MENU
klinika

Rreth "Air Albania"

Policia me plan masash për Shqipëri-Poloni

11.10.2021 - 15:28

Disa nga rrugët përreth stadiumit “Air Albania” do të jenë të bllokuara ditën e martë për shkak të ndeshjes që do të zhvillohet ndërmjet skuadrës kombëtare shqiptare dhe Polonisë.

Policia e Tiranës ka bërë me dije se është hartuar një plan masash të shtuara për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes,

Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit:

– Rruga përreth stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Faik Konica” rruga “Dervish Hima”, rruga “ Gjergj Filipi”, rruga Asim Zeneli” rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.

policia para stadiumit

Policia thotë se hyrja e tifozëve do të fillojë në orën 18:00, dhe lëvizja e tyre do të garantohet nga uniformat blu përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojnë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.

Po kështu, mësohet se policia do të ushtrojë kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj.) dhe çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk do të lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit”, thekson Policia.

“Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive në zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.

Policia ju bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjë si në ambientet e jashtme të stadiumit, ashtu dhe në ambientet e brendshme, për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e personave që do shkaktojnë trazira apo kryejnë veprime antisportive.

Policia e Tiranës edhe njëherë apelon për tifozëritë e dy skuadrave që të tregojnë qytetari dhe të zbatojnë rregullat dhe ligjin”, thuhet në njoftimin për media të Policisë së Tiranës.

Ndeshja midis Shqipërisë dhe Polonisë do të zhvillohet më datë 12.10.2021, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN