MENU
klinika

Kontrolle të shtuara në qytet, ndalohen makinat e dyshimta

Vrasja e nënkomisarit Saimir Hoxha/ Policia “blindon” Lezhën!

01.10.2021 - 22:37

Vrasja e nënkomisarit të Lezhës, Saimir Hoxha mëngjesin e së martës duket se ka vendosur në lëvizje strukturat e policisë.

Blutë e Lezhës kanë shtuar kontrollet duke rritur numrin e patrullimeve nga policia e rendit dhe rrugorja duke ndaluar automjetet në të cilin mund të lëvizin persona të dyshimtë.

Panorama.al mëson se uniformat blu janë vendosur në pika të ndryshme të qytetit, kryesisht gjatë orëve të mbrëmjes.

NGJARJA

Oficeri i krimeve, Saimir Hoxha, me origjinë nga Puka, mbeti i vrarë në krye të detyrës pasi ishte kthyer pas asgjësimit të një parcele me kanabis. Në kthim, efektivi Hoxha së bashku me katër kolegë të tjerë, përfshirë edhe shefin e krimeve, kanë konstatuar një automjet të dyshimtë në hyrje të lagunës së Vainit.

Menjëherë policët i kanë dhënë sinjal automjetit për të ndaluar, në të cilin ndodhej 21-vjeçari Aldi Rama, bashkë me dy persona të tjerë. Por sapo Saimir Hoxha ka zbritur nga makina e Policisë, 21-vjeçari Aldi Rama ka qëlluar disa herë me pistoletë në drejtim të tij, duke e lënë fillimisht të plagosur oficerin e Policisë, por ai ndërroi jetë rrugës për në spital, pasi njëri nga plumbat e kishte prekur në pjesën e zemrës. Nga të shtënat me armë nuk pati të lënduar në radhët e efektivëve të tjerë.

Saimir Hoxha, me origjinë nga Puka, ka një karrierë të gjatë në Policinë e Shtetit, ndërsa prej shumë vitesh ishte oficer krimesh në Komisariatin e Policisë në Lezhë. Ai ka qenë i martuar dhe babai i dy fëmijëve të mitur.