Nga Chris Raggett, European Council on Foreign Relations
Fshehtësia e financave nuk është më si dikur. Publikimi më 3 tetor i “Pandora Papers”,i rreth 12 milionë dokumenteve të dekonspiruara që përshkruajnë në detaje skemat e panumërta të pastrimit të parave në nivel ndërkombëtar dhe shmangien e taksave, ishte sigurisht befasuese, por gjithsesi shumë e njohur.
I koordinuar nga një rrjet gazetarësh në 117 vende të botës, publikimi i këtyre dokumenteve pason disa prej zbulimeve të ngjashme të bëra vitet e fundit, si “Panama Papers” në vitin 2016, “Paradise Papers” në vitin 2017 dhe “FinCen Files” në vitin 2020.
Ashtu si atëherë, edhe tani mediat dhe grupet e shoqërisë civile po përpiqen t’u kërkojnë llogari qeverive për dështimin e tyre në pastrimin e sistemit financiar. Edhe një herë, gazetarët kanë demaskuar një sërë udhëheqësish kombëtarë, pushtetarë, lordë të krimit dhe personazhe të famshëm.
Për shumë njerëz që interesohen për këto çështje, “Pandora Papers”nuk janë vetëm një burim zhgënjimi dhe lodhjeje (edhe pse janë të tilla), por edhe një arsye tjetër për të denoncuar të metat teknike në mbrojtjen e vendeve perëndimore nga korrupsioni.
Në Britaninë e Madhe, kjo mund të shihet tek refuzimi i qeverisë për të financuar si duhet “Companies House”,apo për t’i kushtuar kohë në parlament projektligjeve të rëndësishme të transparencës, të cilat mund të sugjerojnë një bashkëpunim më të mirë në luftën kundër pastrimin e parave në shkallë të gjerë përmes kompanive off-shore dhe tregut të pronave.
Në Shtetet e Bashkuara, në mesin e problemeve është mungesa e qasjes publike në regjistraturat e pronësisë si dhe mungesa e transparencës rreth aseteve financiare, sikurse ndodhet me disa fondacione në shtetin e Dakotës së Jugut. Në Bashkimin Evropian, është bërë më e lehtë të thuhet se direktivat e bllokut kundër pastrimit të parave, dhe lista zyrtare e parajsave fiskale kanë të bëjnë më shumë me teatrin politik, sesa me zbatimin e rregullit dhe ligjit.
Gjithsesi, në disa vende evropiane, politika mund të kompensojë papërshtatshmërinë e politikës. Kryeministri çek Andrej Babis, sapo i humbi zgjedhjet pak ditë pasi “Pandora Papers”, zbuloi shumë para që ai kishte fshehur në parajsat fiskale. Sikurse e thekson politogu çek Jiri Pehe, “Babis ka humbur patjetër disa votues për shkak të këtij skandali”.
Dokumentet e dekonspiruara zbulojnë gjithashtu se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, që garoi me angazhimin për të luftuar korrupsionin dhe garantuar transparencën, ka të paktën një gjë të përbashkët me paraardhësin e tij, Petro Poroshenko:lidhje të ngushta me një rrjet të errët kompanish off-shore.
Mbetet e paqartë nëse këto lidhje do të ndikojnë mbi faktin nëse Zelensky do të zgjedhë apo jo të rikandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Por sigurisht që ky zbulim do t’ia bëjë më të vështirë që t`i bindë votuesit se ai ka qeverisur siç premtoi në fushatë.
Disa nga udhëheqësit evropianë më fleksibël në aspektin e etikës,do të pyesin veten se çfarë do të thotë për karrierën e tyre kjo rrjedhje e fundit e të dhënave. Për shembull, “Panama Papers” rrëzuan nga pushteti kryeministrin e Islandës. Dhe gazetarët sapo kanë filluar që të analizojnë sasitë e mëdha të të dhënave të“Pandora Papers”.
Që nga publikimi i “Panama Papers” 5 vite më parë, pabarazitë e sistemit financiar kanë mbetur po aq të dëmshme si kurrë më parë. Megjithatë, qëndrimet e ndryshuara të votuesve ndaj korrupsionit dhe krimit financiar, na japin një arsye për të pasur ende shpresë.
Siç e kam argumentuar pak kohë më parë në një studim, zhgënjimi publik nga korrupsioni qeveritar, është shndërruar në njënjë forcë të madhe në politikën perëndimore. Donald Trump u përpoq-dhe në fund dështoi – që ta përdorte këtë zhgënjim për të reformuar presidencën amerikane sipas imazhit të tij.
