Kriza e pandemisë shkaktoi një efekt zinxhir në të gjithë Ballkanin Perëndimor, me disa shtete që rezistuan më mirë dhe të tjera që u goditën më rëndë.
Sipas Komisionit Europian, ekonomia e Ballkanit Perëndimor u tkurr me 3.3% në vitin 2020, pas një rritjeje mesatare prej 3.6% në 2019-n. Pavarësisht rimëkëmbjes në 6-mujorin e dytë, rajoni u ndikua ndjeshëm nga përçarja e krijuar në pjesën e parë të vitit, pas vendosjes së kufizimeve në mbarë Europën.
Shumica e ekonomive vuajtën nga tkurrja e konsumit dhe investimeve, si dhe rënia e eksporteve. Rënia e importeve dhe konsumi më i lartë publik ishin faktorët kryesorë lehtësues, por nuk arritën të kompensojnë dinamikën negative të komponentëve të tjerë të shpenzimeve.
Në linjë me rënien e aktivitetit ekonomik, ecuria e punësimit ishte negative. Deficiti i llogarisë korente i rajonit qëndroi në 6% të Prodhimit të Brendshëm bruto (PBB) në vitin 2020, përgjithësisht i pandryshuar nga një vit më parë, pasi humbjet e forta në eksportet e shërbimeve, veçanërisht turizmi, dhe përgjithësisht rënia e prurjeve të remitancave u kompensuan nga importet më të ulëta.
Mbështetja fiskale në shkallë të gjerë për familjet dhe kompanitë për të zbutur ndikimin e krizës, e kombinuar me një rënie të konsiderueshme të të ardhurave, rezultoi në një rritje të mprehtë të deficiteve buxhetore në të gjithë rajonin. Së bashku me një rënie të PBB-së nominale (përveç Serbisë), kjo çoi në rritje të konsiderueshme të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së në krahasim me fundin e vitit 2019, vlerëson Komisioni Europian.
Serbia është vendi që e përballoi më mirë pandeminë, me një tkurrje prej vetëm 1%. Shqipëria, që vinte pas rritjes më të ulët në rajon në 2019-n, me vetëm 2.2%, arriti të kishte një ecuri më të mirë sesa pritej në -3.3%, (sipas Komisionit Europian, ndërsa INSTAT e ka rishikuar këtë shifër në gati 4%), e ndihmuar nga hapja e turizmit në muajt e verës dhe ecuria pozitive e sektorëve të ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.
Mali i Zi kishte rënien më të thellë, në -15.2% për shkak të ndikimit negativ që dha pandemia në turizëm. Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina rezultuan me tkurrje midis 4-4.5%.
Burimi: Komisioni Europian
Shqipëria vijon të ketë një strukturë të paqëndrueshme ekonomike, me varësi të lartë nga bujqësia dhe ndërtimet (kjo e fundit zë një peshë të konsiderueshme në industrinë e vendit, ndryshe nga shtetet e tjera të rajonit që janë më të orientuara te prodhimi).
Burimi: Statista.com
Të gjitha shtetet e rajonit panë një rënie të eksporteve të mallrave e shërbimeve, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, si pasojë e përçarjes që pësoi zinxhiri ekonomik i tregtisë globale nga pandemia. Rënia ishte më e ulët për Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, dy vende që kanë investuar në prodhim dhe kanë eksporte me vlerë të shtuar të lartë. Shqipëria vijoi ta ketë këtë tregues më të ulëtin në rajon, së bashku me Kosovën, në përkatësisht 23% dhe 22% të PBB-së në vitin 2020, nga përkatësisht 52% dhe 58% për Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Burimi: Banka Botërore
MODELI I PAQËNDRUESHËM I SHQIPËRISË
Renditja e 200 sipërmarrjeve më të mëdha në vend, një publikim traditë i “Monitor” prej më shumë se një dekade, është një pasqyrë e modelit të paqëndrueshëm të zhvillimit, me të cilin përballet ekonomia shqiptare dhe që doli më shumë në pah gjatë pandemisë. Edhe në renditjen e vitit 2020 mbizotërojnë sipërmarrjet tregtare të produkteve të importit, apo karburanteve dhe ka shumë pak biznese prodhuese.
