Në tremujorin e tretë të vitit 2021, numri i vizitorëve në vendin tonë është rritur me 69.3%, në krahasim me tremujorin e tretë të 2020-ës. Sipas një raporti të publikuar nga INSTAT-i, përgjatë kësaj periudhe numri i vizitorëve rezidentë u rrit me 26.1%, ndërsa i atyre jorezidentë, me 2.1 herë.
INSTAT-i raporton se numri i netë-qëndrimeve gjithsej është rritur me 88.3%, në krahasim me tremujorin e tretë të 2020-ës. Numri i vizitorëve rezidentë, të cilët janë akomoduar në rajonin e Veriut shënoi rritjen më të lartë prej 53.4%. Në zonat jobregdetare, ky tregues u rrit me 38.8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i vizitorëve rezidentë, të akomoduar në hotele e struktura të ngjashme, shënoi rritjen më të lartë prej 28.9%.
Gradualisht, turizmi po i rikthehet niveleve të para krizës në të gjithë Europën, ndonëse nuk i ka arritur ende ato të 2019-ës. Më herët, Eurostat-i raportoi se në Shqipëri, për 6-mujorin e parë të vitit, u regjistruan 719 mijë netë-qëndrime, më shumë se dyfishi, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë koronavirus.
Referuar statistikave zyrtare, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-ës, netë-qëndrimet për 6-mujorin e parë mbeten gati 11% më të ulëta. Megjithatë, maji dhe qershori ishin më pozitivë, duke rezultuar rreth 8% më pak se nivelet e parakrizës. Për shkak të hapjes së shpejtë të vendit dhe lehtësimit të masave, turizmi në Shqipëri rezulton më pak i goditur se në vendet e tjera të rajonit dhe me mesataren e Bashkimit Europian. Sipas Eurostat-it, netë-qëndrimet e turistëve në Maqedoninë e Veriut për 6-mujorin e parë të vitit ishin 57% më të ulëta në krahasim me janar-qershorin e 2019-ës. Për Serbinë, shifra në të njëjtën periudhë është 31% më pak dhe për Turqinë, 42% më pak se parakriza. Të dhënat për Kosovën dhe Malin e Zi nuk janë të plota.