Të hënën në vend do të nisë doza e tretë anti-Covid për të gjithë të moshuarit mbi 60 vjeç. Në vendimet e fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve u rekomanduar që për të gjithë të moshuarit mbi këtë moshë të marrin një dozë përforcuese të vaksinës anti-Covid.
Edhe të rinjtë mbi 16 vjeç do të mund të marrin vaksinën anti-Covid. Ndërsa fëmijët mbi 12 vjeç do i nënshtrohen vaksinimit me autorizimin e prindërve dhe vetëm nëse kanë probleme shëndetësore.
Ndërkohë për të rritur mbulesën vaksinale grupet e vaksinatorëve do të vijojnë të qëndrojnë nëpër universitete.
Deri tani është vaksinuar 35 % e popullsisë, ndërsa janë imunizuar plotësisht me të dyja dozat 31 % e popullsisë shqiptare. Aktualisht në Shqipëri po vaksinohet me vaksinat Pfizer, Astra Zeneca dhe Coronavac.
Deri tani në vendin tonë kanë mbërritur mbi 2 milionë e 500 mijë vaksina anti-Covid. Vaksinimi është i hapur për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç.