MENU
klinika

Tamponët javorë, kosto e papërballueshme për të rinjtë

Vaksinimi me detyrim po i çon studentët drejt kartonëve fiktivë!

21.10.2021 - 10:54

Paraqitja e certifikatës së vaksinimit si kusht për t’u futur në auditorë, ka detyruar disa të rinj të gjejnë mënyra fiktive për ta siguruar kartonin, por pa kryer injeksionin. Një e mesme e artë që respekton të drejtën e të riut për të mos injektuar vaksinë antiCOVID dhe mos thyer urdhrin e qeverisë.

Portali “Faktoje” e ka dokumentuar këtë përmes një personazhi, studente që parashtron arsyet e saj përse zgjodhi këtë rrugë të mesme.

“Nuk dëshiroj të bëj vaksinën, sepse jam në moshë të re dhe nuk kemi akoma asnjë studim se çfarë efektesh anësore ka në terma kohor afatgjatë. Gjithashtu, mendoj se kjo tregon dhe një dështim të Ministrisë së Shëndetësisë se detyrimi nuk ka zgjidhur asgjë në shëndetin publik. E së fundmi, vaksina nuk më mbron mua të mos infektohem, më ndihmon thjesht të mos hospitalizohem, pra gjithsesi unë mbetem një vektor transmetimi, pra argumenti kryesor i MSH-së që vaksinohuni që të mos infektoni të tjerët, bie që këtu poshtë”.

Tamponi çdo javë, sipas së intervistuarës është i papërballueshëm, jo vetëm për të, por edhe bashkëmoshatarët e saj, të cilët shpesh nuk ia dalin dot dhe detyrohen që krahas studimeve edhe të punojnë për të jetuar. Për teste javore, as që bëhet fjalë.

“Do bëj tampon çdo javë sipas urdhrit, por ato kushtojnë goxha për xhepin e një studenti, sidomos tani që kanë filluar të rriten përsëri çmimet e tamponëve. Kjo është zgjidhja ime, në fund të fundit jemi në një vend demokratik jo në komunizëm”, shprehet studentja.

Çmimet për të kryer një test në strukturat laboratorike private variojnë nga 2200 deri në 6500 lekë, shumë që në rast se shumëzohet me katër javë përkthehet në 26 mijë lekë në muaj. Në pamundësi për t’i detyruar studentët, por pa dashur të thyejnë urdhrin e qeverisë, ekipi i pedagogëve e titullarëve të universiteteve po bën punë bindëse për t’i shtyrë ata drejt vaksinimit. Në pjesën dërrmuese, nuk i kanë privuar nga mësimi.