Përfaqësuesit e delegatëve që kanë firmosur thirrjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së depozituan dje në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka, formularët me firmat.
Ish-Kryeministri Berisha doli dje në një konferencë për mediat ku e nisi fjalën duke thënë se PD do të vijë sërish në pushtet me të Kryeministër dhe në vijim sqaroi se 4200 delegatë kërkojnë që PD të mbledhë Kuvendin më 11 dhjetor, ditën e themelimit të saj. Sipas ish-kryedemokratit, dosja me formularët është vendosur t’i dorëzohet kryetarit të Këshillit Kombëtar për shkak se pas mbledhjes së fundit të Kuvendit Kombëtar, Këshilli i PD-së është i vetmi organ që është konstituuar. Po ashtu, sipas Berishës, delegatët që kanë firmosur kanë kërkuar të ruhet privatësia, ndaj sipas Berishës, dosja do të qëndrojë në kasafortën e zyrës së kryetarit të këshillit Kombëtar.
“Përfaqësuesit e formularëve kanë vendosur që këto formularë historikë të themelimit të pluralizmit politik t’i depozitojë në selinë e PD-së. T’i depozitojnë te kryetari i Këshillit, Edi Paloka. Do thoni ju po pse te Paloka? Në forumet e PD-së, i vetmi forum i konstituuar pas Kuvendit është Këshilli Kombëtar. Peng-kryetari nuk ka mbledhur akoma kryesinë e PD-së. Ai ka frikë. Ndërsa Këshilli Kombëtar është forumi më i lartë i PD-së dhe ai është konstituuar. Për këto arsye depozitohen pranë kryetarit të Këshillit Kombëtar. Por me garancinë e plotë se do të ruhet privatësia e të dhënave personale. Formularët kanë jo vetëm gjeneralitetet, por kanë edhe numrin e kartës së anëtarësisë dhe të kartës së identitetit. Verifikimi i mandateve, sipas rregullit të çdo Kuvendi, bëhet vetëm nga Kuvendi. Vetëm Kuvendi ka të drejtën statutore të verifikojë mandatin e zonjës apo zotërisë që ka firmosur formularin. Po qe se keni kuriozitet, Florjana mund t’jua tregojë. Këto do të dorëzohen te zyra e Këshillit Kombëtar dhe ditën e Kuvendit do të jenë në sallën e Kuvendit”, tha Berisha.
Ndërsa më tej vijoi duke thënë se dita 11 dhjetor do të jetë dita e dytë më e rëndësishme në historinë e PD-së, që do të shënojë edhe rithemelimin.
“Foltorja është shpirti i njerëzve të lirë. Për të gjitha këto, delegatët firmosën masivisht formularin e dorëzuar për të thirrur në ditën e themelimit të PD-së Kuvendin e rithemelimit apo sido quajeni. Por të Kuvendit që do të bëjë opozitën më vigane që ka pasur ndonjëherë. Këtu kemi sjellë 4200 formularë të 4200 delegatëve të Kuvendit të PDsë, nga 1800 që është detyrimi statutor për të thirrur këtë Kuvend. Po përse shkuam kaq shumë dhe vazhdojnë mbledhjet? Për të respektuar vendimin e shumicës. Këtu kemi një shumicë jo vetëm të PD-së, por de facto të Shqipërisë. Mos llogarisni atë shumicë të vjedhur. Këtu është shumica e njerëzve të lirë”, tha Berisha.
PËRGJIGJJA PËR AMBASADOREN
Në konferencën e ditës së djeshme, Sali Berisha iu përgjigj edhe pyetjeve në lidhje me deklaratën e ambasadores së SHBA-së se as ajo dhe as ndonjë pasardhës i saj nuk mund të ulet zyrtarisht dhe jozyrtarisht me një person për të cilin ka një vendim nga Sekretari i Shtetit amerikan.
“Së pari, më duhet të them se ‘Foltorja’ ka zgjuar shpresa të mëdha në mbarë botën. Dhe unë dua t’ju informoj ju se kjo pritje që shikoni në Shqipëri për ‘Foltoren’ nuk është më pak entuziaste në vendet mike, nuk janë më të pakta përgëzimet që marr për këtë nismë shpëtimtare të pluralizmit. Për hir të së vërtetës edhe nga elitat e politikanëve të republikanëve të SHBA-së. Për të mbyllur këtë problem, zonjës dhe cilido tjetër, zonjës ambasadore që ka një provë dhe fakt të vetëm, e ftoj t’i dërgojë në Gjykatën e Parisit. Shpreh kënaqësinë dhe mirënjohjen se miq, përfaqësues të vendeve mike, personalitete të elitës politike amerikane, nuk pajtohen. Nuk binden, madje e marrin thjesht si një hakmarrje politike deklaratën se kemi prova, por nuk i themi. Kjo ka marrë fund. Ke prova, çoji para gjykatës. Në të dyja anët e Atlantikut miq të shquar më kanë thënë se kanë parë dosjen, e kanë gjetur atë si në materia. Çështja e kafes, të vazhdojë të pijë kafe në livadhet e qeverisë. Por jam i sigurt se Shqipërinë do ta afroj me SHBA-në dhe Perëndimin”, vijoi Berisha.
