MENU
klinika

Kriza energjitike

Rama prezanton sot planin e posaçëm për mbrojtjen e qytetarëve

09.10.2021 - 07:59

Kryeministri Edi Rama pritet të bëjë sot publik të ashtuquajturin plan të posaçëm për krizën energjetike të paralajmëruar në vend. Ditën e djeshme qeveria pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme shpalli emergjencën në furnizimin e energjisë elektrike, ndërsa kryeministri Rama deklaroi se vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare dhe i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumente financiare qoftë edhe me instrumente të natyrës administrative. Sipas tij, me këtë vendim i hapet rrugë dhe ekzekutimit të planit të posaçëm për ta përballuar këtë situatë. Rama theksoi se prioritet i qeverisë është mbrojtja e konsumatorëve, por edhe për bizneset e vogla. Vendimi i marrë dje në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, parashikon ngritjen e një grupi ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës në furnizimin me energji elektrike. Gjithashtu kërkohet nga shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë. Kjo gjendje sipas vendimit i shtrin efektet deri më 15 prill 2022.