Për ironi, në listën e 10 më të mëdhave në Shqipëri ka dy kompani, të cilat bëjnë vetëm faturime tranziti për të tretët, ndërsa në Serbi e Maqedoni mbizotërojnë sipërmarrjet që prodhojnë pjesë për automjete, produkte farmaceutike etj., me një numër të madh punonjësish e eksporte me vlerë të shtuar të lartë.
Ndërtimi dhe sidomos pasuritë e paluajtshme nuk deshën t’ia dinë për krizën e pandemisë, ndryshe nga gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë reale, duke neutralizuar disi rënien e fortë të aktiviteteve të tjera. Qarkullimi vjetor i sipërmarrjeve të lidhura me këtë sektor shënoi një rritje vjetore prej 11.5%, në kontrast me tkurrjen prej 8.5% të të gjitha kompanive të përfshira në renditje. Hyrjet e reja, shpesh me dyfishim të ardhurash, ishin pikërisht nga ndërtuesit e apartamenteve, që po shiten vrullshëm në vendin më të varfër të Europës https://www.monitor.al/200-vip-at-e-2020-s-te-fituarit-dhe-te-humburit-e-pandemise-2/
SI ARRITI SERBIA TË MINIMIZONTE RËNIEN EKONOMIKE
Serbia arriti të minimizonte rënien ekonomike dhe të konsumit të brendshëm në vitin pandemik, nëpërmjet rritjes së fortë të shpenzimeve qeveritare, inventarëve më të lartë dhe kontributit neto pozitiv të eksporteve. Industria vijoi aktivitetin pozitiv, e ndihmuar nga prodhimi i mjeteve motorike (+37%), duke nxitur dhe punësimin në këtë sektor, sipas Komisionit Europian.
Një tjetër raport i Kombeve të Bashkuara për investimet e huaja botërore në 2021 thekson se pavarësisht problemeve që pandemia shkaktoi në tregti dhe konsum, industria automotive në Serbi arriti të shënonte zgjerim, si fabrika e prodhimit të sediljeve të Magna dhe të Cooper Tire & Rubber (SHBA). Mediat vendase shkruajnë se në qershor 2020, Magna, që është e pranishme prej 6 vitesh në Serbi, hapi fabrikën e re, ku planifikon punësimin e 1 mijë personave.
Po në qershor, Cooper Tire Serbia njoftoi se po zbatonte një projekt për të rritur kapacitetin e prodhimit të gomave në fabrikën e saj në Kruševac, përmes një investimi prej 55 milionë dollarësh për përmirësimin e pajisjeve dhe zgjerimin e hapësirave. Projekti, që mbështetet edhe nga 8 milionë dollarë stimuj nga qeveria serbe, do të hapë rreth 120 vende të tjera pune. Ky investim do të mundësojë prodhimin e gomave me diametër më të gjerë që kërkohen në Europë dhe tregje të tjera globale.
Agjencia për Zhvillim e Serbisë përdori stimujt dhe programet e saj promovuese për t’iu përgjigjur pandemisë. Sipas skemës së saj për bashkëfinancimin e projekteve të investimeve, 20 kontrata u nënshkruan në vitin 2020 me kompanitë që planifikonin të investonin rreth 1.4 miliardë dollarë dhe të krijonin afërsisht 5,000 vende pune.
U prezantuan forma të reja, për të mbajtur interesin e lartë për zonat e lira ekonomike, përfshirë masat për mbrojtjen e shëndetit, qiratë më të ulëta dhe një zhvendosje të transaksioneve dhe takimeve online sa më shumë që të jetë e mundur.
Pandemia gjithashtu veproi si një katalizator për të përshpejtuar Programin e Zhvillimit të Furnizuesve, i filluar në vitin 2019, i cili synon të përmirësojë përfitimet e Investimeve të Huaja Direkte (IHD). Megjithëse në fokusin e promovimit të investimeve mbeten projekte me kapital intensiv, veçanërisht në grupin e automobilave, ka një zhvendosje të dukshme nga aktivitetet me vlerë më të ulët të shtuar në projektet që lidhen me inovacionin, segmentet e teknologjisë së lartë, dixhitalizimin dhe kërkimin e zhvillimin.
Orientimi në industri e prodhim
JP EPS BEOGRAD, kompania shtetërore e energjisë, është më e madhja në Serbi, me qarkullim vjetor 2.5 miliardë euro në vitin 2020.
NIS A.D. NOVI SAD, me 1.5 miliardë euro të ardhura, është e dyta më e madhe. Sipas faqes së saj të internetit, NIS është kompania më e madhe e energjisë e integruar vertikalisht në Europë, me aktivitet kryesor në shfrytëzimin, prodhimin e rafinimin, shitjen dhe shpërndarjen e një sërë produkteve të naftës, si dhe zbatimin e projekteve të energjisë. Kompania shënoi rënie 30% të të ardhurave në 2020-n, e ndikuar nga ecuria negative e këtij segmenti globalisht.
Zinxhirët e tregtisë me pakicë janë gjithashtu mjaft të fuqishëm. Delhaize është e treta më e madhe në vend, me 910 milionë euro të ardhura, ndërsa Mercator, në vend të tetë. Të dyja sipërmarrjet shënuan rritje të lehtë, si rrjedhojë e orientimit të konsumit gjatë pandemisë drejt produkteve bazë.
Tigar Tyres, prodhuesi i gomave, që prej vitit 2007 është në pronësi të francezes Michelin, raportoi të ardhura 813 milionë euro, me tkurrje 8.5%.
FCA SRBIJA D.O.O. KRAGUJEVAC, që është prodhuesi i makinave FIAT, nuk ka pasur një vit pozitiv as në 2020-n, me tkurrje të qarkullimit vjetor me 28%, në rreth 400 milionë euro. Kompania ka mbi 2 mijë të punësuar.
Serbia është e orientuar nga industria dhe prodhimi, teksa në renditjen e më të mëdhave mbizotërojnë sipërmarrjet në fushën e minierave, gazit, industrisë së çelikut.
E zhvilluar është dhe industria farmaceutike, me tre sipërmarrje ndër 20 më të mëdhatë, që i përkasin këtij sektori.
MAQEDONIA E VERIUT, GODITJE NGA RËNIA E KONSUMIT, EKSPORTET NETO DHANË NDIKIM POZITIV
Ndonëse ekonomia e Maqedonisë së Veriut shfaqi shenja gjallërimi në muajt e fundit të 2020-s, tkurrja e konsumit të brendshëm dhe pasojat e forta që pati infeksioni në humbjen e jetëve të njerëzve e ndikuan negativisht ecurinë e vendit. Investimet ranë me 13% me bazë vjetore, sipas Komisionit Europian.
Megjithatë, eksportet neto dhanë një kontribut pozitiv (+1.3 pikë përqindje), që gjithsesi nuk arriti të neutralizonte efektin negativ të konsumit të brendshëm. Tregu i punës reagoi me vonesë ndaj krizës ekonomike (tkurrje -0.9 pikë përqindje gjatë gjithë vitit), me rënien e punësimit të femrave që ishte më e fortë.
Në vitin 2020, Maqedonia e Veriut miratoi Ligjin për Investimet Strategjike, për të krijuar kushte më të favorshme për investime të zgjedhura në sektorët e mëposhtëm: energji, transport, telekomunikacion, turizëm, prodhim, bujqësi dhe ushqim, pylltari dhe ekonomi ujore, shëndetësi, parqe industriale dhe teknologjike, ujëra të zeza dhe mbeturina të menaxhimit, sportit, shkencës dhe arsimit.
Prej vitesh, Maqedonia e Veriut po tërheq investime në industrinë automotive, që janë kthyer në gjeneratorë punësimi. Në listën e më të mëdhave të shtetit fqinjë mbizotërojnë sipërmarrjet prodhuese.
Johnson Matthey DOOEL, prodhuesi maqedonas i katalizatorëve dhe pjesëve të makinave, vijon të jetë më i madhi i Maqedonisë së Veriut, me të ardhura 1.7 miliardë euro në 2020, me tkurrje të lehtë prej 2%. Numri i të punësuarve i ka kaluar 1 mijë. Ky subjekt është dhe eksportuesi më i madh në Maqedoninë e Veriut dhe ka dy fabrika. Kompania është degë e sipërmarrjes britanike, Johnson Matthey Plc, më i madhi në botë për prodhimin e katalizatorëve për makina.
Sipas faqes zyrtare të internetit, kompania mëmë e zgjodhi Maqedoninë e Veriut për megafabrikën në Europë për prodhimin e katalizatorëve që kontrollojnë emetimet, në konkurrencë me 13 shtete të tjera të rajonit, përfshirë Republikën Çeke, Hungarinë dhe Sllovakinë. Në vitin 2012, kompania shfaqi interes për t’u zgjeruar dhe në Shqipëri, por Maqedonia e Veriut arriti t’i tërhiqte dhe për ndërtimin e fabrikës së dytë.
KROMBERG & SHUBERT MAKEDONIJA DOOEL Bitola, me aktivitet në prodhimin e sistemeve elektrike për automjetet, kishte të ardhura prej rreth 200 milionë eurosh, me rënie prej 12% në raport me vitin e mëparshëm. Numri i punonjësve i ka kaluar 6000.
Fabrika e autobusëve të Van Hool në Shkup, e përuruar në vitin 2014, kishte të ardhura prej 118 milionë eurosh, me tkurrje 34%. Kompania ka më shumë se 1 mijë të punësuar.
Zhvillimi i industrisë së automjeteve ka nxitur eksportet e vendit. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve ndaj PBB-së në Maqedoninë e Veriut i rezistuan krizës dhe ranë me vetëm 2 pikë përqindje (58.1%), referuar të dhënave të Bankës Botërore, ndërsa në Shqipëri, ky tregues ishte 2.5 herë më i ulët për 2020-n!
Maqedonia e Veriut ka të zhvilluar dhe industrinë farmaceutike. ALKALOID AD Skopje kishte të ardhura prej rreth 154 milionë eurosh në 2020-n, me rritje 20%, pas interesit të lartë për medikamente gjatë pandemisë. Kompani të tjera që panë rritje ishin ato të përqendruara në tregtinë me pakicë, si KAM DOO Skopje (167 milionë euro) dhe zinxhiri i supermarketeve VEROPULOS DOOEL SKOPJE, që për herë të parë u rendit ndër 20 më të mëdhatë.
EDHE BOSNJA MBAHET ME TREGTI E NAFTË
Në Bosnjë-Hercegovinë, ekonomia ra me 4.5% në raport me vitin 2019, kryesisht për shkak të eksporteve më të ulëta, konsumit privat dhe investimeve, ndërsa një rënie e fortë e importeve amortizoi një tkurrje edhe më të fortë të prodhimit. Në kahun e prodhimit, rënia e aktivitetit ekonomik ishte kryesisht rezultat i ecurisë shumë më të ulët në sektorin e tregtisë dhe shërbimeve, si dhe turizmit.
Bosnjë-Hercegovina ka strukturë të ngjashme të kompanive më të mëdha, sipas qarkullimit vjetor, me atë të Shqipërisë. Ndër 10 më të mëdhatë mbizotërojnë energjia, tregtia dhe nafta.
