Ashtu siç ishte paralajmëruar, rreth orës 17:00 para Kryeministrisë janë mbledhur qytetarë të shumtë janë për të protestuar kundër rritjes së çmimeve në vend. Protestuesit kanë marshuar me çadra, ndërsa shihet një pjesëmarrje e e ulët e qytetarëve, pasi moti me shi nuk i ka favorizuar. Ajo që bie në sy gjatë kësaj proteste, është fakti se ata kanë zgjedhur të marrin me vete tenxhere dhe lugë si një simbol i rritjes së çmimeve të produkteve të gatimit.
I pranishëm është aktori Florian Binaj, i cili mori pjesë edhe në protestën e kaluar. Në fjalën e tij, ai iu bëri thirrje të rinjve, por edhe kolegëve të tij artistë që t’i bashkohen protestës, pasi siç tha ai nuk iu ulen ndjekësit në Instagram.
“U bëj thirrje atyre që nuk kanë ardhur të vijnë se nuk u ulen ndjekësit në Instagram nëse proteston për padrejtësitë. U bëj thirrje artistëve, kolegëve: Eja protestoni për qytetarët se nuk ju bien ndjekësit në Instagram nëse dilni protestoni”, duke shtuar se të gjithë e duam Shqipërinë si Evropa, por vetëm çmimin e naftës e kemi si Evropa.
Kjo është protesta e dytë e zhvilluar nga qytetarët dhe shoqëria civile që kundërshtojnë rritjen e çmimeve të bukës, karburanteve dhe produkteve të shportës, pasi rrogat e shqiptarëve nuk i përballojnë dot ato. Në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë elektrike, kryeministri Edi Rama tha se nuk do të ketë rritje të energjisë për familjet dhe biznesin e vogël.