Në Shqipëri numri i viktimave nga Koronavirusi regjistroi një rënie gjatë javës së fundit (5 – 11 tetor), e para që prej fundit të muajit korrik. Të dhënat zyrtare, të përpunuara nga Zëri i Amerikës, tregojnë se në total bëhet fjalë për 59 persona të cilët kanë humbur jetën. E mërkura e kaluar shënoi dhe ditën me më shumë vdekje, 12 të tilla, ndërsa në 24 orët e fundit, u rregjistruan 9 viktima të tjera: 1 qytetar nga Durrësi 46 vjeç, 1 qytetar nga Mirdita 48 vjeç, 2 qytetarë nga Tirana të moshave 58 dhe 78 vjeç, 2 qytetarë nga Vlora 66 dhe 80 vjeç, 1 qytetar nga Saranda 69 vjeç, 1 qytetar nga Korça 73 vjeç dhe 1 qytetar nga Kruja 82 vjeç.
Dhe gjendja në spitalet Covid, përfshirë dhe numrin e atyre që trajtohen në terapi intensive. ka ardhur duke u përmirësuar. Deri të hënën pasdite, sipas të dhënave zyrtare, kishte 161 pacientë, nga të cilët 15 ishin në gjendje të rëndë. Të hënën e një jave më parë ka patur 20 pacientë më shumë, ndërsa në terapi intensive po trajtoheshin 38 qytetarë.
Për të tretën javë radhazi, rastet e reja po ashtu, shënuan rënie, duke zbritur në 3162 të infektuar rishtazi, ose 17.1 përqind më pak se sa në javën pararendëse (28 shtator – 4 tetor). Niveli më i ulët ishte në 24 orët e fundit, me vetëm 195 raste në 25 nga 61 bashkitë që ka vendi: 109 në Tiranë, 10 në Fier, 7 në Durrës, Kamëz, Vlorë, Berat, 6 në Lushnje, Mallakastër, 5 në Kukës, 4 në Lezhë, Kurbin, Krujë, Peqin, 3 në Gjirokastër, 2 në Përmet, 1 në Shkodër, Mirditë, Kavajë, Bulqizë, Delvinë, Finiq, Tepelenë, Skrapar, Poliçan, Gramsh.
Edhe pozitiviteti (raporti mes testimeve dhe rasteve të reja) zbriti në nivelin 13.7 përqind, nga 15.2 që ishte një javë më parë. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.
Tendenca e një situate në përmirësim vihet re dhe në rënien progresive të rasteve ende aktive, 6.952 në të gjithë vendin nga 8.655 që ishin në javën pararendëse. MBi 44 përqind e tyre janë vetëm në Tiranë, ndërkohë që në qarqet e tjera numri është poshtë kuotës së 1 mijë rasteve aktive./VOA