Prej dy ditësh kryeministri Edi Rama ndodhet në Egjipt, ku është takuar me krerët më të lartë të shtetit, mes tyre edhe me Presidentin Abdul-Fattah Sisi, për të cilin kryeministri nuk i kurseu falenderimet edhe publikisht gjatë konferencës për mediat.
Sot media Egypt Indipendent ka zbardhur detaje nga vizita e Ramës dhe takimi me Presidentin egjiptian. Gjatë takimit zhvilluar në Pallatin Presidencial u prekën tema të tilla si bashkëpunimi ekonomik, rritja e shkëmbimit tregtar dhe rritja e investimeve reciproke në sektorë të ndryshëm. Sisi diskutoi rëndësinë e konsultimeve të rregullta politike me Shqipërinë gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Zëdhënësi i presidencës egjiptiane Bassam Rady tha se Presidenti Sisi i uroi mirëseardhjen kryeministrit shqiptar dhe shprehu krenarinë e vendit të tij për miqësinë dhe lidhjet historike mes dy kombeve. Egjipti kërkon të zgjerojë bashkëpunimin e tij me Shqipërinë në fusha të ndryshme, tha ai. Rady shtoi se Sisi e përgëzoi Shqipërinë për marrjen e një vendi jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga viti 2022 deri në vitin 2023 dhe vlerësoi se si të dyja vendet janë të harmonizuara në vizionet e tyre për shumicën e çështjeve rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe koordinimin pozitiv në forume të ndryshme ndërkombëtare. Sisi diskutoi rëndësinë e konsultimeve të rregullta politike me Shqipërinë gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, shkruan më tej kjo medie.
Rama ka nënvizuar dëshirën e tij për të avancuar bashkëpunimin dypalësh me Egjiptin.
“Kryeministri shqiptar shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për Presidentin Sisi, duke theksuar forcën e lidhjeve historike midis dy vendeve mike. Ai shprehu aspiratën e vendit të tij për të avancuar bashkëpunimin dypalësh me Egjiptin në të gjitha fushat, veçanërisht në dritën e përpjekjeve të palodhura të Egjiptit për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, si dhe rolin kryesor që Egjipti luan në nivelin rajonal në Lindjen e Mesme dhe Detin Mesdhe. Kryeministri shqiptar tha se ishte i etur për të ndjekur zhvillimin e paprecedentë që Egjipti po përjeton nën udhëheqjen e Presidentit Sisi, në vitet e fundit, dhe interesin e vendit të tij për të përfituar nga përvojat frymëzuese egjiptiane në këtë kontekst për t’i zbatuar ato në Shqipëri”, shkruan media “Egypt”.
Kreu i qeverisë shqiptare është pritur me ceremoni shtetërore nga autoritetet në Egjipt nga homologu i tij, Moustafa Madbouly. Pas pritjes zyrtare në aeroport, dy kryeministrat janë drejtuar drejt godinës qeveritare, ku nënshkruan edhe 3 marrëveshje në lidhje me bashkëpunimin kulturor mes Egjiptit dhe Shqipërisë. Tirana dhe Kajro do të lidhen në mënyrë direkte me një linjë të posaçme ajrore. Ishte ky angazhimi u mor nga kryeministri gjatë vizitës së tij zyrtare. Ai tha se kjo linjë do jetë një mundësi jo vetëm për të afruar më shumë dy vendet, por edhe për të zhvilluar turizmin. E për të çuar më tej këtë angazhim, kryeministri egjiptian dha lajmin se muajin e ardhshëm Tirana do të mirëpresë mbledhjen e parë të komitetit për bashkëpunim teknik shkencor dhe kulturor mes Shqipërisë dhe Egjiptit. be