Pas përfundimit të zgjedhjeve tek ne dhe në Bullgari ka gjasa të mira që të gjendet zgjidhje për veton bullgare. Kjo deklaratë e kryeministrit Zoran Zaev vjen pasi Kryeministri teknik bullgar, Stefan Janev, tha se në dialogun me Maqedoninë nuk duhet të varrosemi në të kaluarën, por të kërkojmë zgjidhje për të ardhmen. Kryeministri Zaev nënvizoi se pas përfundimit të zgjedhjeve politikanët janë më të arsyeshëm.
“Kur të përfundojnë zgjedhjet, të gjithë politikanët edhe tek ne, por edhe në Bullgari dhe gjithandej do jenë më të arsyeshëm dhe më të përgjegjshëm se sa para zgjedhjeve. Me përfundimin e zgjedhjeve tek ne dhe në Bullgari, kjo është arsyeja e parë që kemi një shans të mirë. Arsyeja e dytë është se në bisedime lëvizim në rrugë të mirë. Mirëkuptimi i ndërsjelltë çdo ditë e më shumë është prezent në bisedime dhe besoj se përmes dialogut do të konfirmojmë fqinjësi të mirë.”
Ndërsa Presidenti Pendarovski në një intervistë për gazetën greke “To vima” ka deklaruar se edhe përskaj plotësimit të të gjitha parakushteve nga ana e Maqedonisë së Veriut, situata me Bullgarinë po pengon fillimin e bisedimeve. Ai shprehet optimist se me qeverinë e re në Bullgari do të vazhdojnë bisedimet.
Stevo Pendarovski: Do të vazhdojmë të veprojmë në mënyrë konstruktive në bisedimet me Sofjen zyrtare. Zgjidhja në bisedimet me Bullgarinë duhet të jetë në pajtueshmëri me Marrëveshjen për Miqësi dhe Bashkëpunim mes dy vendeve dhe të respektojë të drejtën e vetëvendosjes së kombit tonë, si dhe identitetin kombëtar dhe gjuhën maqedonase. Shpresojmë se pas zgjedhjeve atje, do të vazhdojmë bisedimet me kryetarin e sapo zgjedhur dhe qeverinë politike me pushtet të plotë.”
Pendarovski ka folur edhe për Marrëveshjen e Prespës, ndërsa këto komente i ka bërë në prag të vizitës së tij në Greqi, të paralajmëruar për më 5 dhe 6 tetor.