Partia Demokratike kërkon veting për politikanët, të njëjtin proces siç ndodh me prokurorët dhe gjyqtarët. Në relacionin që shoqëron propozimet e Partisë Demokratike për ndryshimet kushtetuese, theksohet që “vetingu i politikanëve të kryhet nga SPAK-u dhe të kalojë në dy filtra shtesë: Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe Gjykata Kushtetuese.
Bazuar në të gjitha argumentet si më sipër, nga pikëpamja teorike dhe praktike, rezulton se për shkak të rrethanave specifike aktualisht në Shqipëri, futja e një mekanizimi special verifikimi për zyrtarët publik, është i nevojshëm dhe legjitim”.
Një tjetër propozim i PD-së është zhbërja e ndryshimeve kushtetuese që lidhen me reformën zgjedhore të 30 korrikut, duke kërkuar një diskutim të gjerë dhe jo të nxituar për këtë reformë. “Debati për sistemin zgjedhor duhet të jetë i gjerë dhe t’u mundësojë palëve të interesit të parashtrojnë efektet pozitive dhe negative të kësaj reforme”, thuhet në relacionin e selisë blu për këtë ndryshim kushtetuese. Gjithashtu demokratët kërkojnë ndërhyrje dhe në reformën territoriale. Relacioni që shoqëron këtë propozim, nënvizon faktin se kjo reformë nuk përmirësoi shërbimet për qytetarët.
“Për shkak të bashkimit të Bashkive dhe Komunave në një bashki të vetme, banorët kryesisht të zonave rurale janë braktisur dhe nuk marrin asnjë shërbim, duke sjellë pasoja në jetën e tyre për shkak të mungesës së shërbimeve. Edhe pse banorët e zonave rurale paguajnë të njëjtat taksa dhe tarifa vendore, është evidente që ato nuk arrijnë të marrin asnjë shërbim në shumicën dërrmuese të zonave rurale”, thuhet në relacionin e PD-së.
VETINGU NË POLITIKË
Procesi i vetingut që përfshin vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar dhe ligjshmërinë e pasurisë zbatohet për gjyqtarët dhe prokurorët. Ndërkohë me ligj të veçantë, i njëjti vlerësim është shtrirë tashmë edhe për punonjësit e Policisë së Shtetit apo Gardës së Republikës. Pra, është fakt që procesi i vetingut nuk aplikohet për zyrtarët e tjerë të lartë publikë, ku përfshihen deputetët, Kryeministri, ministrat, dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese. Zbatimi i së njëjtave norma dhe parime të vetingut për vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar edhe për politikanët dhe zyrtarët e të tjerë të lartë publikë, do të kontribuojnë në demokratizimin e qeverisjes në vend. Gjithashtu, kjo do të parandalonte aleancat e fshehta e të drejtpërdrejta, para dhe pas zgjedhjeve, midis politikanëve dhe grupeve kriminale.
Dekriminalizimi i plotë dhe zbatimi i së njëtave norma të vetingut për vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar dhe ligjshmërinë e pasurisë, duhet të zbatohet edhe ndaj zyrtarëve të lartë publikë, ku përfshihen deputetët, Kryeministri, ministrat, kryebashkiakët dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese. Kjo garanton parimin e barazisë përpara ligjit, dhe përbën një premisë për një qeverisje të pandikuar nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, duke pastruar nga radhët e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, individë të lidhur me krimin e organizuar dhe të korruptuar.
Sipas projektligjit, subjektet që i nënshtrohen vetingut, dorëzojnë një deklaratë dhe i nënshtrohen kontrollit të figurës, dhe një deklaratë përmbledhëse të pasurisë së tyre dhe i nënshtrohen kontrollit të thelluar të pasurisë, me qëllim identifikimin e atyre që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar apo pasuri të pajustifikuar ligjërisht.
Nëse subjekti që i nënshtrohet vetingut ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, nuk e dorëzon në kohë deklaratën për figurën apo përpiqet të bëjë deklarime të pasakta, ose të fshehë kontaktet të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, apo nuk justifikon dot ligjërisht pasurinë e tij, atëherë sipas ligjit ndaj tij zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.
Të gjitha këto çështje janë specifikuar në draft, ku veçanërisht parashikohet që vetingu i politikanëve të kryhet nga SPAK, dhe të kalojë në dy filtra shtesë: Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe Gjykata Kushtetuese. Bazuar në të gjitha argumentet si më sipër, nga pikëpamja teorike dhe praktike rezulton se për shkak të rrethanave specifike aktualisht në Shqipëri, futja e një mekanizimi special verifikimi për zyrtarët publikë është i nevojshëm dhe legjitim.
