Në konferencën për media të mbajtur sot ish-kryeministri Sali Berisha ftoi kreun e PD Lulzim Basha që të marrë pjesë në Kuvendin e 11 dhjetorit, ose në të kundërt e përjashton veten nga Kuvendi.
Deklarata e Berishës vjen pasi Basha i propozoi Kryesisë 18 dhjetorin si datën për mbajtjen e Kuvendit.
Berisha i bëri thirrje Bashës dhe Ramës që ‘ti vënë gishtin kokës”, duke paralajmëruar se firmëtarët nuk do të lejojnë të ndryshohet asnjë gërmë nga axhenda e Kuvendit.
“Ne po ndjekim me rigorozitet ligjet ekzistuese. Ndaj i them Edi Ramës hiq dorë, se do hysh në histori njësoj si daja yt që kërkonte të bllokonte pluralizmin me tanke. Mos ju shërbe me pengje e stërpengje, idealet e demokratëve nuk mund ti mposhte askush, kurse peng-kryetarit nuk kam ndonjë mesazh të veçante sepse ai komandohet nga pengmarrësi, por i them më 11 dhjetor je i ftuar të vish në Kuvendin e PD-së. Ky Kuvend ka meritën historike, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Evropë edhe më gjerë, nuk e thërret përfaqësia, e thërret anëtarësia. Ndaj cilido që hyn në atë Kuvend hyn strikt si anëtar i barabartë me të gjithë të tjerët. Sikundër e njoftoj peng-Bashën se data 11 është vetëm data e fillimit të Kuvendit. Kuvendi vazhdon veprimtarinë e tij deri në rivendosjen e plotë të pluralizmit politik në Shqipëri. Mos mendo Edvin se duke vjedhur data do mund ti dalësh përpara këtij Kuvendi. Ti keni të qarta gjërat ky është revolucion paqësor, askush nuk mund të luaj me të. Qëllimi makabër politik i peng-marrësit dhe pengut është që ti vjedhin Kuvendit dhe rendin e ditës. U vini gishtin kokës u them të dyve, se ata që kanë vënë firmën nuk do pranojnë kurrë që njeri në botë tju ndryshojë edhe një gërme nga axhenda. Frika është e juaja, ju keni frikë dhe tmerr, se u keni kaq shumë borxhe këtyre qytetarëve, u keni bërë kaq të liga sa keni humbur arsyen dhe silleni në këtë mënyrë. Kuvendi i demokratëve që e mbledhim për herë të parë me firmat e anëtarësisë do shndërroj PD-në në forcë vigane dhe forcën e fitores. Emrat e tyre që firmosën do skaliten, theksoj edhe njëherë, në muret e kohës, si emrat e qytetarëve që rivendosën pluralizmin politik dhe përmbysën narko-shtetin”, tha Berisha.
“Revolucioni paqësor i dhjetëra-mijëra demokratëve do merret me pengmarrësin dhe pengun, asgjë nuk mund ta ndalë. Basha duhet të vijë më datën 11 në Kuvend. Nëqoftëse nuk vjen, përjashton veten nga Kuvendi, jo nga partia, por ditët në vazhdim janë të revolucionit demokratik paqësor”, shtoi ish-kryeministri.