MENU
klinika

Nga Ben Andoni

A mund të ngjallet konservatorizmi i vërtetë shqiptar?!

11.11.2021 - 11:06

Po kthehet pak si trend politik shqiptar që pas viteve të tëra ku dëgjonim vetëm teza për Liberalizmin, tashmë të dëgjojmë shpesh e më shumë nevojën ideologjike të konservatorizmit! Që kjo është një modë politike e kupton nga ata që e adresojnë, pasi nuk kanë asfare qoftë platformë por as dhe ide lidhur me çështjen në fjalë, e më shumë se kaq nuk po e nisin këtë ide aty nga baza: bash nga rrënjët e konservatorizmit shqiptar.

Në javët e fundit, pasi e solli si ide fraksioni që donte përballjen reale me Bashën pas zgjedhjeve dhe marrjen e përgjegjësive të tij, ku më së shumti, individë të ndryshëm përmendnin parimet bazë si: familjen, pronën, traditën, autoritetin e shtetit, fenë dhe një sërë konceptesh të tjera me parimin e vazhdimësisë sociale teorikisht në thelb; befas, në një nga “Foltoret” e tij, i erdhi radha ta artikulonte edhe ish-kryetari i PD-së Berisha. Nuk është se kjo bën ndonjë çudi të madhe pasi prej kohës, partitë tona u janë shmangur kaheve ideologjike, ashtu si shumë simotra të Evropës Lindore dhe Qëndrore. Të mjafton të kujtosh qasjen e Ramës ndaj P.P.P.-ve dhe politikave të ndryshme të kuptosh se e Majta e përfaqësuar nga kryeministri ka kohë që i ka shkrirë vijat ideologjike drejt të Djathtës! Pa përmendur të Djathtën e Bashës me një sërë tezash ekonomike-sociale, që i afrohet natyrshëm materies së të Majtës! Vetëm se në këtë rast, hipokrizia e njerëzve të Berishës dhe rasti i tij më specifik të kujtonte qasjen e vërtetë të qeverisjes së tij ndaj mëtuesit për Fronin shqiptar, Leka Zogun apo më saktë me qëndrimin dhe degdisjet që i bënë në të gjallë atij dhe nëpërkëmbjes së formacionit të vet mirëfilli konservator. “Legalitetit” nuk iu ndanë problematikat shumë të mëdha të post ’90, qoftë për identitetin e munguar, shtuar me batërdisjen që u bënë komunistët dhe arratinë e gjatë jashtë vendit, ku humbën çdo lloj forme. Sot, ajo përbën një nga partitë pothuaj inekzistente, pasi nuk gjen dot vend mes spektrit laraman politik shqiptar kurse vetë mëtuesi i ri i fronit Leka II Zogu nuk tregon ndonjë predispozitë dhe ca më shumë njerëzit përreth tij nuk patën dhe as nuk e kanë formimin e nevojshëm por edhe fuqinë dhe karizmën të përcjellin frymën e vërtetë konservatore. Një pjesë e tyre më vonë identitetin do e gjenin duke u bashkuar me Berishën, bash njeriu që i kish sorollatur si askush dhe tashmë po i tregon shqiptarëve dhe konservatorizmin.

Po a mundet të zërë rrënjë konservatorizmi në Shqipëri? Logjikisht do t’i duhet dekada, kurse puna më e madhe është për t’u përgatitur në parametrat e veta momenti ku qenia “Homo Albanicus” të krijojë e respektojë më së pari vazhdimësinë e institucionit. Në rastin e vet, Berisha jo vetëm nuk e respektoi institucionin dhe strukturat e shtetit shqiptar por kujtimi i ’90 është sesi mund të shkatërrosh dhe ta çosh në zgrip atë përpjekje të madhe të brezave të tërë shqiptarësh për të mbajtur vendin pas pushtimit fashist dhe pastaj mbijetesës pas regjimit socialist që e çoi vendin përballë problemeve pafund ekonomike-politike. Në më të shumën e herës, përpjekja e shqiptarëve të zakonshëm në këmbimet e formacioneve politike ka qenë dhe mbetet thjesht për të krijuar vlerat për të ruajtur vazhdimësinë e identitetit të tyre. Bash vetëm kjo rrugë mund të përcjelli atë ndryshim, që e kërkon konservatorizmi. “Ne jemi krijesa kulm-ndërtuese që bashkëpunojmë në kërkim të vlerave dhe ajo që ka qëllim për ne janë qëllimet, jo mjetet e ekzistencës”, shkruan një nga ideologët e konservatorizmit, Robert Scruton. Ndoshta si shenjë e kundërt apo si sfidë i qëndron ende socializmi me vlerat sociale që përcjell mes njerëzve. Por për Çërçillin nuk kishte ekuivokë: “Socializmi është një filozofi e dështimit, kredo e injorancës dhe ungjilli i zilisë, virtyti i tij i qenësishëm është ndarja e barabartë e mjerimit!!!” Teksa krejt ndryshe, për njerëzit e letrave gjithnjë konservatorizmi ka pasur një sens që e lidhte me një tis të vjetër. Apo si do e shprehte më hidhur Mark Tuein nga ana tjetër me cinizmin e tij të lindur: “Konservatorizmi është adhurimi i verbër dhe i mbushur me frikë ndaj radikalëve të vdekur”.

