Koronavirusi vazhdon të përhapet në të gjithë botën. Por arsyet se pse bota nuk ka arritur ende të eliminojë Covid-19 janë ende të paqarta dhe sigurisht nuk ka asnjë garanci nëse ulja e rasteve do të vazhdojë. Sidoqoftë, rikthimi i valëve pandemike meriton vëmendjen e të gjithëve.
Në SHBA, numri i rasteve ditore ka rënë me 35% që nga 1 shtatori, ndërsa rastet në mbarë botën kanë shënuar rënie me më shumë se 30% që nga fundi i gushtit. Lajmi më inkurajues është se rastet serioze të Covid-19 kanë shënuar gjithashtu rënie: Numri i qytetarëve amerikanë që po marrin trajtim në spitale ka rënë me 25% në krahasim me 1 shtator.
Numri i viktimave në 24 orë është reduktuar me 10% që nga 20 shtatori. Por ky është një model që njerëzit tashmë e njohin: Cikli misterioz dy mujor i valëve pandemike. Pasi Covid-19 filloi të përhapet në fund të vitit 2019, rastet zakonisht rriteshin pas dy muajsh, (ndonjëherë për shkak të një mutacioni të ri, siç është Delta), dhe më pas shënonin rënie pas dy muajsh të tjerë, raporton abcnews.al
Shumë interpretime të njohura, të tilla si sezonaliteti, ose vendimet në lidhje me përdorimin e maskave dhe mbajtjen e distancës, janë padyshim të papërshtatshme, nëse jo të pasakta. Cikli dymujor është regjistruar në periudha të ndryshme të vitit. Shpjegimet më të besueshme përfshijnë një kombinim të virologjisë dhe rrjeteve sociale: Ndoshta një variant i koronavirusit ka më shumë gjasa të infektojë disa njerëz, por jo të gjithë, dhe kur personat e rrezikuar janë të ekspozuar ndaj virusit, përhapja e virusit është e kufizuar.
Dhe në këtë mënyrë mund të duhen rreth dy muaj që një mutacion të qarkullojë në komunitet. Sjellja e njerëzve sigurisht që luan një rol të rëndësishëm, me njerëzit që priren të jenë më të kujdesshëm kur rastet janë në rritje.
Pavarësisht arsyeve, cikli dymujor vazhdon: kjo gjë është gjithashtu e dukshme në statistikat globalë: Shpërthimet u rritën globalisht nga fundi i shkurtit deri në fund të prillit, pastaj ranë deri në fund të qershorit, duke u rritur përsëri në fund të gushtit për të shënuar rënie që nga ai moment, raporton abcnews.al
Ky model është gjithashtu i dukshëm në vende të mëdha si India, Indonezia, Britania, Franca dhe Spanja. Në secilën prej tyre varianti Delta ka shkaktuar rritje të rasteve që kanë zgjatur nga 1.5 deri në 2.5 muaj. Në SHBA, varianti Delta u përhap në disa shtete jugore dhe u dobësua po në të njëjtat shtete në gusht. Në shumicën e vendit, vala filloi në korrik dhe rastet më në fund kanë filluar të shënojnë rënie gjatë javëve të fundit.
Edhe rastet në mesin e fëmijëve kanë shënuar rënie pavarësisht faktit se vaksinat për fëmijët nën moshën 12 vjeç ende nuk janë miratuar, sipas Jennifer Nutso nga Universiteti Johns Hopkins. Sigurisht, ky nuk është një ligj i sigurt i shkencës. Në Britani, për shembull, numri i rasteve ka pësuar ndryshime gjatë dy muajve të fundit, në vend që të jetë i qëndrueshëm.
Në Shtetet e Bashkuara, fillimi i sezonit të dimrit dhe rritja e aktiviteteve në ambientet e brendshme, ose ndonjë faktor tjetër i panjohur, mund të shkaktojë një përsëritje të shpërthimit këtë vjeshtë.
Rrjedha e pandemisë mbetet e pasigurt.
Sidoqoftë ka arsye për të qenë optimistë. Përqindja e amerikanëve mbi moshën 12 vjeç që kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër Covid është 76%, dhe numri në rritje i personave që duan të vaksinohen, së bashku me miratimin e vaksinave për moshat 5 deri në 11 vjeç, do të rrisë më tej numrin e vaksinimeve këtë vjeshtë.
Pothuajse po aq i rëndësishëm është fakti se pothuajse gjysma e amerikanëve tashmë e kanë kaluar koronavirusin, i cili pjesërisht u siguron atyre imunitet natyral.
Scott Gottlieb, një ish komisioner i Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA) tha : “Unë mendoj se kjo ishte vala e fundit e madhe e pandemisë.” Çfarëdo që do të na sjellin muajt e ardhshëm, është pothuajse e sigurt se më e keqja me koronavirusin ka kaluar”.