NGA PREÇ ZOGAJ
Projekti amerikan kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në sferat e larta në Shqipëri është në rendin e shërbimeve të mëdha që SHBA i kanë bërë Shqipërisë, Kosovës, kombit shqiptar gjatë njëqind vjetëve të fundit. Me vendosjen e ndëshkueshmërisë dhe shtetit ligjor në gjithë piramidën tonë shtetërore, ndryshon historia. Projekti në fjalë ka një kontekst konkret. Përgjatë tranzicionit të zgjatur postkomunist, Shqipëria përfundoi dora-dorës nën sundimin e një kaste plurale solidare të paprekshme nga drejtësia.
Si për të vërtetuar vdekjen e alternancës së vërtetë politike në vend, qytetarët ka vite që ftohen të zgjedhin të keqen më të vogël, e cila, përveçse e pamatshme, thjesht alternon shiun me breshrin, ku rolin e shiut e ka pala që del në opozitë dhe rolin e breshrit pala në pushtet, në një shkëmbim të pambaruar të këtyre roleve. Në këtë rreth vicioz po vdiste shpresa dhe besimi i shqiptarëve se mund ta ndryshojnë me votë fatin e tyre. Ky është momenti kur futen në lojë SHBA dhe BE me projektin e reformës sui generis në drejtësi, e cila mori më shumë kohë se sa ishte paraparë për t’u ndërtuar në gjithë përbërësit e saj.
Kurse tani që është kompletuar po tregon dobësi të tjera të vonesës së produktit të pritshëm. SHBA kanë dhënë sinjale të qarta se po i identifikojnë hilerat alla shqiptare që kalorësit e djallëzuar të reformës ua kanë shkarë si ujët nën rrogoz me flamurin amerikan në dorë. SHBA nuk do të pajtohen, zotit Rama si kryekalorës mund t’i ngarkohet barra e dëmeve. Por Byroja Kombëtare e Hetimit, SPAK dhe Gjykata Speciale janë të destinur të vënë në shënjestër peshqit e mëdhenj. Ka një mendim me përhapje të gjerë, që duket logjik, se instrumenti i shpalljes “non gratta” të zyrtarëve, ish-zyrtarëve dhe personave të inkriminuar në Shqipëri filloi të vihej në përdorim nga Departamenti i Shtetit në pjesën e dytë të administratës së ishPresidentit Tramp në kontekstin e vonesave dhe vështirësive për të venë në zbatim në kohë Reformën në Drejtësi.
Me fjalë të tjera, për të nxitur e inkurajuar drejtësinë e ndrojtur shqiptare të pamësuar me goditje në sferat e larta, si dhe për të vënë në provë partitë dhe drejtuesit e tyre duke kërkuar përjashtimin nga Kuvendi dhe postet publike të personave të shpallur non gratta. Pakkush e ka vënë në dyshim dobinë e këtyre shpalljeve që nisen me Llallën, Doshin e Dakon si parathënie për goditje në nivele edhe më të larta. Vetë PD ka mbrojtur standardin e largimit apo përjashtimit të tyre nga institucionet. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, nuk dha ndonjë shenjë se do të zbatonte të njëjtin standard kur i shpalluri non gratta i radhës, kësaj here nga vetë Sekretari i Shtetit, Blinker, ishte Sali Berisha.
Mjaft demokratë, të befasuar, të keqardhur, mbështetës të flaktë, jo mbështetës apo edhe kundërshtarë Berishës dhe berishizmit në parti u investuan me gojë dhe me shkrim që ai të mos e lidhte rastin e tij me fatin e PD-së, ta linte partinë në rrugën e saj, të hiqej mënjanë dhe të vazhdonte betejën e tij për drejtësi nëpërmjet gjykatës. Një zgjidhje e tillë u bë edhe më imperative në momentin kur SHBA i kërkuan zyrtarisht dhe publikisht Lulzim Bashës të largonte Berishën nga Grupi Parlamentar. Në të kundërtën, SHBA do të ndërprisnin çdo marrëdhënie me PDSH, duke e izoluar atë. Ishte e qartë se SHBA po mbronin standardin që kishin ndjekur e do të ndiqnin me gjithë të emëruarit non gratta prej tyre. Ata nuk bëjnë diferencime në këtë pikë.
