MENU
klinika

500 kontrata me vlerë 190 milionë euro në shkelje të ligjit

Buxheti i 2020, KLSH: Qeveria, joserioze me investimet!

11.11.2021 - 10:02

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka vërejtur se gjatë zbatimit të buxhetit përgjatë vitit 2020 qeveria ka treguar mungesë serioziteti dhe për me tepër, ka shkelur ligjin gjatë zbatimit të programit të investimeve publike.

KLSH tha në raportin dërguar Kuvendit se qeveria nënshkroi mbi 500 kontrata për investime publike me vlerë të kontraktuar rreth 23 miliardë lekë (rreth 190 milionë euro), pas datës 15 tetor 2020, jo në përputhje me kërkesat e ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor. Kontraktimet më të mëdha u bënë në Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me vlerë rreth 10 miliardë lekë dhe Ministria e Infrastrukturës me vlerë 7.8 miliardë lekë. Gjithashtu u gjetën rreth 10 milionë euro (1,23 miliardë lekë) shpenzime korente që në realitet janë klasifikuar si shpenzime kapitale. Për shembull, Autoriteti Rrugor Shqiptar i raportoi si investim shpenzimet për vendime për shlyerjen e vendimeve gjyqësore. Ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) dhe AZHBR raportojnë si investim të realizuar kostot lokale të menaxhimit të projekteve. Programi buxhetor 6210 “Programe zhvillimi” nga FSHZH me Aktin Normativ nr. 28/2020 është rritur me 3 miliardë lekë për hapjen e 21 projekteve të reja investimi, të cilat nuk kanë kaluar ciklin e menaxhimit të investimeve publike në programin afatmesëm 2020-2022.

Rezulton se buxheti i kërkuar për vitin 2021 për këto 21 projekte paraqitet në shumën 6.99 miliardë lekë, ndërkohë me ligj buxheti tavani buxhetor është miratuar në shumën 3.8 miliard lekë, duke lejuar kështu ndërmarrjen e angazhimeve përtej kufirit të miratuar, vëren KLSH. Në vijim, me Aktin Normativ nr. 34/2020 fondi i këtij programi është ulur me 1.3 miliardë lekë, ndërkohë kontratat e nënshkruara janë në shumën 5.95 miliardë lekë dhe fondet në dispozicion në muajin dhjetor 2020 për to paraqiten në shumën 880 milionë lekë, ose 1.27 miliardë lekë, angazhime përtej tavanit të miratuar për vitin 2021. Disa nga këto projekte janë: rikualifikimi dhe sistemimi i lumit Gjanica, Loti iI, Fier me vlerë kontrate 630 milionë lekë; rikualifikimi urban pranë qendrës së qytetit Vlorë me vlerë kontrate 818 milionë lekë; rikualifikimi i zonës turistike Golem me vlerë 667 milionë lekë.

Përveç projekteve të mësipërme, në muajt shtatortetor 2020 është miratuar rialokimi i projekteve të reja, duke detajuar vetëm vlerën e 20% të projektit të investimit në vitin e parë në shumën 543 milionë lekë. Plani përfundimtar rezulton në shumën 238 milionë lekë, ndërkohë që tashmë janë lidhur 4 kontrata me afat 8- 12 muaj në shumën 1.4 miliardë lekë në tejkalim të tavanit të viti 2021 në shumën 1.2 miliardë lekë. Konkretisht, ndërtimi i “By Pass”-it të Gjirokastrës, ndërtimi i rrugës BurrelSheshaj, Rruga e Vendit të Shenjtë – Mali i Tomorit, Loti 2, rikualifikimi urban dhe ndërtimi i argjinaturës për mbrojtjen nga Vjosa.

Sipas KLSH-së, konstatohen rishikime të shpeshta në programin buxhetor 4520 “Transporti rrugor”, për MIE dhe ARRSH planifikuar me ligjin e buxhetit në shumën 14.5 miliardë lekë. Me Aktin Normativ nr. 28, vlera e financimit është rritur me 7.1 miliardë lekë. Në muajin tetor 2020 janë kryer përsëri rialokime duke shtuar fondin e kontratës koncesionare të Rrugës së Arbrit në shumën 370 milionë lekë të tjera dhe duke shtuar dhe projektin ndërtim rruga PalasëDhërmi në shumën 440 milionë lekë përballuar nga ulja e financimit të “Ndërtim rruga Kardhiq – Delvinë Loti 7”. Në muajin nëntor është ulur përsëri vlera e shpronësimeve të planifikuara dhe janë shtuar dy projekte të reja të investimeve: projekti “Rikonstruksion i rrugës Dukaj–Sinanaj, Tepelenë” në shumën 100 milionë lekë dhe projekti “Ndërtim i rrugës, lidhja e autostradës Milot–Morinë me aeroportin e Kukësit” në shumën 144 milionë lekë. Gjithashtu, në këtë program konstatohen 5 projekte të cilat kanë ndërmarrë angazhime në mungesë të fondeve të disponueshme në vlerën 4.5 miliardë lekë. Në Programi buxhetor 6370 “Furnizimi me ujë dhe kanalizime” janë konstatuar 7 projekte që kanë marrë angazhime në tejkalim ose në mungesë të fondeve të disponueshme në shumën 7.1 miliardë lekë.