MENU
klinika

“Nuk është krizë energjetike, por krizë korrupsioni”

PD denoncon ‘skandalin’: Energjia u ble 10 milionë euro mbi çmimin e bursës

09.10.2021 - 12:40

Partia Demokratike ka vijuar sot me shifra të denoncojë atë që e quan skandal me blerjen dhe shitjen e energjisë. Sekretari i grupit parlamentar të PD Arbi Agalliu tha sot se në tenderin e parë nga qeveria janë shpenzuar 16.7 milion euro për të blerë energji elektrike, ndërkohë që në bursë mund të blihej fare mirë për 12 milionë euro.

“Pra, 4 milionë euro më tepër ka shpenzuar qeveria shqiptare. Tenderi i dytë, janë shpenzuar rreth 10 milionë euro për të blerë energji elektrike, ndërkohë që në bursë mund të blihej për vetëm 7.4 milion euro. Pra, janë shpenzuar 2.5 milion euro më tepër. Tenderi numër tre, qeveria ka blerë energji elektrike me vlerë 12 milionë euro, ndërkohë që në bursë mund të blihej me vlerën 9.4 milionë euro. Pra, 3.4 milion euro më tepër. Në total janë shpenzuar mbi 10 milion euro nga buxheti i shtetit”, tha Agallaiu.

Sipas PD, nuk është problemi rritja e çmimit të energjisë elektrike në bursë, por korrupsioni i kësaj qeverie, aferat në këto tendera.

Afera Oshee

DEKLARATA E PLOTË
Prej kohësh po flitet për rritje të nivelit të çmimeve të produkteve që konsumojmë. Prej kohësh ju po ndjeni në xhepat tuaja pamundësinë financiare për të përballuar këto çmime. E sikur të mos mjaftonte kjo, kryeministri njoftoi tragjedinë, apo fatkeqësinë e tretë natyrore, që është rritja e çmimit të energjisë elektrike si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike në bursë. Më lejoni t’iu bëj e dije se sa është çmimi i energjisë elektrike në bursë dhe se sa e blen qeveria shqiptare energjinë elektrike. Gjatë ditëve të fundit janë zhvilluar tre tendera.

Në tenderin e parë janë shpenzuar 16.7 milion euro për të blerë energji elektrike, ndërkohë që në bursë mund të blihej fare mirë për 12 milion euro. Pra, 4 milion euro më tepër ka shpenzuar qeveria shqiptare.

Tenderi i dytë, janë shpenzuar rreth 10 milion euro për të blerë energji elektrike, ndërkohë që në bursë mund të blihej për vetëm 7.4 milion euro. Pra, janë shpenzuar 2.5 milion euro më tepër.

Tenderi numër tre, qeveria ka blerë energji elektrike me vlerë 12 milion euro, ndërkohë që në bursë mund të blihej me vlerën 9.4 milion euro. Pra, 3.4 milion euro më tepër. Në total janë shpenzuar mbi 10 milion euro nga buxheti i shtetit.

Të nderuar qytetarë, nuk është problemi rritja e çmimit të energjisë elektrike në bursë. Problemi është korrupsioni i kësaj qeverie. Problemi është aferat në këto tendera. Problemi është qindra patronazhistë të punësuar në sektorin e energjisë elektrike që marrin pagë nga buxheti i shtetit. Pra, fatkeqësia natyrore nuk është rritja e çmimit në bursë, por është kjo qeveri që përditë e më tepër, vjedh xhepat e shqiptarëve.