Kërcënim apo përgatitje për luftë? Zyrtarët dhe analistët perëndimorë mbeten të ndarë në domëthënien që ka dislokimi i trupave ushtarake ruse përgjatë kufirit të saj me Ukrainën. Rusia vendosi rreth 100,000 trupa në fillim të këtij viti dhe tha se lëvizja ishte e përkohshme dhe vetëm për stërvitje.
Por shumica e trupave ushtarake ka mbetur aty. Kohët e fundit sipas zyrtarëve perëndimorë dhe ukrainas, janë shtuar edhe njësi të forcave speciale elitë, shpesh fshehurazi brenda natës. Kjo ka shkaktuar alarm në rritje në Kiev dhe në Perëndim.
Gjenerali Kyrylo Budanov, Shefi i Agjencisë së Zbulimit Ushtarak të Ukrainës, i dha edhe më shumë zë shqetësimeve kur i tha gazetës amerikane “Military Times”, se dyshon se Kremlini po përgatitet për një ofensivë të gjerë që do të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm, ndoshta nga fundi i janarit.
Sipas zotit Budanov, kjo ka të ngjarë të përfshijë sulme ajrore, bombardime me artileri dhe tanke në Ukrainën lindore dhe sulme nga deti në qytetet portuale të Ukrainës, Odessa dhe Mariupol. Një inkursion më i vogël mund të kryehet përmes vendit aleat të Moskës, Bjellorusisë, shtoi zoti Budanov.
Por përpara se të ndërmerrte këtë hap, Rusia do të rriste luftën psikologjike dhe fushatat e dezinformimit, tashmë në zhvillim, të projektuar për të destabilizuar Ukrainën tha ai.
“Ata duan të nxisin trazira, përmes protestash e takimesh ku të tregojnë se njerëzit janë kundër qeverisë”, tha ai.
Zoti Budanov paralajmëroi se nëse do të niste një sulm, ai do të ishte i përmasave më të mëdha krahasuar me inkursionet ruse që u vunë re që nga shpërthimi i konfliktit mes dy vendeve, në vitin 2014.
Agjencitë ukrainase të zbulimit publikuan një hartë ku detajoheshin përllogaritjet se si do të ndodhte pushtimi, me forcat ruse që hyjnë në vend nga veriu, lindja dhe jugu. Do të ishte një operacion shumë më tradicional, por më i përgjakshëm sesa pushtimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014. Zoti Budanov beson se qëllimi përfundimtar i Kremlinit është të rrëzojë administratën e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy.
“Ata duan ta bëjnë situatën brenda vendit (Ukrainës) gjithnjë e më të rrezikshme e të vështirë, si dhe të krijojnë kushtet që qeveria të ndryshojë”, tha ai. “Nëse nuk do ta arrijnë këtë gjë, atëherë punën e tyre do ta kryejnë trupat ushtarake”.
Komentet e zotit Budanov janë vetëm një pjesë e një spektri të shumtë opinionesh mbi synimet e udhëheqësit rus Vladimir Putin.
A është dislokimi i trupave një lojë provokuese që synon të nxisë Kievin dhe fuqitë perëndimore të bëjnë një lëvizje të gabuar, në një lojë shumë më të gjerë gjeopolitike?
Apo thjesht një shtirje e destinuar vetëm për provokim? A po punon Kremlini për atë që adhuruesit e shahut do ta quanin “Armagedon”, një lojë që synon të japë një rezultat vendimtar?
Zyrtarë të lartë amerikanë kanë paralajmëruar aleatët e NATO-s se Kremlini mund të jetë duke komplotuar për të kapur më shumë pjesë të Ukrainës, duke përsëritur aneksimin e Krimesë që ndodhi në vitin 2014.
“Nuk jemi të qartë mbi qëllimet e Moskës, por ne njohim strategjinë e saj”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken në fillim të këtij muaji. “Shqetësimi ynë është se Rusia mund të bëjë gabimin e rëndë duke u përpjekur të ripërsëritë atë që ndërmori në vitin 2014, kur dislokoi forca ushtarake përgjatë kufirit, kaloi në territorin sovran të Ukrainës dhe e bëri këtë, duke gënjyer se ishte provokuar”.
Kremlini tha të hënën se paralajmërimet tejet serioze për një rritje të numrit të trupave ushtarake ruse përgjatë kufirit, po përdoren për të justifikuar furnizimin e Ukrainës me armë të teknologjisë së lartë, përfshirë raketa antitank Javelin. Mes disa javë tensionesh të përshkallëzuara mes Rusisë dhe Ukrainës, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve në Moskë se: “Kievi po rrit gjithashtu numrin e trupava ushtarake dhe për këtë po ndihmohet. Kievi po furnizohet me një numër të konsiderueshëm armësh, përfshirë armë moderne të teknologjisë së lartë”.
Ai shtoi se: “numri i provokimeve po rritet ndjeshëm. Këto provokime po kryhen me armë që furnizohen nga vendet e NATO-s dhe ne po e vëzhgojmë këtë gjë me alarm të madh”.
