Gazetarja Lorena Kodra, ka treguar për “BalkanWeb”, situatën në Universitetin “Fan Noli” në Korçë. Ajo tha se nga 3.500 studentë që ka në përbërje ky universitet në total, deri më tani, një pjesë shumë e vogël e tyre kanë aplikuar vaksinën.
Gjatë javës që lamë pas, të cilat iu dedikuan vaksinimit nëpër universitete, në “Fan Noli”, sipas gazetares e kanë aplikuar vetëm 37 studentë. Në një prononcim për gazetaren Kodra, një prej studentëve, tha se nuk e ka kryer vaksinën dhe pret se çfarë do të ndodhë në ditën në vijim.
Ai tha se pjesa më e madhe e studentëve nuk kanë marrë të paktën asnjë dozë, ndërsa shtoi se janë në pritje të ndryshimit të vendimit për të zhvilluar mësimin në auditorë, por me kushtin që të paraqesin certifikatën e vaksinimit apo testin PCR.
“Jo nuk jam vaksinuar. Asnjë se ka bërë vaksinën, as ne nuk e bëjmë. Sot është dita e parë dhe s’kemi bërë tampon, nesër do e bëjmë. Nuk e dimë si do të funksionojë këtë ditë, s’na kanë thënë gjë. Nëse të tjerët nuk hyn në auditorë as ne nuk futemi. Një pjesë e shoqërisë sime është vaksinuar, por pjesa më e madhe nuk është vaksinuar”, tha studenti.
Sakaq, zv. rektori i universitetit Fan Noli, Artur Adili, në një prononcim për mediat, është shprehur se të pavaksinuarit do të futen në auditorë. Sipas tij studentët do të udhëzohen më pas drejt vaksinimit.