Por pasardhësi i tij, Joe Biden, është i angazhuar në misionin e kundërt:ai po përpiqet të forcojë normat dhe institucionet demokratike, duke e bërë luftën kundër korrupsionit një interes kryesor të sigurisë kombëtare. Dhe Evropa mund të mësojë shumë nga qasja e Biden.
Ndoshta politikë-bërësit amerikanë kanë të drejtë që t’i japin prioritet anës teknike të kësaj lufte. Siç e thekson analisti i politikave Josh Rudolph, Uashingtoni do të ketë nevojë që të ndëshkojë mundësuesit e krimit financiar, në rast se do që të ketë sukses në “atë që mund të bëhet nisma më gjithëpërfshirëse e politikës kundër korrupsionit dhe kleptokracisë në historinë e SHBA-së”.
Për të luftuar “korrupsionin strategjik” për të cilin flet Biden, duhet të kuptohet se si kleptokratët në të gjithë botën po i përdorin kompanitë perëndimore dhe sistemet ligjore të qëndrueshme për të arritur qëllimet e tyre politike. Por në një demokraci, fushatat afatgjata kundër kërcënimeve të vazhdueshme, mund të jenë po aq të varura nga mbështetja e votuesve sa edhe nga ligjet.
Siç e tregoi edhe tërheqja e NATO-s nga Afganistani, fushata të tilla është e vështirë të mbahen në këmbë për shumë kohë pasi publiku e humbet interesin. Duke pasur parasysh këto konsiderata, ka shumë rëndësi që rreth 60 për qind e qytetarëve të BE-së e shohin korrupsionin qeveritar si një problem të madh.
Partitë politike evropiane duhet ta shfrytëzojnë këtë zhgënjim popullor për të krijuar një konsensus me bazë të gjerë mbi këtë luftë, gjë që është e rrallë në Perëndim. Në Britani, ku 45 për qind e votuesve e shohin shumicën e politikanëve si të korruptuar, Sekretarja e Jashtme në hije e Partisë Laburiste, Lisa Nandy, ka propozuar ngritjen e një grupi pune për të luftuar“paratë e pista dhe fitimet e pandershme”.
Siç kanë pranuar vetë zyrtarët britanikë, Londra është një nga destinacionet kryesore në botë për pastrimin e parave nga ish-shtetet sovjetike. Situata është rënduar pas vendimit të kryeministrit Boris Johnson për të vonuar dhe rrëzuar një raport të Komitetit të Inteligjencës dhe Sigurisë të vitit 2019 mbi ndikimin e Kremlinit në politikën britanike, dhe për të emëruar në Dhomën e Lordëve djalin e një ish-oficeri të pasur të KGB-së.
Po kështu janë lidhjet e supozuara midis dy donatorëve kryesorë të Partisë Konservatore dhe Kremlinit. Nën dritën e gjithë kësaj, qeveria britanike duket se është e interesuar të ruajë statuskuonë e sistemit financiar dhe rendit juridik në të cilin bazohet vendi. Dy donatorët, Lubov Chernukhin dhe Mohamed Amersi, figurojnë në“Pandora Papers”.
Partitë politike evropiane mund të pajtohen me mosfunksionimin e sistemit financiar, duke e lejuar atë të vazhdojë të sigurojë pandëshkueshmëri për të pasurit dhe të fuqishmit, duke përfshirë në fondet e fushatave etje para me origjinë të dyshimtë.
Por, nëse ato e bëjnë këtë bazuar në bindjen se publiku nuk shqetësohet aspak për çështje të tilla, kjo mund të bëhet një profeci vetë-përmbushëse. Në rastin më ekstrem, kjo qasje mund të krijojë ngjashmëri me mjedisin politik të shteteve autoritare, në të cilat liderët përpiqen t’i urtësojnë qytetarët, duke i bindur ata se politika është natyrshëm e korruptuar, dhe se bota është një vend i errët dhe i rrezikshëm ku të gjithë vjedhin.
Atëherë pse të përpiqen ata t`i ndryshojnë gjërat? Ndërsa nismat siç janë grupet e punës për financimet e paligjshme, nuk kanë gjasa të ndryshojnë qëndrimet e votuesve në vetvete, ato mund të jenë një pjesë e rëndësishme e një fushate afatgjatë për t’i detyruar qeveritë të japin llogari për mosgatishmërinë e tyre për të adresuar shqetësimet popullore në lidhje me korrupsionin.