MENU
klinika

Nga denoncimi i parcelave të kanabisit, te konflikti për rrugën

Pse u vra Alket Muho?

28.10.2021 - 14:15

Rreth tri vite pas një krimi të rëndë në fshatin Rabije në Gjirokastër, Gjykata e Shkallës së Parë atje ka dënuar me 37 vite burg gjithsej dy autorët e akuzuar për vrasjen e Alket Muhos.

Hetem dhe Dino Muho akuzohen si autorë të krimit të ndodhur më 6 shtator të vitit 2018. Vendimi është dhënë nga kryesuesja e seancës gjyqësore, Blerta Cibuku, e cila i dha fund maratonës trevjeçare gjyqësore në ngarkim të personave të akuzuar.

Seanca e fundit gjyqësore është mbajtur nën masa të rrepta sigurie për shkak se gjatë dhënies së vendimit ka pasur prezencë të shtuar të familjarëve nga të dyja familjet.

Më herët, prokurori i çështjes, Julijan Çafka, në pretencën e tij pati kërkuar nga 23 vjet burg për Hetem dhe Dino Muhon për akuzën e “Kryerjes së vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim”, nga 6 vjet burg për secilin për armëmbajtje pa leje dhe municione dhe nga 1 vit burg për mbajtje dhe prodhimi pa leje të armëve sportive dhe municioneve, ku në total shkon nga 30 vjet burg për secilin.

Në konkluzionet përfundimtare, organi i akuzës kërkoi 27 burg për dy të akuzuarit. Pas shqyrtimit së dosjes hetimore nga prokuroria dhe fjalës së mbrojtjes për të pandehurit, gjykatësja e çështjes, Blerta Cibuku, ka dhënë vendimin final për këtë ngjarje që tronditi në shtator të 2018 fshatin Rabije dhe mbarë zonën.

Gjykatësja Cibuku ka dhënë 20 vjet burgim për Hetem Muhon dhe 17 vjet burgim për të birin e tij, Dino Muho. Pas këtij vendimi, të dënuarit kanë të drejtë të çojnë çështjen e tyre në Gjykatën e Apelit brenda 15 ditëve. Krimi dyshohet se u krye për motive pronësie, megjithëse dy të akuzuarit nuk e kanë pranuar asnjëherë vrasjen.

VRASJA PËR KANABISIN?

Alket Muho, 43 vjeç, u gjet i vrarë me armë zjarri në tokën e tij teksa kishte dalë për të kullotur bagëtitë. Krimi i rëndë u dyshua se kishte ndodhur për shkak të denoncimit që viktima bëri pranë Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat për parcelat me kanabis në zonë.

Dhjetë ditë për para krimit, viktima denoncoi parcelat me drogë në zonat pyjore përreth.

Më datë 6 shtator 2018 ai u gjet i vrarë me armë automatike, duke u qëlluar në kokë. Megjithatë, Policia arrestoi kushërinjtë e largët të viktimës si autorë të ngjarjes dhe konflikti dyshohet të ketë lidhje për çështje pronësie, më saktësisht për një rrugë.

Vjehrri i viktimës, Riza Ardita, nga Mallakastra, deklaronte në atë kohë se dhëndri kishte pasur një konflikt për çështje droge porse ai ishte zgjidhur. Ai tha gjithashtu se në momentin e vrasjes, 43-vjeçari Muho ishte duke komunikuar në telefon me gruan e tij.

“Më mori vajza në telefon e më tha që Alketin e kishin vrarë. Ajo e kish dëgjuar nga telefoni që u kishte folur disa djemve: ‘Çfarë bëni kështu more çuna?’ dhe më pas dëgjoi krismat”, tha ai.

I moshuari konfirmonte gjithashtu edhe konfliktin për çështjen e pronës.

“Kishte konflikt me një fqinj, pasi rruga për në shtëpinë e Alketit kalonte në tokën e tyre. Konfliktet janë të hershme, vjet (në 2017) madje kanë shkuar edhe në gjyq, pasi dhëndri ishte zënë fizikisht me djalin e familjes fqinje”, shtonte ai.

Nëna: Gjykatësja ma vrau prapë djalin e vetëm

Pas vendimit të Gjykatës së Gjirokastrës për dënimin me 37 vite burg për Hetem dhe Dino Muhon për vrasjen e shtetasit Alket Muho në vitin 2018, prindërit e të ndjerit kundërshtojnë vendimin e dhënë nga gjyqtarja e çështjes. Pasi doli nga seanca gjyqësore, e ëma e Alket Muhos shprehet se gjykatësja Blerta Çibuku ka hedhur poshtë akuzat për armëmbajtje, çka sipas saj, ka ndikuar në uljen e dënimit.

Nëna e të ndjerit thotë se ky është një vendim skandaloz dhe ngre pyetjen se nëse autorët nuk kanë pasur armë, me çfarë e kanë vrarë Alket Muhon.

“Për mbajtjen e armëve, zonja Blerta Çibuku e ka nxjerrë të pafajshëm. Pa armët me çfarë e vrau? Shkoi Blerta e pa me çfarë e vranë djalin tim. Po bëhet i katërti vit që mua si nënë nuk më ka pyetur asnjëherë, por na thoshin ‘pusho mos fol!’. Më ka vrarë zemra e një nëne ashtu siç më vranë ata kriminelë djalin e vetëm, më ka vrarë Blerta. Me çfarë e vranë ata, me gisht apo pati ndërhyrje Blerta Çibuku?”, është shprehur nëna e të ndierit.

Ndërkohë, babai i Alketit ka hedhur akuza mbi gjykatën dhe gjyqtaren Blerta Çibuku duke e cilësuar të korruptuar. Ai u bën thirrje institucioneve që të hetojnë këtë gjyqtare lidhur me çështjen në fjalë dhe të sqarojnë vendimin e gjykatës pasi vendosi rrëzimin e akuzave për armëmbajtje pa leje.

“Këtu janë të tërë të korruptuar. Nuk jemi të kënaqur. Gjyqtarja Blerta Çibukun ta pyesim me çfarë është vrarë ai djali jonë. Me çfarë e kanë vrarë, me pëllëmba? Pa pikë turpi, gjykata të korruptuara dhe të menderosura. Është bërë si hale, çfarë gjykate është kjo.

Gjykatë e ulur dhe e turpëruar. Këtu çdo gjykatë e ka shtyrë 3 vjet këtë punë. Një gjykatës i mëparshëm e ka shtyrë këtë proces pafund. Vetë ai, e hoqën atë dhe e mori kjo Blerta. E korruptuar kokë e këmbë. Gjyqtare e turpëruar për këto veprime. Me këtë vendim nuk jemi dakord. Duam që kush e ka në ngarkim këtë gjykatë, t’i futet kësaj gjyqtareje dhe të nxjerrë në shesh këtë problem. Autorët, të jetë për mua, donin dënim maksimal. Jemi të pakënaqur me vendimin”, tha babai.