Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka dhënë detaje mbi mënyrën se si do zbatohen tre marrëveshjet e firmosura prej tij dhe homologut të tij kosovar në mbledhjen e djeshme të dy qeverive.
Sipas Çuçit, të tre marrëveshjet synojnë lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve në të dy anët e kufirit.
“Kemi bërë një kapërcim shumë të rëndësishëm për të lehtësuar lejet, për të jetuar në të dy anët e kufirit të shqiptarisë. Duke bërë të mundur që çdo shtetas në dy vendet mjafton të plotësojë një formular dhe të deklarojë një adresë të përshtatshme dhe menjëherë pa asnjë procedurë shtesë ai merr lejen 5-vjeçare dhe menjëherë do i takojë leja e përhershme, pa pasur nevojë të bëjë aplikim tjetër. Kjo leje unifikohet dhe është e njësuar me lejen e punës. Pa asnjë dokument vetëm kjo leje qëndrimi çdo shtetas ka të drejtë të punojë me të dy anët e kufirit.
Marrëveshja e dytë ka të bëjë me hapjen apo kalimin në një status tjetër të kufirit midis Shishtavecit dhe Krushevës. Marrëveshja e tretë do të mundësojë lehtësinë apo lejet e posaçme që do të marrin banorët e zonave kufitare të dy vendeve për të lëvizur lirshëm jo vetëm në zonat kufitare. Shtetasit e të dy anëve do të përfitojnë shërbime të njëjta në Kosovë dhe Shqipëri”, tha ministri Çuçi.
Çuçi njoftoi se janë dakordësuar dhe po punojnë që para sezonit të verës të mundësojnë lehtësimin e qarkullimit në pikat kufitare.
“Kemi sjellë një paketë që ka krijuar një mjedis tjetër, pa pasur nevojë për burokracira shtesë. Nuk është pjesë e marrëveshjes, por me kërkesa të dy kryeministrave, kemi marrë masat dhe nuk do të presim sezonin e verës për të lehtësuar qarkullimin. Do të vendosim një sistem kamerash në kufi dhe qarkullimi do të bëhet pa ndalim. Çdo gjë do të jetë automatike pa pasur nevojë të ndalojë fare në kufi. Kemi bërë edhe planin e punës dhe do të jetë shumë më shpejt se fillimi i sezonit”, u shpreh Çuçi.