E habitshme por është realitet kjo kundërshti në fasha të ndryshme ndaj konservatorizmit dhe sidomos nga ideologët që e qasin atë në vende të ndryshme.

Në fakt, në konceptin e vet, Berisha po bën një rrugë “të drejtë” drejt idesë së konservatorizmit duke u munduar të mobilizojë bazën e Partisë Demokratike drejt krijimit të vlerave në formacionin e vet. S’është argument i shkrimit këtu qëllimi i vërtetë i “Foltores”, me të cilën ai po i largohet të gjithë narrativës për shpalljen “Non Grata” dhe bashkimin e problemit personal me atë të PD-së, por veprimi tejet i zgjuar pragmatik që të bëjë kinse një përpjekje për këtë bashkim të lirë njerëzish me “Foltoren”, duke mëtuar se vetëm kështu do kërkohet ngritja e vlerave në shoqërinë tonë falë kësaj bashkësie, që identifikohet vetëm me të. Dhe, veprimi i tij shkon me idenë që konservatorët e duan në fakt bashkimin e vullneteve të lira: “Bashkimi i lirë është i domosdoshëm për ne, jo vetëm sepse njeriu nuk është vetëm një ishull, por sepse vlerat shfaqen nga bashkëpunimi shoqëror”, shkruan Scruton.

Por Berisha dhe miqtë e tij në kalkulimet instiktive për t’u mbrojtur bien jo pak herë në grackë ose ngecin në çështjet bazë: si për katrahurën e pronës në vend, pa të cilin konservatorizmi i tyre është shterpë. Nuk mund të harrohet se Ligji 7501 dhe gjithë ajo që u bë për pronat ka shkaktuar mijëra të vdekur, madje shumë më tepër sesa ato që shkaktoi komunizmi në 45 vitet e ekzistencës së vet. Patetikët e sotëm, që dikur brohorisnin dhe i bënin vend Bashës bashkë me Berishën, jo vetëm e ndanë sipas interesave por e lanë pronën të pazgjidhur, si një nga problematikat më të mëdha të vendit tonë.

Reforma e Administratës, qoftë në kohën e tij por edhe e të Majtëve, duke mos e respektuar traditën, jo vetëm nuk u bë si duhet por në vitet e pluralizmit bipartiak u shkatërrua turpshëm.

Ca më keq akoma, kontrolli i gabuar mbi këtë administratë por edhe problemet me reformën e saj asnjëherë të plotë, të cilat nuk u shoqëruan me logjikën e duhur të Reformës Territoriale, e kanë përcjellë vendin në zgrip problemesh jetike. Ish-kryeministri Berisha ka shquar bashkë me Bashën dhe njerëzit e tij, që sot e mbështesin në këtë aksion për bojkotin, duke e lënë në amulli të plotë dhe duke kulmuar me mospjesëmarrjen në Zgjedhjet Lokale. Konservatorët në thelbin e tyre të ideologjisë së Djathtë jo vetëm nuk e tolerojnë mungesën e kontrollit burokratik por edhe e kërkojnë demokracinë përmes institucionit të hallkave. Tek e fundit në thelb është e përcaktuar qartë: konservatorët kërkojnë dhe përpiqen të arrijnë deri në kuptimin e hyjnores ku ata respektojnë shtetin dhe qelizën e tij familjen, shënon Scruton. Por vallë nuk ishin këta që më 1997 bënë gati gjëra alternative që tradita nuk i përball dot, duke i kërcënuar direkt njerëzit?

Për të mos thënë atë kontribut të tyre në vite që lidhet te respekti për arsimin dhe tekstet e sotme mbushur me paradokse, ku tradita dhe respekti i gjësë bazike të shqiptarëve ka humbur dhe shpërfytyruar frikshëm. Me pak fjalë, konservatorizmi i sotëm i mëtuar është thjesht përdorimi i një koncepti ideologjik, që nuk shkon dot me një front që po ravijëzohet te “Foltorja”, i cili kërkon thjesht pushtet për militantët dhe ruajtje të kultit të Berishës. Kur mendon se: kërkesa e qenies njerëzore për rregull dhe qetësi janë në thelb të parimit të konservatorëve të shtang interpretimi dhe retorika e “Foltoreve”, e cila flet për revansh dhe kthimin e vërtetë të demokracisë së tyre.

Konservatorizmi jo vetëm nuk e mëdyshon ndryshimin e duhur, që po ndodh jo aq normalisht edhe te PD-ja, por ajo që synon vërtetë është se ndryshimet shoqërore të shkojnë kah zhvillimit të sotëm të traditës dhe vlerave historike. Ku, gjithmonë ruhet identiteti dhe sidomos historia e vendit, duke mos bërë shkëputje, siç mëtojnë shpesh pretenduesit e shumtë, të cilët duan ta rikthejnë Shqipërinë kohë e kohë më pas, por kurrë në të ashtuquajturin revolucion dhe tollovi. Paradoksalisht, Berisha do revolucionin e përmbysjes fillimisht në partinë e vet dhe pastaj përmbushjen e pushtetit, por në modelin e ikjes nga realiteti i sotëm, që do t’i peshojë gjithnjë e më tepër mbi kurriz…jo atij më, por PD-së dhe vetë shqiptarëve.