MENU
klinika

Dëmtohen dy mesfushorë

Rebusi i tetorit, Kombëtarja pa dy titullarë

01.10.2021 - 19:39

Tetori është “zjarr” për Kombëtaren shqiptare, teksa do të luajë me dy rivalë direktë, me Hungarinë më 9 tetor në Budapest dhe pas 3 ditësh në “Air Albania” kundër Polonisë, sfida që vendosin për Botërorin 2022.

Por pas Keidi Bares, është dëmtuar edhe një tjetër mesfushor titullar. Fjala është për maratonomakun Amir Abrashi, që fati i keq e ka ndjekur sërish mesfushorin e përfaqësueses kuqezi. Nuk ishte e thënë që ai të ishte i gatshëm për Kombëtaren në sfidat e tetorit.

Abrashi pësoi një dëmtim më 5 shtator në ndeshjen e fituar ndaj hungarezëve dhe u zëvendësua nga Çekiçi në minutën e 68′, ndërsa ndaj San Marinos ai nuk u grumbullua fare dhe udhëtoi drejt Zvicrës ku u fokusua te rikuperimi i dëmtimit.

Pas 18 ditësh mesfushori i Grashopers ishte i gatshëm për ndeshjen e kampionatit ndaj Luganos. Një kohë rekord rikthimi, ku kujtojmë dhe thënien e trajnerit të skuadrës ku aktivizohet shqiptari i cili tha se Abrashi ka mish shqiptari dhe shërohet më shpejt.

Kapiteni i Grashopers futet në fushën e lojës në minutën e 63-të dhe zhvillon një ndeshje të mirë. Pas ndeshjes ai ka ndjerë përsëri shqetësime te kofsha e djathtë dhe pas ekzaminimeve mjekësore të bëra, Abrashi ka një problem te fibrat e muskujve të kofshës të djathtë dhe do të mungojë deri në 6 javë.

Ndoshta një nxitim i padrejtë për shqiptarin pasi do të dëshironte shumë të jepte kontributin e tij për Kombëtaren në ndeshjet e tetorit. Lajm i keq edhe për trajnerin Reja që tani është e sigurt që do të bëjë pa “pitbullin” në mesfushë.

Trajneri kryqëzon gishtat që mos dëmtohet edhe ndonjë mesfushor qendre, kryesisht Qazim Laçi apo Klaus Gjasula, pasi do të ishte “gropë” e madhe. Reja do të shpallë listën vetëm pas ndeshjeve të fundjavës, për të parë formën e secilit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN