Një përplasje organizative po ndodh sërish në strukturat e Partinë Demokratike, këtë herë me organizimin e zgjedhjeve për Forumin Rinor. Vetëm pak ditë pasi kryetari Lulzim Basha njoftoi hapjen e garës për zgjedhjet në FRPD, edhe ish-kreu i të rinjve në PD-së, Belind Këlliçi njofton se po përgatit zgjedhjet e kryetarit të ri në këtë forum. Pas dorëheqjes nga FRPD, megjithëse mandati kishte dy vite që i kishte përfunduar, Belind Këlliçi ka publikuar një vendim të kryesisë së të rinjëve për organizimin e zgjedhjeve në organet drejtuese te FRPD-së.
‘Hapjen e procesit të anëtarësimeve të reja në FRPD, periudha 15 nëntor 2021-12 shkurt 2022. Përpilimin e listës finale të anëtarësisë së FRPD-së me të drejtë vote jo më parë se 30 ditë nga mbyllja e procesit të anëtarësimeve. Hartimin e kalendarit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të ri të FRPD-së, në nivel dege dhe qendror, jo më vonë se data 30 mars.’- thuhet në vendimin e publikuar nga Këlliçi.
Lulzim Basha njoftoi më 5 nëntor hapjen e garës për rioganizimin dhe zgjedhjet në FRPD, ku theksohet kryetari zgjidhet sipas parimit 1 anëtar, 1 votë. Basha udhëzoi nisjen e procesit të rifreskimit të strukturave dhe ngritjen e një grupi pune që do të mbikëqyrë procesin. Sipas tij, mandati i shumicës dërrmuese të drejtuesve të FRPD-së ka mbaruar dhe një pjesë e drejtuesve kanë tejkaluar moshën, për pasojë FRPD-ja duhet të shkojë në zgjedhje. Në krye të grupit të punës është vendosur një nga të “besuarat” e Lulzim Bashës, Oriela Nebiaj, e cila u kandidua nga Basha edhe si deputete në qarkun e Tiranës.
Zgjedhjet për kryetar të FRPD-së janë mbajtur për herë të fundit në dhjetor 2015 dhe mandati i kryetarit dhe forumeve drejtuese kishte përfunduar dy vite më parë. Këlliçi tha se kjo është një tentativë e tij për të uzurpuar FRPD-në, por kishin rënë dakord që zgjedhjet për pasuesin e tij, t’i bënin në një moment të dytë, kur situata brenda PD-së, të ishte më e qetë, referuar përplasjeve Basha-Berisha.