Palllati i Kulturës në Vlorë ka rënë pre e një grabitjeje ditën e djeshme rreth orës 23:00. Një person ende i paidentifikuar është futur me thyerje në ambientet e brendshme të zyrave të Administrimit të tokës, ku bëhet me dije se ka marrë prej aty disa dokumente.
Nuk dihen ende shkaqet dhe motivet e kësaj ngjarje të rëndë, ndërkohë që policia po vijon punën për identifikimin dhe arrestimin e grabitësit.
Vlorë/Informacion paraprak
Më datë 11.10.2021, rreth orës 23:30, tek Pallati i Kulturës, Vlorë, dyshohet se një shtetas ende i paidentifikuar, ka vjedhur me thyerje në zyrat e qarkut, ku ka marrë disa dokumente.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe fiksimin e çdo prove materiale që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit.
Deklarata e Drejtorit Bardhi Gjika pas grabitjes
Rreth orës 00:15 minuta jam njoftuar që kanë hapur zyrat. Një person ka ardhur me mjete të forta dhe ka hapur zyrat. Zyrat e pronave. Erdha këtu, gjeta policinë dhe rojet, dhe po merret policia. Po bëjmë një inventar për të parë se çfarë mungon. Është hapur edhe zyra e drejtorisë dhe administrimit të mbrojtjes së tokës. Që është kjo zyrë dhe zyra tjetër. Nuk kemi për të thënë vjedhje dosjesh sa të mbarojë inventari. Këto janë zyra të një rëndësie, nuk janë si zyrat e tjera.
Nëse ka humbur një dokument origjinal, ka një rrezik se mund të mos krahasohet me një dokument tjetër fotokopje. Zyrat monitorohen nga kamerat. Roja e ka konstatuar dhe ka njoftuar. Ka hyrë nga dritarja te zyra e zëdhënësit dhe pastaj ka dalë nga dera kryesore.