Berisha nuk e përqafoi versionin e ngrirjes së marrëdhënieve me PD dhe Grupin e saj Parlamentar. Në këtë mënyrë, ia la Bashës barrën e vendimmarrjes mes dy zjarreve. Basha vendosi in ekstremis largimin e tij nga Grupi Parlamentar deri në sqarimit e çështjes, por jo nga partia dhe Këshilli Kombëtar. Në vlerësimin tim, ky ishte ndër të tjera vendimi për të mos e përfshirë PD-në në sfidën e kundërvënies dhe zhvlerësimit të instrumentit amerikan të shpalljes non gratta. E kundërta do të ishte shumë e rrezikshme për PD-në, qoftë në rrafshin e marrëdhënieve me SHBA, qoftë në rrafshin e interesave të publikut të gjerë ndërpartiak që i ka varur te SHBA shpresat e çlirimit nga pandëshkueshmëria e drejtuesve të lartë.
Tashmë, sfidën e zhvlerësimit të non gratta-s, sikurse edhe të urdhrit ekzekutiv të Presidentit Biden që e zgjeron gjeografikisht me Shqipërinë dhe tematikisht me korrupsionin dhe me pengimin e proceseve demokratike e gjyqësore urdhrin e mëparshëm të Presidentit Bush, po e bën vetvetiu Berisha me lëvizjen e tij shpaguese për shkarkimin e Bashës nga posti i kryetarit të Partisë dhe rrëzimin e vendimit të tij.
E kemi thënë disa herë dhe e përsërisim: Berisha dhe gjithë të shpallurit non gratta janë në të drejtën e tyre të shterojnë të gjitha rrugët ligjore për kundërshtimin dhe heqjen e sanksionit. Kjo është një betejë vetjake e personit nëpërmjet gjykatave apo nëpërmjet të zgjedhurve amerikane që kanë akses për të parë lëndën, mbi të cilën mbështetet shpallja e tyre non gratta. SHBA janë një shtet demokratik. Republikanët atje janë një opozitë shumë e fortë që mezi presin ta kapin Presidentin Biden dhe ministrat e tij në shkelje të dinjitetit të personit apo në shpërdorim të fuqisë së Amerikës. Por Berisha nuk po bën këtë me lëvizjen e tij. “Non gratta” as sqarohet, as hiqet me publik, sado i madh qoftë ai. Sikur e gjithë anëtarësia e PD-së dhe mbarë votuesit e saj të bëhen në një mendje. Përtej fjalëve, në versionin e suksesit, kjo lëvizje s’do të bënte gjë tjetër veç do të zhvlerësonte sa të mundte instrumentin e shpalljes non gratta dhe do të rikthente në një nivel të panjohur deri sot krizën dhe luftën e ftohtë mes SHBA dhe PDSH-së.
Nuk duhet shumë inteligjencë për të kuptuar se kjo është një lojë e rrezikshme hëm për shanset e mposhtjes së pandëshkueshmërisë, hëm me zjarrin. Me shanset në kuptimin që gjithë të korruptuarit dhe të pasuruarit me abuzime dhe me mjete të tjera kriminale në Shqipëri, që presupozohen si kandidatë të mundshëm për t’u shpallur non gratta apo janë tashmë të nominuar si të tillë nga Departamenti i Shtetit, mezi po presin që Berisha ta fitojë me militantë betejën e tij dhe prej këtij momenti t’i tregojnë bërrylin non gratta. Pse jo të qeshin me të. Me zjarrin në kuptimin e pasojave të izolimit të PD nga SHBA. Ata që merren me politikë dhe politologji prej vitesh në këtë parti nuk duhet të mbyllin sytë, por t’i shohin me gjakftohtësi këto pasoja, pa lojëra fjalësh e ngarkesa emocionale të tipit “të dalë ku të dalë”. Ngjarjet e fundit kanë bërë që për herë të parë të artikulohet hapur nga individë të veçantë nevoja dhe madje dobia e një lëvizjeje antiamerikane në Shqipëri.
Të njëjtët individë i shohim të jenë vënë në kërkim të shembujve pa lidhje të sukseseve të antiamerikanizmit. Duke e paditur kësisoj si antiamerikane lëvizjen e zotit Berisha, së cilës i referohen. Pavarësisht se Berisha predikon të kundërtën. Të gjitha këto sa në shembullin e disa vendeve fqinje sllave, ku antiamerikanizmi në vektorë të caktuar të shoqërive respektive mbështetet në lidhjet racore me Rusinë dhe ushqehet me lehtësi nga politikat e minimit të demokracisë që ndjek Moska në rajonin tonë, sa në shembullin e disa rrymave tradicionalisht antiamerikane në retorikë, kryesisht të së majtës së vjetër, por edhe të së djathtës autokratike nacionaliste në disa vende të BE-së.
Janë shembuj të sforcuar që nuk gjejnë terren në Shqipëri. Shqiptarët në shumicë dërrmuese janë proamerikanë për vokacion dhe për mirënjohje gjithashtu. Ndryshe nga aleancat me ish-Bashkimin Sovjetik apo me Kinën Komuniste që i vendoste regjimi për interesat e veta, aleancën me SHBA e ka zgjedhur pikësëpari vetë populli shqiptar. Natyrisht ka në Shqipëri një pakicë antiamerikane në përcaktim si e tillë. Le të jenë, s’ka asnjë problem, por së paku të jenë realiste kur të flasin për SHBA, siç janë realistë edhe armiqtë e saj. Do të thotë të mos e banalizojnë atë sikur nuk janë vendi që lartëson epërsinë e pakonkurrueshme të demokracisë në historinë e civilizimit, por një katund intrigash e pazaresh orientale. E përse? Thjesht për të manipuluar ca njerëz e për të ushqyer injorancën.
Sidoqoftë, në Shqipëri nuk ka e nuk mund të këtë një lëvizje antiamerikane. (Që nuk do të thotë se shqiptarët dhe qeveria e tyre nuk mund të kundërshtojë kërkesë apo qëndrime amerikane që nuk kanë të bëjnë me orientimin euroatlantik dhe vlerat e tij apo me sigurinë kombëtare të dy vendeve mike). Nuk ka arsye të këtë. Ka arsye për të kundërtën, pra për t’u investuar në një bashkëpunim dypalësh gjithnjë e me të ngushtë. Shqipëria nuk ka nxjerrë ende, për fat të keq, një elitë drejtuese të kulturuar që drejton me një formim të shëndoshë demokratik e kombëtar dhe për rrjedhin e bën të padukshëm rolin e ambasadorëve amerikanë e europianë në vend.
Do jetë një ditë e madhe për Shqipërinë kur ta ketë këtë elitë. Në mungesë të saj, duhet ta dimë se pa faktorin ndërkombëtar, Shqipëria shkon keq e më keq sa nuk na e pret mendja. Edhe në komunizëm, sado që krahasimi me demokracinë është si nata me ditën, Shqipëria është bërë më e mbyllur dhe me tiranike pikërisht kur në emër të sovranizmit janë mbyllur ambasadat e SHBA, Anglisë Bashkimit Sovjetik hrushovian, apo janë ulur në nivelet afër zeros marrëdhëniet me Kinën Komuniste. Kjo është një histori që nuk mund të përsëritet e nuk duhet të përsëritet kurrë. Fati i Shqipërisë sot është aleancë e saj me SHBA dhe Perëndimin. SHBA janë për ne një pasuri kombëtare e madhe, e rrallë. Ky është e duhet të jetë vlerësimi udhërrëfyes i qeverive dhe opozitave shqiptare në marrëdhënie me ta.