MENU
klinika

Nga pandemi në kirurgji plastike

Si Covid ndryshoi mënyrën se si i shohim fytyrat tona!

20.10.2021 - 10:29

Jane, një profesioniste 40-vjeçare e shëndetit mendor, nuk shqetësohej kurrë për mënyrën si dukej. Por kur puna e saj u bë plotësisht virtuale, ajo e gjeti veten të frikësuar nga takimet e Microsoft Teams. Fytyra e saj dukej më e rrumbullakët, hunda më e madhe dhe buza e sipërme dukej më e hollë se sa e kishte vënë re në pasqyrë.

“Unë gjithmonë kam menduar se jam tërheqëse dhe njerëzit gjithnjë më kanë komplimentuar, por në video, askush nuk po thoshte sa mirë ishte të shihje fytyrën time të bukur”.

Qershorin e kaluar, Jane provoi të frynte buzët me mbushës. Ajo ishte aq e kënaqur me rezultatet, sa planifikon ta përsërisë procesin çdo vit.

Ndërsa pandemia përfshiu masat me video-konferenca gjatë gjithë vitit 2020, studiuesit vunë re një fenomen që ata e quajtën “Dismorfia e Zoom”, ku Zoom i referohet një nga platformave për takime online. Pas muajsh takimesh virtuale, njerëzit u fiksuan duke parë fytyrat e tyre në ekran dhe duke perceptuar të meta fizike.

“Me të gjitha shqetësimet e tjera që kishim në dorë, ishte e habitshme për mua se sa të shqetësuar ishin njerëzit për pamjen e tyre”, thotë  Sadi Kourosh, dermatologe dhe estetiste.

Ndoshta edhe më befasuese: Kourosh thotë se tani, me kthimin në ndërveprimin personal, kërkesat për konsultim për procedurat kozmetike nuk po ngadalësohen.

Në një studim pasues të botuar në Gazetën Ndërkombëtare të Dermatologjisë së Grave, Kourosh dhe kolegët e saj zbuluan se 71% e individëve të anketuar ishin të shqetësuar për t’u kthyer në ndërveprime personale/fizike dhe 3 në 10 kishin plane të investonin në pamjen e tyre. Ndërsa këto shifra nuk i atribuohen vetëm Zoom-it, Teams-it etj, këto platforma kanë patur një ndikim të konsiderueshëm!

Efekti i “pasqyrës së funhouse”

Ndërsa studimet psikologjike e kanë lidhur kohën e kaluar para pasqyrës me pasiguri të shtuar, Kourosh thotë se të shohësh veten në ekran është më shumë si ta shohësh veten në një pasqyrë parku lojërash sesa në një të vërtetë. Kamerat e përparme të kombinuara me një fokus të ngushtë mund të shtrembërojnë pamjen e njerëzve, duke i bërë sytë të duken më të vegjël dhe hunda më e madhe. Plus, njerëzit nuk janë mësuar të shikojnë veten duke parë njerëzit e tjerë.

Mjekët e dinë se fotot e edituara, filtrat etj shkaktojnë dismorfi të trupit, por shumica e njerëzve janë mjaft të vetëdijshëm për të ditur që një filtër Snapchat nuk është jeta reale. Kourosh thotë se dismorfia e Zoom është më e fshehtë sepse njerëzit thjesht nuk ishin të vetëdijshëm se “video calls” shkaktonin shtrembërim.

Kjo ka bërë që shpesh, shumë njerëz të justifikohen me “nuk më punon kamera” ose “nuk kam internet të shpejtë”.

Një studente thotë për Guardian se “Zoom më ka bërë të dëshiroj të jem e padukshme dhe kjo është shoqëruar me vetmi”.

Një tjetër i ri, Sam, tha se provoi terapi për dismorfinë e trupit, por në fund vendosi të bëjë hundën. Pasi e bëri gjithçka ishte mirë në fillim, por tani ka diçka tjetër që e shqetëson fizikisht. Sam vendosi t’i kthehet përsëri terapisë kësaj radhe, dhe jo ndërhyrjeve.

Nëse ju ndiheni njësoj, kujtoni se në shumicën e rasteve, njerëzit nuk e kanë mendjen te asnjë nga gjërat që ju i shihni si “të shëmtuara” tek vetja dhe madje, ata as nuk i mendojnë si të tilla.

Flisni me një terapist përpara se të bëni ndryshime drastike në trup dhe fytyrë dhe konsultohuni vetëm me profesionistë të fushës. Bëni kërkime të detajuara para çdo hapi që ndërmerrni për veten!

Burimi: Guardian