MENU
klinika

Sportelet ku duhet të aplikoni

Vërtetimet për periudha pune në ish-Kooperativat Bujqësore

08.10.2021 - 18:19

Krahas agjencive lokale të sigurimeve shoqërore, për vërtetimet mbi periudhat e punës të kryera në ish-Kooperativat Bujqësore (KB) mund të aplikohet edhe pranë sporteleve të Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), të cilat ofrojnë shërbim edhe në qytetet: Kavajë, Krujë, Fier dhe Gjirokastër.

Ekspertët e sigurimeve sqarojnë se ky vërtetim kontributesh jepet për çdo person i cili është i siguruar në Kooperativa Bujqësore (KB) dhe ka të drejtë të aplikojë për t’u pajisur me vërtetim për derdhjen e kontributeve të tij. Vërtetimi mund të shërbejë për arsye të ndryshme, si për të aplikuar për pension, për plotësimin e vjetërsisë së duhur të punës që duhet për të qenë pjesë e skemës së përfitimeve që rrjedhin nga sigurimet shoqërore, ose edhe për efekt dokumenti për arsye të tjera.

Pesë janë dokumentet që do t’ju kërkohen për të siguruar këtë vërtetim. Konkretisht gjatë aplikimit duhet të paraqisni një fotokopje të nënshkruar të letërnjoftimit elektronik, numrin unik të Identifikimit të Subjektit (NUIS), fotokopjen e librezës së punës, deklaratën për vitet e punës, si dhe një certifikatë martesore. Aplikimet për sigurimin e këtij vërtetimi pranë sporteleve të ADISA-s mund të bëhen çdo ditë nga e hëna në të premte nga ora 08:00, deri në orën 15:00. Ndërsa pranë sporteleve të agjencive lokale të sigurimeve shoqërore aplikimet mund të bëhen nga ora 08:30-16:00 nga e hëna në të premte, si dhe ditën e shtunë nga ora 08:30-12:00. Koha e marrjes së vërtetimit pasi të keni bërë aplikimin zgjat deri në 30 ditë, ndërkohë që në asnjë rast nuk kërkohet që të paguani ndonjë tarifë për marrjen e këtij shërbimi.

Sportelet e ADISA ku mund të aplikoni për vertetimin gjenden në:

“Pallati i Kulturës i Kavajës”, Kati i parë, pranë Shëtitores “Josif Buda”, Kavajë.
“Lagjia numër 1”, Krujë.
“Shtëpia e Ushtarakëve” Lagjia “11 Janari”, Fier.
“Bulevardi 18-Shtatori” ish-Shtëpia Oficerave, Gjirokastër.
Agjencitë Lokale të Sigurimeve Shoqërore gjenden në çdo qytet të Shqipërisë.