Kryesia e PD-së, e zgjedhur në fund të muajit gusht, do të zhvillojë sot mbledhjen e parë, të thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha, mes kërcënimeve të Berishës për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të partisë.
Bëhet me dije se mbledhja do të zhvillohet sot në orën 16:00, në selinë blu. Kjo mbledhje Kryesie, organi më i rëndësishëm vendimarrës i partisë, vë edhe njëherë Bashën përballë mbështetësve të Berishës, mes të cilëve edhe Flamur Noka, Edi Paloka e Belind Këlliçi, të cilët janë pjesë e këtij organi.
Në një mesazh drejtuar anëtarëve të PD-së, Sekretari i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi bën me dije se në mbledhje pritet të zhvillohen diskutime mbi situatën politike, si dhe “marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike dhe funksionimin demokratik të organeve të saj”.
Kjo mbledhje zhvillohet në kulmin e debateve në PD, ku Berisha dhe mbështetësit e tij pretendojnë se kanë mbledhur 4200 firma të delegatëve për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të cilat i kanë depozituar në një kasafortë që e mban kreu i Këshillit Kombëtar Edi Paloka. Ndërsa PD zyrtare pretendon se firmat nuk janë mbledhur, dhe kjo sipas tyre vërtetohet me faktin që nuk lejohet verifikimi i tyre.
Basha e Bardhi më herët kanë bërë thirrje që firmat të depozitohen pranë protokollit të partisë në mënyrë që të nisë verifikimi i tyre dhe më pas mund të thirret Kuvendi Kombëtar. Pritet që Kryesia në mbledhjen e së hënës të dalë me një vendim në lidhje me këtë çështje të shumë debatuar.