DEBATI PËR STATUTIN
Thirrja e Kuvendit, sipas Berishës, përmes thirrjes nga ¼ e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar është një mekanizëm zhbllokues, dhe Statuti, sipas ish-Kryeministrit, nuk detyron që firmat të paraqiten në selinë e PD-së. Ato verifikohen, sipas tij, vetëm në ditën kur mblidhet Kuvendi. “Normalisht nuk ekziston asnjë detyrim statutor i atyre që mbledhin 1400 firma për t’i dorëzuar askund përveç Kuvendit ditën e mbledhjes.
Ky mekanizëm statutor jo vetëm në PD, por edhe në simotrat e saj, është mekanizëm i zhbllokimit. Kur kryetari me kryesinë refuzon ta thërrasë, kur Këshilli Kombëtar nuk e thërret. Në këtë rast hyn mekanizmi shpëtimtar i anëtarësisë: 1800 firma. Duhet të respektojnë vetëm një gjë. Ata mbajnë vetë dokumentet dhe i paraqesin ditën e mbledhjes. Po e bëjmë këtë sepse këtu nuk janë ¼, po kanë kaluar dhe do të shkojë në 2/3 dhe s’ka pse këto të mos qëndrojnë në zyrën e kryetarit të PD-së. Kjo është arsyeja. Një gjest respekti”, vijoi Berisha.
Çfarë synohet në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar
DREJTUAR: Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, z. Edi Paloka Në kushtet kur Partia Demokratike e Shqipërisë po përjeton krizën më të rëndë të identitetit dhe demokracisë së brendshme që nga koha e themelimit të saj, për shkak të dështimeve në aksionin e saj politik dhe mosfunksionimit të forumeve të saj vendimmarrëse, si dhe
– kur brenda Partisë Demokratike hapësirat e lirisë dhe të demokracisë po asgjësohen qëllimisht dita-ditës,
– kur forca kryesore e opozitës në vend nuk arrin të përmbushë misionin e saj për të ndalur keqqeverisjen e vendit dhe për t’u kthyer në shpresë të qytetarëve dhe në alternativë serioze qeverisëse,
– kur rikthimi i ushtrimit të sovranitetit nga anëtarësia, brenda familjes tonë politike, është imperativ për t’i dhënë fund uzurpimit të partisë nga një grup njerëzish me qëllime dhe axhenda tërësisht personale, Me qëllim rikthimin në legjitimitet moral, politik dhe statutor të funksionimit të Partisë Demokratike, për ta rikthyer atë në shpresë për njerëzit e lirë të këtij vendi, ne, një grup deputetësh, anëtarësh Kryesie, anëtarësh të Këshillit Kombëtar, kryetarë degësh, grupseksionesh, seksionesh, delegatë të organit më të lartë drejtues të Partisë, Kuvendit Kombëtar, në përputhje me parashikimet e nenit 43, pika 2 të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, marrim përgjegjësinë statutore për të thirrur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në datën 11 dhjetor 2021, ora 11:00, me rend dite si më poshtë:
– Miratimi i ndryshimeve statutore sipas propozimeve konform nenit 43/4 dhe 60 të Statutit të PDSH për rivendosjen dhe garantimin e demokracisë në vendimmarrjen në forumet e Partisë Demokratike. Analiza e qëndrimeve dhe akteve të Kryetarit Basha ndaj parimeve themelore e normave të statutit dhe ndaj forumeve të Partisë Demokratike;
– Vendimmarrje sipas ndryshimeve statutore të propozuara dhe thirrja e referendumit të anëtarëve të Partisë Demokratike për të miratuar vendimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike; – Përcaktimi i aksionit politik opozitar të Partisë Demokratike të Shqipërisë;
– Të ndryshme. Kuvendi Kombëtar do të mbahet në ambientet e Pallatit të Kongreseve, Tiranë. Në përmbushje të detyrimit, kërkesave dhe afateve statutore, sipas dispozitës së lartpërmendur, bashkangjitur do të gjeni kërkesat tona të nënshkruara në cilësinë e delegatëve të Kuvendit Kombëtar, për thirrjen e Kuvendit në datën 11.12.2021, që ju drejtohen juve si drejtues i zgjedhur i Këshillit Kombëtar, i cili sipas Statutit, është organi më i lartë drejtues i Partisë Demokratike në periudhën midis dy Kuvendeve.