MENU
klinika

"Po punojmë me kolegët në Mal të Zi e Kosovë"

Rrëzimi i avionit, policia: Nuk u gjet asgjë brenda tij

05.10.2021 - 10:12

Policia e Shkodrës jep detaje për rrëzimin e avionit në zonën e Kelmendit, një ditë më parë.

Policia thekson se avioni sportiv dyvendësh është rrëzuar rreth 800 m nga kufiri me Malin e Zi në vijë ajrore, dhe brenda tij nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm.

Njoftimi i policisë:

Më datë 04.10.2021, në orën 12:30, në sallën operative të Komisariatit të Malësisë së Madhe, Shkodër, ka ardhur një telefonatë se në fshatin Velipojë, Vermosh, Njësia Administrative Kelmend, bashkia Malësia e Madhe, ishte rrezuar një avion sportiv.

 

 

Me marrjen e njoftimit, menjëherë në drejtim të adresës së dhënë u nisën shërbimet e Policisë dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, për të verifikuar informacionin, si dhe u ngrit grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Nga veprimet e para hetimore dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se në vijë ajrore rreth 800 m nga kufiri me Malin e Zi, është konstatuar i rrëzuar dhe i dëmtuar një avion sportiv dyvendësh, ngjyrë gri, me gjatësi 6 m, gjerësi 10.5 m (nga skaji i njërit krah te tjetri), gjatësi të krahut 4.7 m dhe gjerësi të kabinës 1.1 m., në të cilin nuk u gjendën shenja dalluese si: flamur, dokumente të origjinës apo ndonjë dokument tjetër identifikimi.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të imtësishëm të kryer nga grupi hetimor në brendësi të avionit nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.

Në bashkëpunim dhe me vendet fqinje, Mali i Zi dhe Kosovë, po punohet për përcaktimin e itinerarit të fluturimit që ka ndjekur ky avion, identifikimin e pilotëve dhe të personave të tjerë të përfshirë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon veprimet hetimore për identifikimin e automjetit që ka marrë dhe larguar pilotët nga vendngjarja, si dhe për përcaktimin e shkaqeve të rënies së avionit.