen në banesën e tij në fshatin Nikël të FushëKrujës, kur në orë 1 të natës kanë hyrë persona të armatosur, e kanë lidhur dhe më pas e kanë gjuajtur me qytën e armës, duke kërkuar çelësin e kasafortës.

Ai tha se autorët i kanë prerë edhe gishtin dhe i kanë shkaktuar plagë të shumta në trup dhe në fytyrë.

Nazmi, si ndiheni pas asaj nate të vështirë që përjetuat ju dhe familja juaj?

Si mund të ndihem: i rrënuar fizikisht dhe psikologjikisht. Nuk është e pakët të të futen në shtëpi në mes të natës dhjetë persona me armë dhe të maskuar dhe të ushtrojnë terror. Nuk di çfarë të them, jemi të traumatizuar si familje.

Mund të na rrëfeni ngjarjen?

Nuk e mbaj mend orën sa ka qenë, ishim për një darkë me familjen dhe kemi ardhur rreth orës 11 të darkës. Rreth orës 2 më kanë ardhur 2 vetë në krevat, isha në gjumë dhe më tha ‘Policia e Shtetit’, i hapa sytë dhe kur m’u ul njëri kishte një xhup të zi si një xhup polici dhe tjetri kishte një triko dhe i thashë: Çfarë Policie jeni ju. Pastaj më vunë automatikun, më gjuajtën sa deshën, u përlesha me dy, më prenë gishtin dhe më kërkuan çelësin e kasafortës, kishin mbyllur brenda edhe kalamajtë. Më goditën në shqelm fytyrën, i kërkova ujë dhe më dhanë sepse m’u tha fyti nga gjaku.

Çfarë të kërkonin? Cili ishte synimi i tyre?

Kërkonin çelësin e kasafortës që kisha në dhomën e gjumit. Unë refuzova t’ua jepja. Njëri hipi te rafti, gjeti një qese që kishte 8 mijë euro, aty mori edhe çelësat, ku ishin edhe çelësat e kasafortës. Kishte dhe një kaçavidë, e hapën dhe morën çfarë deshën.

Sa persona mendoni se morën pjesë në këtë grabitje?

Kanë qenë 10 vetë. Më thanë jemi 10 vetë, të kemi rrethuar shtëpinë. Edhe familjarët i kanë keqtrajtuar, të gjithë. Tre ishin në dhomën e gjumit ku ndodhesha unë dhe tre të tjerë te dhoma tjetër mbanin bashkëshorten dhe katër fëmijët. Disa ishin përjashta.

Çfarë ndodhi më pas pasi hapën kasafortën?

Morën gjithçka ndodhej brenda saj. Afro 100 mijë euro në valutë dhe sende me vlerë dhe më pas u larguan me shpejtësi. Unë nga dhimbjet isha mbuluar nga gjaku dhe ndodhesha thuajse në gjendje të fikti. Më gjetën fëmijët të shtrirë.

Me çfarë biznesi merreni ju?

Nga 1993-2007 kam punuar në Policinë e Shtetit dhe pastaj në Policinë e Durrësit. Më pas më hoqën për punë partie. Tani merrem me agroturizëm. Kam shkolluar fëmijët me djersë dhe i bëj thirrje shtetit dhe Prokurorit të Përgjithshëm të zbardhet ngjarja. Këtu nuk jetohet, kur të vijnë në dorë të shtëpisë, ç’të mendosh për vende të tjera. Bëj thirrje të gjendet autori, më kanë prerë gishtin. Më kanë çarë në kurriz, më rrahën, kam fraktura gjithandej. Kërkoj nga Policia ta hetojë me seriozitet këtë ngjarje dhe të vërë para drejtësisë autorët.

Vajza: Grabitësit të veshur si policë, na mbajtën peng për disa orë

Xhelona Çangu, vajza e biznesmenit tregon momentet e tmerrit që përjetoi ajo dhe familja e saj. Me zë që i dridhej dhe e terrorizuar nga ajo që i ndodhi asaj dhe familjarëve, Xhelona thotë se grabitësit e kanë mbajtur për 3 orë rresht në dhomë dhe se nuk e dinte nëse prindërit i kishte gjallë. Ajo pohon se grabitësit u premtonin se nuk do t’i vrisnin, por duhej t’u jepnin çelësin e kasafortës.

Vajza rrëfen gjithashtu se personat e maskuar dhe të armatosur kishin shkatërruar gjithçka në dhomën e gjumit duke kërkuar paratë. Ajo tregon më tej se pasi ikën, gjeti babain të mbuluar nga gjaku dhe se fillimisht kishte kujtuar se e kishin vrarë atë. Vajza tregon se ajo dhe vëllai i saj ishin në katin e tretë të vilës në momentin kur grabitësit e armatosur kishin hyrë në shtëpinë e tyre.

“Është një gjë e tmerrshme, një gjë që babi im nuk e meritonte fare, familja jonë nuk e meritonte fare. Një njeri që nuk i ka hyrë askujt në hak, shumë i drejtë. Na ka rritur me djersë. Kemi parë një traumë me sy, sepse ishin 3 policë në dhomën tonë. Ishin me kapuç dhe kostume sportive. Ndërkohë që dëgjoi babin të bërtiste, shkoi poshtë dhe njeri më doli me pistoletë. I kërkova të mos prekte vëllain dhe motrën dhe i pyeta nëse mami dhe babi ishin mirë.

Më thanë që janë mirë, vetëm na trego se ku është çelësi i kasafortës. Kanë qenë tri orë aty me pistoletë. Nuk e dija nëse mami dhe babi ishin gjallë. Kur ikën kemi zbritur poshtë. Ne ishin në dhomën tonë në katin e tretë, ka ardhur xhaxhi ka hapur derën. Kur hapëm derën e dhomës ku ndodhej babi, çfarë të shihje. Ishte i mbuluar nga gjaku. Kam marrë të fejuarin në telefon dhe i kam thënë më kanë vrarë babin, ishte pa ndjenja, si mos më keq, i lidhur. Gjak gjithë vendin. Kishin hedhur çdo gjë në tokë.

10 veta kundër 1 personi, nuk e di se çfarë donin të gjenin në këtë shtëpi. Betoheshin për familje, por ata nuk kanë familje. Nuk e di a do të flemë më gjumë”, deklaroi vajza e biznesmenit, Xhelona Çangu. Brenda vilës luksoze të familjes që u grabit, me emrin “Vila Bjordi”, përveç një bari me të njëjtin emër, ka edhe një pishinë, kalçeto, bilardo dhe një parking automjetesh.

VIDEO/ “Zgjidhi nyjen e rrezikshme që lidhte dy anët e Drinit”

Rama: Ura e Madhe e Veriut, shëmbëlltyrë e ambicies sonë…

Çfarë ndodhi gjatë natës në një banesë

Të shtëna me armë zjarri në Krujë, policia jep detaje!

Bilanci tragjik nga masakra në Shkodër thellohet në 4 viktima

Ndërron jetë në spital Bashkim Basha