MENU
klinika

“Vaksinat” bashkojnë mazhorancën dhe opozitën

Realizohet votimi i parë me konsensus në Kuvend

07.10.2021 - 15:27

Marrëveshja me kompaninë farmaceutike Pfizer për dozat e vaksinave që pritet të mbërrijnë deri në dhjetor në Shqipëri ka bashkuar mazhorancën dhe opozitën në Kuvend, të cilët kanë dhënë miratimin e tyre me konsensues për këtë akt normativ.

Kjo marrëveshje mori sot në Kuvend 126 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ndërkohë 14 deputetë kanë munguar në seancë gjatë votimit.

Akti Normativ që u miratua sot, nr. 29, datë 13.9.2021 “Për miratimin e tekstit të disa ndryshimeve në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet PFIZER EXPORT B.V. dhe ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, miratuar me aktin normativ nr. 3 datë 18.1.2021” kerkonte shumicë te thjeshtë votash për miratim.

Megjithatë, seanca plenare e kësaj të enjteje e cila ishte e fokusuar në këtë akt normativ, prodhoi debate, tensione si dhe replika mes parlamentarëve.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në prezantimin para Kuvendit të Aktit Normativ që i hap rrugën mbërritjes së 500 mijë dozave Pfizer brenda 3 muajsh, ka informuar deputetët në lidhje me sasitë e vaksinave që do të mbërrijnë në Shqipëri, në kuadër të planit të vaksinimit masiv.

“Akti normativ që miratojmë sot, i hap rrugë sigurimit në një kohë shumë të shpejtë, brenda 3 muajsh, të 500 mijë vaksinave Pfizer, seria e parë e të cilave vjen brenda Tetorit”, deklaroi Manastirliu.