MENU
klinika

Projektbuxheti 2022

Alarmi i Guvernatorit Gent Sejko: Kujdes me PPP e borxhin publik

06.11.2021 - 10:35

Gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ekonomisë, ku paraqiti konkluzionet e buxhetit të 2022, u shpreh se vitin e ardhshëm ato janë parashikuar në nivelin 3 për qind të të ardhurave tatimore dhe brenda kufizimeve ligjore. Si një element kontrollues ndaj nivelit të riskut që kanë kontratat e PPP, Banka e Shqipërisë i rekomandon qeverisë që të vendosë përfshirjen e tavaneve ligjore afatgjata mbi vlerën e përgjithshme të kontraktuar të PPP-ve.

Për kontratat me PPP, Banka e Shqipërisë sugjeron “përfshirjen e tavaneve ligjore afatgjata mbi vlerën e përgjithshme të kontraktuar të PPP-ve. Ky rregullim do të ishte një element plotësues i kontrollit të nivelit të rrezikut potencial që PPP-të mund të kenë mbi shëndetin e financave publike; integrimin e procesit të kontraktimit dhe përzgjedhjes së PPP-ve me programin strategjik të investimeve, sikundër janë identifikuar në programet afatgjata të zhvillimit të vendit; përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë vlerësimin, kontraktimin dhe monitorimin e këtyre projekteve, sidomos sa i takon detyrimeve ligjore dhe financiare që ato i ngarkojnë Buxhetit”, tha Sejko.

Teksa u ndal në projektbuxhetin mbi skemën e pensioneve, Guvernatori Sejko tha se skemat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore vijojnë të përbëjnë një barrë të ndjeshme për financat e shtetit dhe do krijojë një deficit në nivelin e 101 miliardë lekëve ose 5.4% të PBB-së.

“Në këtë kontekst, duke pasur parasysh edhe trendet e pafavorshme demografike, Banka e Shqipërisë sugjeron rishikimin periodik të skemës së pensioneve, atë të sigurimeve shëndetësore dhe skemat e tjera të sigurimeve sociale, me synim ruajtjen e këtyre skemave në trajektore të qëndrueshme dhe të përballueshme për buxhetin e shtetit”, tha Sejko.

Projektbuxheti parashikon se të ardhu-rat buxhetore të vitit 2022 do të rriten me rreth 8%, duke arritur në 28.7% të PBB-së. Për sa i përket borxhit publik, Sejko u shpreh se nevojitet një qasje ambicioze për uljen e nivelit të borxhit, ndërsa thotë se Eurobondi nuk do ta ndryshojë politikë monetare. “Banka e Shqipërisë gjen me vend të theksojë se trendi rritës i huamarrjes së huaj dhe asaj të denominuar në valutë, ekspozon borxhin publik jo vetëm ndaj rrezikut të normave të interesit, por dhe ndaj rrezikut të luhatjeve të pafavorshme të kursit të këmbimit.

Banka e Shqipërisë mbështet objektivat dhe punën e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për zgjatjen e mëtejshme të strukturës së maturimit të borxhit publik. Banka e Shqipërisë gjykon se perspektiva e zhvillimit të vendit mbetet pozitive dhe se rimëkëmbja ekonomike po vjen drejt konsolidimit. Për këtë arsye, politikat tona ekonomike – ajo monetare dhe ajo fiskale – duhet të fillojnë të orientohen gradualisht drejt normalizimit.

Kjo përqasje ofron mbështetjen e duhur për procesin e rimëkëmbjes dhe zbut rreziqet fiskale që burojnë prej rritjes së borxhit publik. BSH sugjeron për adoptimin e një përqasjeje më ambicioze për reduktimin e borxhit të huaj në horizontin afatmesëm dhe afatgjatë. Praktikisht, ju po diskutoni për të marrë një Eurobond 700 milionë euro. Nëse do të merrej në tregun e brendshëm, do ishte një shumë e madhe, pavarësisht se likuiditetin e ka. Do krijonte disbalanca ekonomike.

Një tërheqje nga 100-200 milionë nuk do krijonte disbalanca. Në vlera më të mëdha nuk do ishim dakord. Lidhur me masat që ka marrë BSH në raport me rritjen e çmimeve, rritja e çmimeve të naftës, energjisë, transportit, transmetohet te produktet e tjera, qoftë ushqimore. BSH instrument bazë ka normën e interesit, zbatimi i politikës monetare. E theksova se nuk e shikojmë të nevojshme të ndryshojmë kahun e politikës monetare”, tha Sejko.

Arsyet që e bëjnë metropolin financiar të globit

New Yorku shpallet qyteti më i pasur në botë

Sa pensionistë do të përfitojnë në Tiranë

Nis aplikimi i të moshuarve për abone falas

Kontratat zhvendosen në destinacione më të lira

Analiza: Fillon falimentimi i fasonit në Shqipëri!