REFORMA ZGJEDHORE
Një tjetër ndryshim i propozuar është zhbërja e ndryshimeve të njëanshme kushtetuese të 30 korrikut 2020 që lidhen me zgjedhjet, akt i cili cenoi rëndë besimin e publikut te zgjedhjet. Mbi këtë veprim të paprecedentë të maxhorancës, është shprehur edhe Komisioni i Venecias në Opinionin nr. CDLAD(2020)036.
Komisioni i Venecias dhe ODIHR-i kanë rikujtuar se reforma e suksesshme zgjedhore ndërtohet mbi së paku tri elementët në vijim: 1) legjislacion i qartë dhe gjithëpërfshirës që përmbush standardet ndërkombëtare dhe adreson rekomandimet e mëparshme; 2) miratimin e legjislacionit me konsensus të gjerë pas konsultimeve të gjera publike me të gjithë palët e interesit; 3) angazhim politik për ta zbatuar në tërësi dhe në mirëbesim legjislacion zgjedhor. Debati për sistemin zgjedhor duhet të jetë i gjerë dhe t’u mundësojë palëve të interesit të parashtrojnë efektet pozitive dhe negative të kësaj reforme.
Procedura për miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë të 30 Korrikut ishte jashtëzakonisht e nxituar në vlerësimin e pavarur të ekspertëve të Komisionit të Venecias. Edhe pse Komisioni i Venecias dhe ODIHR-i nuk kanë analizuar pajtueshmërinë e procesit të rishikimit me ligjin e brendshëm, ata kanë vërejtur se procedura zyrtare në Kuvend ishte jashtëzakonisht e shkurtër (rreth një javë) dhe se i gjithë procesi që nga paraqitja e nismës e deri tek miratimi zgjati vetëm një muaj. Nuk ka ndonjë standard ndërkombëtar se sa duhet të zgjasë procedura në Kuvend, por duhet të garantojë diskutim publik të thelbit të ndryshimeve.
Për Komisionin e Venecias i gjithë procesi ishte i nxituar, duke pasur parasysh rëndësinë e mundshme të ndryshimeve kushtetuese për zgjedhjet e ardhshme. Për më tepër, miratimi i ndryshimeve në Kushtetutë u bë më pak se 9 muaj para zgjedhjeve të radhës. Në një rast të tillë, konsultimet midis aktorëve politikë dhe organizatave joqeveritare është veçanërisht me rëndësi. Të njëjtat shqetësime kanë të bëjnë edhe me miratimin e ndryshimeve të 5 tetorit në një legjislacion themelor, siç është Kodi Zgjedhor.
HARTA TERRITORIALE
Reforma territoriale në Shqipëri, që në nisje, është shoqëruar me debate të shumta. Ajo u miratua nga shumica qeverisëse pa marrë në konsideratë opinionin e qytetarëve, për shkak të mungesës së një referendumi duke i riorganizuar NJQV nga 373 njësi (12 qarqe) në 61 bashki (12 qarqe). Misioni i Këshillit të Europës i vitit 2016 ka nxjerrë në pah se reforma e qeverisjes vendore në Shqipëri ka krijuar probleme të shumta dhe ka avancuar në mënyrë të pabarabartë, duke krijuar konfuzion mbi kompetencat dhe akuza për favoritizëm. Raporti i misionit që kryesohej nga raportuesi holandez, Jos Wienen, zëvendëspresident i Komitetit Monitorues të Kongresit është shprehur se:
“Pavarësisht përpjekjeve për të siguruar mbështetje të përfaqësuesve të rinj të zgjedhur përmes Agjencisë së Zbatimit të Reformës Territoriale, zbatimi i procesit në nivel lokal duket të jetë i ngadalshëm dhe ndonjëherë i pavolitshëm. Konfuzioni në lidhje me kompetencat dhe burimet financiare ende duket se është i përhapur gjerësisht mes të zgjedhurve të rinj, duke kërcënuar zbatimin siç duhet dhe në kohë të reformës”. Raporti i misionit është gjithashtu kritik edhe kur bëhet fjalë për burimet financiare të alokuara për të mbështetur këtë reformë, duke u shprehur se “…transparenca e procesit të dhënies së granteve është një çështje shqetësuese, sepse ‘Fondi i Zhvillimit të Rajoneve’ menaxhohet nga qeveria qendrore dhe kështu ajo dyshohet për favorizim politik”
Për shkak të bashkimit të bashkive dhe komunave në një bashki të vetme, banorët kryesisht të zonave rurale janë braktisur dhe nuk marrin asnjë shërbim, duke sjellë pasoja në jetën e tyre për shkak të mungesës së shërbimeve. Edhe pse banorët e zonave rurale paguajnë të njëjtat taksa dhe tarifa vendore, është evidente që ato nuk arrijnë të marrin asnjë shërbim në shumicën dërrmuese të zonave rurale.