Sipas zotit Peskov, Kievi po kërkon një mënyrë për të mposhtur rebelët separatistë pro-Moskës që pushtuan një pjesë të rajonit lindor të vendit, Donbasin, pasi Moska aneksoi Gadishullin e Krimesë në 2014.
Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë akuzuar Rusinë për fabrikim të lajmeve se separatistët kanë marrë territore të reja, si dhe për dërgimin e trupave dhe armëve përtej kufirit për të mbështetur forcat rebele. Moska i ka hedhur poshtë këto pretendime.
Gjatë javëve të fundit, zyrtarët amerikanë kanë ndarë me aleatët evropianë informacione zbulimi, të cilat nënvizojnë se Moska është pranë fillimit të një goditjeje të shpejtë, e në shkallë të gjerë në Ukrainë nga disa pika gjeografike, sipas zyrtarëve evropianë që biseduan me Zërin e Amerikës. Zyrtarët amerikanë i thanë televizionit amerikan “Bloomberg News” të hënën se Moska kishte angazhuar gjithashtu me dhjetëra mijëra rezervistë, të cilët mund të përdoreshin për të siguruar territorin e pushtuar.
Por askush nuk thotë se një ofensivë nga ana e Rusisë është diçka e sigurt.
“Nuk mund të flas për qëllimet e Rusisë. Ne nuk e dimë se çfarë janë duke planifikuar ata”, tha Sekretari Blinken në fillim të këtij muaji.
Por zyrtarët shohin diçka ndryshe dhe më të ashpër këtë herë krahasuar me dislokimet e mëparshme të trupave ushtarake përgjatë kufirit të përbashkët Rusi-Ukrainë.
Ata po e lidhin atë me vendimin e Rusisë të muajit tetor dhe përsëri këtë muaj për të mos dërguar furnizime shtesë me gaz natyror në Evropë, duke përkeqësuar situatën energjetike. Po kështu një sinjal janë dhe përpjekjet e Kremlinit për të përfituar nga kriza e emigrantëve përgjatë kufirit Bjellorusi-Poloni, një situatë e stisur nga udhëheqësi i bjellorusisë Alexander Lukashenko, një aleat i Presidentit Putin.
Kombinimi i të trejave, dislokimit të trupave, kriza e emigrantëve dhe problemet e furnizimit me gaz të Evropës Perëndimore, ka tërhequr vëmendjen e fuqive perëndimore, duke i bindur ata se këtë herë mund të jetë ndryshe.
“Rusia ka deklaruar se ka rezerva të mjaftueshme me gaz për të plotësuar nevojat evropiane për energji. Ajo mund dhe duhet të sigurojë furnizime shtesë përmes rrjetit ekzistues të tubacioneve, përfshirë Ukrainën. Dështimi në këtë drejtim kërcënon sigurinë energjetike evropiane dhe vë në pikëpyetje motivet e Rusisë për ndalimin e këtyre furnizimeve”, tha një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit për “Zërin e Amerikës”.
Michael Kofman, drejtor i studimeve për Rusinë në Qendrën Amerikane mbi Analizat e Flotës Detare, vë në dyshim nëse e gjithë kjo është thjesht një truk i Vladimir Putinit, një tallje me Perëndimin për të parë se çfarë avantazhesh mund të sigurojë.
“Nëse treguesi janë dislokimet e trupave ruse dhe diskursi politik, ato po kërcënojnë me një operacion të madh ushtarak”, shkruante ai në Twitter javën e kaluar. Zoti Kofman tha se është dyshues ndaj qasjes se zoti Putin “thjesht po luan me bllofin”.
Lidhur me hartën e publikuar nga agjencia ushtarake e zbulimit e Ukrainës, e cila përshkruan rrugët e mundshme të inkursionit rus, zoti Kofman shkruante në Twitter se: “Kjo është një pamje e kthjellët dhe mjaft e saktë e asaj që po konsiderohet të ndodhë. Ushtria ruse mund ta bëjë këtë”.
Krijimi i pasigurisë në lidhje me synimet e Kremlinit mund të jetë qëllimi kryesor i Vladimir Putinit, thotë David Kramer, i cili ka shërbyer si ndihmës sekretar i Shtetit gjatë administratës së Presidentit George W. Bush.
“Të gjithë pyesin se çfarë do të bëjë Putini. Mendoj se atij i pëlqen kur shtrohet një pyetje e tillë”, thotë zoti Kramer.
Ai thotë se Kremlini lulëzon duke e vendosur në situatë të vështirë Perëndimin, duke qenë i paparashikueshëm.
“Çështjet e pazgjidhura dhe të paqëndrueshme i shërbejnë interesit të tij si çdo gjë tjetër. Atij i pëlqen ta shohë Perëndimin duke u përpjekur të parashikojë se çfarë ka ndër mend të bëjë ai, dhe kjo nuk është saktësisht një mënyrë për krijuar një marrëdhënie të qëndrueshme e të parashikueshme. Atij nuk i pëlqen të injorohet. Ai mendon se përqëndrimi i SHBA-së tek Kina është disi një fyerje për të”, thotë zoti Kramer për “Zërin e Amerikës”.
Por zoti Kramer druhet se Putini po luan “kumar”. Dhe kjo, thotë ai, është një “gjë vërtet e rrezikshme”./VOA