Athina zyrtare e ka konsideruar rinovimin e marrëveshjes pesëvjeçare të bashkëpunimit ushtarak greko-amerikan si një tjetër “sukses të madh të politikës së jashtme greke ” dhe një përmirësim cilësor të marrëdhënieve me Uashingtonin.
Sipas zëdhënësit të qeverise, garancitë amerikane për sigurinë dhe integritetin e Greqisë janë pasqyruar në mënyrë eksplicite edhe në letrën motivuese të kreut të diplomacisë amerikane Anthony Blinken drejtuar kryeministrit Mitsotakis ku theksohet se marreveshja tregon vendosmëri te qëndrueshme dhe reciproke për të mbrojtur sigurinë, sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të te dy vendeve nga veprimet që kërcënojnë paqen,apo nga sulmet e armatosura.
Nikos Dendias, Ministër i Jashtëm i Greqisë: Do të thotë më shumë prani amerikane në Greqinë kontinentale dhe veçanërisht në Thrakë, në Greqinë verilindore, e cila është një zonë me rëndësi të veçantë si për ne grekët, por edhe për NATO -n dhe ShBA-ne. Dhe është mjaft afër kufirit me Turqinë, disa kilometra larg kufirit tonë me Turqinë, gjë që i shton një element tjetër të rëndësisë kësaj marrëveshjeje.
Kreu i diplomacisë greke që ka nënshkruar marrëveshjen me homologun amerikan thekson se ajo si dhe pakti Greko-Francez i nënshkruar dy javë më parë, janë një votëbesim për rolin stabilizues të Greqise në Mesdheun Lindor.
Nikos Dendias, Ministër i Jashtëm i Greqisë: A është Turqia në shënjestër përmes ketyre marrëveshjeve? Përgjigja ime e qartë është jo, aspak. Ne do të donim që në të ardhmen Turqia të ishte pjesë e këtij mirëkuptimi.
Konkretisht marrëveshja parashikon lehtësi për forcat amerikane në Greqi që do të mund të stërviten dhe të veprojnë në më shumë zona të vendit ku është rënë dakord, si në Suda të Kretës, ku objektet e Bazës Detare po zgjerohen, për të akomoduar anije luftarake të mëdha amerikane, në bazën e helikopterëve në Stefanovikio, në selinë e trupave detare amerikane në Volos, në Litochoro pranë Selanikut ku amerikanët do përdorin poligonin e qitjes, në Larisa me bazën e avionëve F-15 dhe dronëve dhe në portin e azhurnuar në infrastrukturë të Aleksandrupolit që do të përdoret për lëvizjen e forcave amerikane drejt dhe nga Greqia .
Marrëveshja vjen në një moment te kulmimit te ri te tensioneve me Turqine , me akuza të ndërsjellta nga të dy palet sa u përket mosmarrëveshjeve territoriale për kufirin detar në Egje, Mesdheun Lindor dhe militarizimin e ishujve greke të Egjeut.