Në vendin e parë në renditjen e vitit 2020 ka kaluar kompania Bingo e Tuzlës, me aktivitet në tregtimin me pakicë, që është më e madhja private në vend, me 618 milionë euro të ardhura. Ajo është dhe një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, me rreth 7,600 të punësuar.
Operatori shtetëror i energjisë, Elektroprivreda BiH është në vendin e dytë, me të ardhura rreth 540 milionë euro.
Holdina d.o.o. Sarajevo, një nga kompanitë më të mëdha për shitjen e naftës dhe nënprodukteve të saj në tregun me shumicë dhe pakicë në Bosnjë, ka zbritur nga vendi i parë në të tretin, pas rënies së të ardhurave me 35%, një tendencë e ngjashme me shoqëritë “simotra” në të gjithë botën.
MALI I ZI, PSE KISHTE RËNIEN MË TË FORTË NË BALLKAN
Varësia e lartë nga turizmi dhe mbajtja e kufizimeve në muajt e verës bëri që ekonomia e Malit të Zi të shënonte rënie dyshifrore në 2020-n, prej -15.2%. Rënia e konsumit dhe e eksporteve iu shtuan kolapsit të turizmit, ndërsa dy paketat e qeverisë nuk arritën të ngadalësonin këtë tendencë. Punësimi u godit gjithashtu rëndë. Në mars 2021, norma e papunësisë arriti në 23.8%, nga 15.3% një vit më parë, sipas Komisionit Europian.
Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara për Investimet e Huaja, Mali i Zi, ekonomia më e vogël e rajonit, ishte një nga tre shtetet e Europës, bashkë me Kazakistanin dhe Bjellorusinë, që regjistruan prurjet më të larta të IHD-ve në vitin 2020, megjithëse nga një bazë e ulët (rritje 27% në 529 milionë dollarë), për shkak të një rritjeje të kredive brenda kompanive në prodhim dhe bankë.
Investimet e huaja në sektorin e pasurive të paluajtshme, të cilat tradicionalisht nxisin hyrjet në ekonominë e bazuar në turizëm, ranë me 35%. Shumica e IHD-ve e kanë origjinën nga Federata Ruse, Kina dhe Zvicra.
Teksa Mali i Zi është një vend i orientuar nga shërbimet dhe turizmi, që nxit konsumin, në renditjen e kompanive më të mëdha të Malit të Zi, sipas qarkullimit vjetor, mbizotërojnë subjektet e tregtimit me pakicë e shumicë dhe rrjetet e supermarketeve, me 3 të tilla ndër 10 kryesoret, sipas renditjes së vitit 2019, pasi të dhënat e 2020-s nuk janë të disponueshme.
Si kompania më e madhe në vitin 2019 u rendit operatori i energjisë, Elektroprivreda, me 337 milionë euro të ardhura.
Voli Trade është një tregtues me pakicë, me aktivitet kryesor në linjat e supermarketeve. Me mbi 2000 të punësuar, ai është punëdhënësi më i madh në Mal të Zi, sipas burimeve të veta zyrtare. Të ardhurat e kompanisë ishin 242 milionë euro në 2019-n, duke e renditur të dytin më të madh.
China Road & Bridge Corporation, e cila po ndërton projektin madhor të autostradës Veri-Jug, është në vend të tretë, me të ardhura 172 milionë euro.
Dy zinxhirë të tjerë të mëdhenj supermarketesh në Mal të Zi, që renditen përkatësisht në vend të katërt dhe të shtatë në dhjetë sipërmarrjet më të mëdha janë Hard Discount Lakovic, zinxhiri malazez i hipermarketeve, me 165 milionë euro të ardhura dhe Mercator, linjë e zinxhirit slloven, që në 2019-n raportoi 104 milionë euro të ardhura./Monitor